Veseli: Varret e Reçakut presin drejtësi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se drejtësia duhet të flasë për krimet e Serbisë në Kosovë dhe në Reçak.
Në fjalimin e tij në Akademinë Përkujtimore për Masakrën e Reçakut, Veseli tha se ata që kanë urdhëruar Masakrën e Reçakut janë ende të lirë, raporton “Zeri.info”.
“Ne kurrë nuk do ta harrojmë Reçakun. Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Reçakun. Krimi nuk vjetërohet, e as kërkesa e domosdoshme për drejtësi. Ne nuk do të ndalemi kurrë. Për hir të respektit për viktimat e pafajshme të 15 janarit. Për hir të të ardhmes së fëmijëve të Reçakut dhe të gjithë fëmijëve të Kosovës që të rritën në paqe e të sigurt si gjithë fëmijët e botës së lirë. Për hir të drejtësisë ndërkombëtare. E them ndërkombëtare, sepse, nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare pa u vendosur drejtësia për Reçakun, e për sa e sa masakra tjera të kryera në Kosovë gjatë luftës. Masakrat serbe mbi njerëzit tonë do të dënohen, s’bashku me këtë edhe kryesit dhe urdhëruesit e tyre do të dalin para drejtësisë. Shteti i Kosovës, institucionet gjegjëse nuk do të lënë veprim pa ndërmarrë që t’i shkohet deri në fund holokaustit kundër shqiptarëve!”, ka thënë Veseli. /ZËRI/