ARKATANA

Vështirë me serbët e veriut

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Marko Prelec, Drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin, nuk është i sigurt nëse Serbia do të mund t’i bindë serbët e Veriut që të bëhen pjesë e implementimit të marrëveshjes.

Popullata e atjeshme, sipas tij, aktualisht nuk e di çfarë do, pasi ka frikë nga Prishtina dhe ndjehet e tradhtuar nga Beogradi.

Në një intervistë për Express( nëpërmjet e mailit), Prelec thotë se Marrëveshja nuk e shkelë Kushtetutën e Kosovës, përveç pikës, ku thuhet se Komandanti i Policisë në Veri duhet të jetë serb. Ai konsideron se kjo shkelë edhe Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut.

“Kjo duhet të hiqet” thotë Prelec.

Ky analist i GNK’së vlerëson se nëse implementohet marrëveshja, ajo do ta vendosë sovranitetin e Kosovës në krejt territorin.

Ai mohon se ujdia e arritur në Bruksel u ka dhënë autonomi serbëve dhe Republika Srpska.

Express: A mendoni se Beogradi ka vullnet dhe mundësi t’i bindë serbët e Veriut që të jenë pjesë e implementimit të marrëveshjes që u arrit javën e kaluar në Bruksel?

M. Prelec: Ka më pak se një javë, që në këtë marrëveshje u vunë inicialet dhe ajo ende formalisht nuk është pranuar nga Serbia, kështu që është shumë herët të thuhet me konfidencë se si do të veprojë Beogradi. Sigurisht ata do të jenë nën presion të fuqishëm që ta implementojnë, deri në fund të Qershorit kur Këshilli Europian do të vendosë rreth hapjes së negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe për MSA’në me Kosovën. Por, nuk jam i sigurt nëse Beogradi do të mund t’i bindë serbët e Veriut të Kosovës, që ta pranojnë këtë marrëveshjes edhe nëse e bëjnë përpjekjen maksimale. Sidoqoftë, ata do të jenë në gjendje të mos e paguajnë stafin policor dhe gjyqësor në territorin e Kosovës.

Express: A është kjo marrëveshje në pajtim me Kushtetutën e Kosovës pasi analistët, partitë politike po thonë se e drejta e serbëve për të propozuar emra të komandantëve të policisë dhe për të pasur Gjykatë në Veri e shkel Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ?

M. Prelec: Unë nuk jam avokat kushtetues, por nuk shoh diçka që e shkel Kushtetutën e Kosovës, përveç ndoshta një pjesë të pikës 9 që duket se kërkon që komandanti i policisë për Kosovën veriore të jetë serb. Kjo, me gjasë shkel edhe Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut, dhe duhet të hiqet. Mjafton që të ketë komandant rajonal, të zgjedhur nga një listë e ngushtë e propozuar nga kryetarët e komunave. Kjo është mjaftë e ngjashme me provizionin ekzistues në ligjin e Kosovës që rrjedh nga Plani i Ahtisaarit.

Express: Ka opinione se tani e tutje Prishtina dhe Beogradi do ta ndajnë sovranitetin mbi Veriun?

Mobi Casa

M. Prelec: Përkundrazi, nëse implementohet marrëveshja, ajo do ta vendosë sovranitetin e Kosovës në krejt territorin e Kosovës përfshirë edhe komunat veriore. Kjo është edhe arsyeja pse popullata atje po e kundërshton marrëveshjen.

Express: A shihni ju në këtë marrëveshje një Republika Srpska ose autonomi për serbët e Kosovës?

M. Prelec: Marrëveshja nënkupton implementimin e Planit Ahtisaari në Kosovën Veriore, siç është implementuar gjithkund tjetër, i vetmi dallim që e shoh është vendimi për të vendosur një degë të Gjykatës së Apelit në Mitrovicën Veriore. Me ligjin e Kosovës, për Gjykatat, secila përbërje e gjykatave duhet të reflektojë përbërjen etnike të popullatës, kështu që kjo degë duhet të ketë shumicë serbe. Është një formë shumë më e ulët e vetëqeverisjes që ekziston në Republika Srpska dhe është më e ulët po ashtu se ajo çka mund të gjeni brenda shumë shteteve anëtare të Republika Srpska.

Express: Disa po thonë se ky është fundi i Kosovës multietnike. A është e vërtetë kjo?

M. Prelec: Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është e shkruar në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet për këtë janë të qarta, për shembull përdorimi i gjuhës serbe në shenja në krejt territorin e Kosovës. Kjo nuk duhet të ndryshojë, e as që duhet marrëveshja të ketë ndonjë efekt në përbërjen ekzistuese etnike në Kosovë.

Express: A mendoni se pas kësaj marrëveshjeje, tani ka më shumë argumente që 5 vendet e BE’së që nuk e kanë njohur pavarësinë, ta bëjnë këtë?

M. Prelec: Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën duhet ta bëjnë këtë sa më parë që është e mundur. Por, njohja është e drejtë sovrane dhe pesë shtetet e BE’së që nuk po e njohin Kosovën, ende kanë vërejtje reale që Serbia ende nuk e ka dhënë pajtimin e saj për pavarësinë e Kosovën. Disa insistojnë që në këtë parim se gjithmonë nevojitet pajtimi e disa tjera brengosen për integritetin e tyre territorial. Pres që një ose dy shtete të BE’së ta njohin pavarësinë në një të ardhme të afërt, por jo të gjitha. Disa, sipas të gjitha gjasave, do të presin derisa Beogradi t’a japë dritën e gjelbër.

Express: Serbia ia doli të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera. Kjo çështje nga disa diplomatë ishte përmendur si një kusht për Serbinë…

M. Prelec: Me sa e di unë çështja e anëtarësimit në OKB, ishte ngritur vetëm në minutat e fundit të bisedimeve. BE ndoshta do të insistojë në këtë çështje, në të ardhmen, është vështirë të imagjinohet që shtetet anëtare të BE’së do të pajtohen për anëtarësimin e Serbisë derisa Kosovës mbetet jashtë OKB’së

Express: Si e shihni të ardhmen e dialogut, çka prisni më shumë nga ky proces?

M. Prelec: Pyetja kryesore tani është se çka do të bëjnë njerëzit në Veriun e Kosovës. Është e qartë se ata e urrejnë marrëveshjen, i frikësohen Prishtinës dhe ndihen të tradhtuar nga Beogradi. Ata e dinë se çka nuk duan, por ende nuk e dinë se çka duan dhe çka duhet të bëjnë. Mendoj se ata duhet të marrin më shumë përgjegjësi tash pasi Beogradi i ka çuar duart nga ta. Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do ta vazhdojë në një formë për shumë vjet derisa të ketë normalizim të plotë ndërmjet dy palëve, por është vështirë të parashikohet se çfarë se sa shpejtë dhe se në çfarë rruge do të shkojë.