Veseli godet ashpër pseudo komandantët

Kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili ka qenë njëri ndër figurat kryesore në hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mohuar që listat e veteranëve të luftës të jenë fryrë nga komandantët.
Këtë gjë, sipas tij e kanë bërë kryekëput pseudo komandantët dhe pseudo luftëtarët.
Prandaj, siç ka thënë ai, nuk është e drejtë që abuzimi me lista t’u faturohet luftëtarëve të vërtetë.
Në emisionin “Euro Tribuna” në Tribuna Channel, Veseli ka deklaruar se nuk është e drejtë që të lëndohen veteranët dhe të shikohen me urrejtje vetëm pse i marrin 170 euro në muaj.
Turpin, sipas tij, duhet ta bartin vetëm abuzuesit me lista.
“Nuk është mirë më të lëndohen veteranët dhe çështja e numrave të rritur nuk është abuzim i veteranëve, është abuzim i pseudo veteranëve. Pse luftoi ai për 170 euro? Nuk është mirë të luhet në këtë fatkeqësi. Askush mos të mendoj se duke e bërë problem çështjen e numrit të veteranëve të abuzojë me veteranët e vërtetë. Është e vërtetë se ka rritje, fryrje të numrit ndoshta të veteranëve. Mund të ketë edhe abuzime, por nuk janë luftëtarët e UÇK-së ata që e kanë bërë këtë abuzim. Janë pseudo luftëtarët ata që po vazhdojnë të abuzojnë”, tha Veseli.