Veseli: Flamuri është i shenjtë, opozita s’ka të drejtë ta keqpërdor për interesa politike

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot pas mbledhjes së Kryesisë ku u caktua data e seancës së ardhshme parlamentare, ka folur edhe për protestën e opozitës e caktuar për t’u mbajtur më datë 28 nëntor.
Ai këtë veprim të opozitës e ka quajtur pafuqi të tyre, të cilët po keqpërdorin një datë të shenjtë për interesa politike, si ajo e Ditës së Flamurit.
“Unë jam shqiptar. Jam ish luftëtar i lirisë. Janë me mijëra njerëz të kësaj toke që janë varrosur me flamur kombëtar. Veç askush nuk ka të drejtë që 16 vjet pas lute të marrë primatin e gjërave të shenjta dhe t’i përdor ato për qëllime politike. Nuk e donë ata më shumë flamurin se sa ti edhe unë. Protesta e caktuar më 28 nëntor nuk është datë e zgjedhur mirë. Përkundrazi, tregon pafuqinë e tyre”, tha ai.
Veseli nuk e ka lënë pa e përmendur edhe flamurin e Kosovës, të cilin një pjesë e opozitës nuk e pranon.
Ai ka thënë se edhe ai është i shenjtë, sikurse flamuri kombëtar.
“Flamuri kombëtar është i shenjtë, siç është i shenjtë edhe flamuri i Kosovës prej 17 shkurtit 2008”, ka thënë Veseli, raporton lajmi.net.