Veseli do seancë të veçantë për temat e ngritura nga opozita
Kryesia e Kuvendit nuk pritet t’i kthehet agjendës së rregullt legjislative përderisa nuk ka shenja se opozita do të zmbrapset nga bllokada. Burime të gazetës brenda Kuvendit kanë thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli planifikon që gjatë javës t’u dërgojë ftesa publike liderëve të partive politike për të organizuar një seancë të veçantë në të cilën do të diskutohej vetëm për temat e ngritura nga opozita – Asociacionin me Serbinë dhe Demarkacioni me Malin e Zi.
Që prej “seancës së vezëve”, kur kryeministrit Isa Mustafa iu pamundësua raportimi për marrëveshjet e Brukselit, opozita ka refuzuar kthimin e këtyre temave në kuvend, duke kërkuar vetëm tërheqjen prej marrëveshjeve ose dorëheqjen e kryeministrit. Ndërkohë opozita nuk ka penguar mbajtjen e tri seancave solemne, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pas seancës në të cilën u miratua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe u mbajtën fjalimet para deputetëve të Kuvendit, e Komisionarit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe presidentit austriak Heinz Fischer, Kryesia ka gjasa ta thërrasë edhe një seancë tjetër solemne. Por vetëm, nëse Kosova do të anëtarësohet në UNESCO. Kështu ka paralajmëruar Veseli të dielën kur hapi hollin e Kuvendit të Kosovës për vitrinën arkeologjike të Muzeut të Kosovës.
http://koha.net/?id=27&l=83382

