ZN

Veseli debuton me MAN UTD

/ 2 minuta lexim
ZN

Frederic Veseli ka debutuar me ekipin e parë të Manchester Unitedit. Mbrojtësi kosovar ka luajtur gjatë gjithë pjesës së parë të ndeshjes miqësore, në të cilën skuadra e tij e mposhti me rezultat 1:0 ekipin afrikan AmaZulu, falë një goli që e ka shënuar italiani Frederico Macheda në minutën e 20-të të takimit.

Kjo miqësore është zhvilluar të mërkurën mbrëma në Durban të Afrikës së Jugut. Veseli ishte titullar, duke luajtur përkrah Rio Ferdinadit deri në minutën e 46-të, kur është zëvendësuar nga Vermijl.

Në fakt, menaxheri i gjigantit anglez, Sir Alex Fergusonit, kishte vendosur ta ftonte edhe kosovarin 19 vjeçar në mesin e 22 futbollistëve, me të cilët të hënën udhëtoi drejt Afrikës së Jugut, për të marrë pjesë në një turne, i cili skocezit do t’i shërbejë për ta përgatitur sa më mirë ekipin për edicionin e ri garues të Premierligës dhe për t’i shikuar nga afër cilësitë e disa futbollistëve të rinj siç është Veseli – me pasaportë zvicerane.

ZN

Ferguson nuk ka mundur të llogaritë në disa futbollistë kyç, të lodhur nga ‘Euro 2012’, pjesëmarrës në ‘Londra 2012’, por edhe të lënduar. Andaj kishte vendosur që ato mungesa t’i mbulojë me lojtarë më të rinj, të cilët nuk kanë hapësirë të mjaftueshme gjatë sezonit.

Pra, Veseli është njëri nga pesë mbrojtësit e ftuar përkrah katërshes Ferdinand, Blackett, Vermijl e Wootton.

19 vjeçari i ishte bashkuar ekipit të Fergusonit gjatë dimrit të kaluar nga Manchester City.