UBT

Vështirë me Vetëvendosjen

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Deputeti Eqrem Kryeziu thotë se bashkëpunimin opozitar LDK – Vetëvendosje e pengojnë programet politike. Por, sipas tij, këto dy subjekte mund të koordinohen për disa çështje në Kuvend. Kryeziu ka ironizuar me Kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja, duke thënë se po i vjen keq që po përballet me drejtësinë në pleqëri.

Eqrem Kryeziu nuk po pret kurrfarë afrimi ndërmjet LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht takimeve të dy liderëve, Isa Mustafës e Albin Kurtit.

Sipas tij, arsye për këtë janë programet e ndryshme politike.

Por, pavarësisht kësaj, ky zyrtar i LDK’së thotë se këto dy subjekte mund të gjejnë gjuhën e përbashkët në Kuvendin e Kosovës rreth disa problemeve.

“Sa i përket afrimit, me të thënë të drejtën, secila parti e ka profilin e vet, madje disa dallojnë shumë nga njëra – tjetra. Për shembull, Vetëvendosje ka një profil që dallon më së shumti prej të gjitha partive. Në këtë aspekt, nuk shoh ndonjë afri organike, ta quaj, një afri të kohezionit politik, por në anën tjetër, nuk përjashtohen mundësitë e koordinimit të veprimeve për çështje të caktuara”, ka thënë Kryeziu, për Express, të mërkurën.

“Për çështje të caktuara mund të bashkëpunojmë , por në programe ka dallime të mëdha”, ka shtuar ai.

Kryeziu ka komentuar edhe procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja.

Në këtë situatë, Kryeziu ka thënë se i vjen keq prej qytetarëve pse udhëheqësi i tyre, në moshën 74 vjeçare, po përballet me dyshime për hajni.

Hidromorava

“E kam paralajmëruar shumë herët këtë katandisje. E kam anticipu katandisjen e tillë penale të këtij pushteti që në fushatë. Por, ata mendonin që unë kapak po i shtoj dhe po rrej në fushatë. Jo, nuk kam rrejt dhe tash po del ashtu”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ka ironizuar me pleqërinë e Kryetarit të Prizrenit, duke thënë se diktatorët edhe më të vjetër kanë bërë gjëra edhe më të këqija.

“z. Muja është dashur të ketë kujdes edhe për shkak të moshës. Kur nuk je në varrë duhet të mendosh mirë kur t`ju hysh punëve. Nuk e amniston mosha asnjë njeri. E dimë që diktatorët edhe më të moshuar se z. Muja kanë bërë kërdi, mirëpo i kanë pas edhe telashet e veta”, ka shtuar ai.

Kryeziu ndërkaq ka thënë se i përkrah vendimet e një pjesë të LDD’së për t’u kthyer në Shtëpinë e Vjetër.

Ai ka thënë se iluzioni se LDD do të bëhej parti e madhe është shuar.

Tash, sipas tij, po vjen koha që të kthehen në LDK, por jo të kërkojnë “plotë gjëra” sikur në shoqata bamirësie.

“Problemi është se këto bashkime duhet të bëhen mbi disa parime të drejta se ne si shpirtmirë që jemi, si “Nënë Terezë”, se kemi hyrë në politikë me parimet e Nënë Terezës, hajde t’i ndihmojmë këtij populli ta heqim këtë diktaturë. Partitë e tjera po mendojnë – nuk e kam fjalën vetëm te z. Daci – hajt se “Nënë Tereza” na jep plotë gjëra. Por, edhe në politikë duhet me pas një parim të drejtësisë. Kjo është vërejtja ime”, ka thënë ai.