Veseli: Po futemi drejt një situate të re, do të marrim masa konform Rregullores

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se do të vazhdojnë përpjekjet për komunikim me opozitën, por paralajmëroi se do të jenë të vendosur dhe do t’i ndërmarrin të gjitha masat konform Rregullores për të siguruar vazhdimin e punës në Kuvend.Veseli këto komente i bëri pas mbledhjes disa orëshe të Kryesisë së Kuvendit.
Ai tha se zëri i popullit, rrjedhimisht Kuvendit nuk do të mund të ndalet as me gaz lotsjellës.
“Më vjen keq për ato pamje dhe shpresoj se më nuk do të ndodhin. Po futemi drejt në situate të re që do të dëshmoi se cila ishte më e rëndë, sfida e lirisë apo e menaxhimit…”, tha Veseli.
Ja deklarata e plotë e Veselit
Thirrja për dialog, komunikim, debat dhe vendimmarrje demokratike në Kuvend, po aq sa dhe thirrja për respektimin e rregullave dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, nuk po pranohet nga opozita.
Tërë ky tension, deri tani, është mbajtur në Kuvend, për arsye shtetërore dhe shmangien e konfrontimeve.
Por, po shihet se kjo nuk po mirëkuptohet nga opozita.
Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare.
E dimë gjendjen e krijuar dhe synimet e opozitës. Argumentet e saj janë të padrejta dhe të paqëndrueshme.
Kuvendi është vendi ku ata duhet të shprehin çdo pakënaqësi dhe kundërshti të tyre, në mënyrë demokratike dhe jo me veprime joligjore. Sjellja e deritanishme e tyre po e cenon këtë mundësi dhe ngulfatë demokracinë!
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ekziston një shumicë parlamentare, e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kjo është legjitime, nga e cila ne nuk do të heqim dorë.
Pretendimi i opozitës për të vepruar në emër të popullit, pa e pyetur popullin, është pretendim jodemokratik dhe cenim për rendin kushtetues në Kosovë.
Gjendja e krijuar nuk është për faj të Kuvendit të Kosovës, jemi të vetëdijshëm se as nuk do të zgjidhet vetëm në Kuvend.
Ftojmë të gjithë akterët politikë, moral dhe institucional që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës dhe funksionimit normal të institucioneve.
Unë, si Kryetar i Kuvendit, bashkë me Kryesinë e Kuvendit, si deri më sot, do të përdorim gjithë autoritetin tonë denjësisht për të siguruar punën normale në Kuvend.
Për këtë qëllim, do të vazhdojmë përpjekjet në komunikim me opozitën për thirrje të arsyes dhe respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit, por edhe jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme, konform rregullores së Kuvendit, për ecurinë normale demokratike të punës tonë në Kuvend!
Këtë e kemi obligim kushtetues!
Kuvendi i Kosovës është zë i popullit të Kosovës dhe këtë zë kurrë nuk kanë mundur, as nuk do të mund ta ndalin
kërcënimet dhe gazi lotsjellës.
I falënderojmë qytetarët e Kosovës për sjelljen dinjitoze që po tregojnë në vazhdimësi, dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë të jenë të sigurt për funksionimin e shtetit të tyre, që me aq sakrifica, të gjithë bashkë, e kemi arritur, edhe me përkrahjen dhe partneritetin ndërkombëtar. /Telegrafi/