Veseli: Shumë shpejt FSK do të bëhet ushtria e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot kazermën e FSK-së në Mitrovicë, ku takoi pjesëtarët e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, të cilat ditë më parë fituan medaljen e artë në garën ushtarake, më sfiduese dhe më prestigjioze në botë “Cambrain Patrol”, të mbajtur në Britani të Madhe.
Në fjalën e tij Veseli ka thënë “FSK-ja është gati dhe shpejt do të bëhet Ushtria e Kosovës. Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë nacionale, rajonale dhe më gjerë. Shpejt do ta kemi këtë ushtri, partnere të denjë të Aleancës Veriatlantike, emblemë krenare të Kosovës së zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian”.
Më tej kryeparlamentari Veseli shprehu se ky sukses i këtyre djemve, bashkë me komandanten e kontigjentit, Manusheqe Nura, e ka nderuar shtetin e Kosovës, Forcën e Sigurisë së saj dhe të gjithë qytetarët e vendit.
“Manushaqe, Ismail, Fiton (djali i dëshmorit të UÇK-së, Isa Kastrati), Feti, Mensur, Valon, Kushtrim, Qemajl, Fatmir, Daut, Liridon, Nexhip, Agim, faleminderit. Krenohemi me ju. Ju jeni argument më i qartë se ardhmja jonë është e sigurtë. Ju premtoj se këtë krenari do ta kthejmë në përgjegjësi të shtuar për të punuar që suksesi juaj të pasohet nga shumë suksese tjera në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe shtetit tonë”, theksoi kryetari Veseli.
Veseli gjithashtu nënvizoi se ky partneritet me BE dhe SHBA u rrit në ditët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithmonë do të mbetet vlerë themelore e popullit dhe shtetit tonë të pavarur e sovran.