RCCOLA

Versioni i Palit

/ 16 minuta lexim
RCCOLA

Mimoza Kusari po vazhdon të sillet sikur kalimtare e rastit në raport me Gjakovën. Pavarësisht iniciativave qeveritare aeroporti do të mbetet i gjakovarëve. Është e vërtetë se 280 hektarë tokë janë rikthyer në pronë komunale. Por, nuk ka pasur asnjë keqpërdorim. Kryetari i Komunës së Gjakovës, Palë Lekaj flet për Express.

Express: Çka po ndodhë me aeroportin civil të Gjakovës. Patët një përplasje tjetër me Ministren e Tregtisë, Mimoza Kusari – Lila, e cili inicioi bartjen e kompetencave të këtij aeroporti te Qeveria…

P. Lekaj: Sa i përket këtij aeroporti, ne si komunë kemi kryer të gjitha obligimet, që janë në kompetencë dhe në përgjegjësi të komunave. Meqë ka prona private brenda aeroportit, iu kemi drejtuar Agjencisë të Privatizimit në vitin 2009, për shpronësim të pronave prej 50 hektarëve dhe deri më tani s’kemi marrë asnjë përgjigje. Kur ka dalë privatizimi i aeroportit të Prishtinës, ka qenë opsion të privatizohet edhe aeroporti i Gjakovës – ne i kemi bërë disa kërkesa dhe sugjerime, duke filluar nga ish-Presidenti Sejdiu, më 28 gusht 2009, ku kemi kërkuar që të mos përfshihet në privatizim aeroporti i Gjakovës.

Në të njëjtën datë iu kemi drejtuar edhe MTPT’së, ish-Ministrit Limaj dhe Kryeministrit Hashim Thaçi. Edhe në planin zhvillimor urban dhe komunal, Gjakova e ka përfshirë si pikë të rëndësishme, se ky aeroport duhet t’i lihet Komunës së Gjakovës. Pasi aeroporti është nën menaxhimin e KFOR’it italian, prej meje është kërkuar që japim një version të qartë se si mund të jetë në të ardhmen ky aeroport. Ne kemi kthyer përgjigjen dhe kemi thënë se aeroporti mund të jetë civil, komercial ose aeroport i përzier ushtarako-civil që janë praktikë e vendeve të ndryshme…Ata më kanë vënë në dijeni se ky aeroport do t’i lihet në përgjegjësi Komunës meqë ne vetëm e kemi pronën komunale, por jemi interesuar edhe për pronën private meqë ajo është e shenjtë.

Express: Pse reaguat aq ashpër duke konstatuar se Qeveria po përgatitet për të grabitur pronën e gjakovarëve?

P. Lekaj: Është e vërtetë se ne kemi një Qeveri, por dihet se është në interesin e Komunës së Gjakovës dhe të gjithë qytetarëve të Gjakovës që kjo pronë të jetë nën kompetencë të komunës së Gjakovës dhe assesi ndryshe. Këtë aeroport e shohim si pikë të zhvillimit ekonomik lokal. Të gjitha përgatitjet janë bërë që kjo të ndodh. Mirëpo, kjo duhet të ndodh pas largimit të KFOR’it italian meqë Qeveria italiane ka investuar dhe është ekskluzivisht nga Qeveria italiane që ka komunikuar me Komunën e Gjakovës.

Express: Duket se Mimozën do ta keni prapë kundër-kandidate për Kryetare të Gjakovës?

P. Lekaj: Kjo nuk më shqetëson fare. Gara është garë. Pa marrë parasysh se kush do të kandidojë, unë e di që garën e parë e kam fituar dhe është shumë vështirë që të dytën të ma fitoj dikush prapë. Prandaj, jam mjaftë i vendosur që me punën time, me ndershmërinë time, qytetarët e kanë thënë dhe prapë do ta thonë fjalën e tyre. Edhe në fushatën me Mimozën e kam thënë dhe tash prapë po e them se Kryetari Lekaj do të qeverisë edhe katër vitet e ardhshme me Gjakovën.

Express: Megjithëkëtë, pas betejës në Gjykatën Kushtetuese me Kandidaten e AKR’së, Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka folur publikisht fjalë të mira për Mimoza Kusarin?

P. Lekaj: Pa marrë parasysh këtë, Lideri gjithherë i vlerëson njerëzit dhe unë nuk kam fjalë të keqe për askënd. Vetë fakti se unë kam fituar me një diferencë prej shtatë mijë votave dhe që e ka vërtetuar edhe Gjykata Kushtetuese, mendoj që jam Kryetari më legjitim në Kosovë. Në rastin tim janë ndjekur të gjitha procedurat dhe ankesat e Zonjës Kusari-Lila. Në këtë drejtim më vjen mirë që Lideri ka pas fjalë të mira. Mirëpo, çdoherë humbësit kanë fjalë dhe ankesa. Prandaj, unë nuk mund t’ju them qytetarëve që ta votojnë zonjën Mimoza Kusari-Lila.

Express: Me Ministren e Tregtisë keni pasur edhe një përplasje për ndërtimin e një Qendre Inovative?

P. Lekaj: Vetë përplasja ka qenë se unë e respektoj Ligjin dhe kjo është dëshmuar dhe vlerësuar edhe nga organet kompetente. Sikur të ishte ndryshe, zonja Mimoza Kusari – Lila nuk kishte aplikuar për leje dhe është dëshmuar se pas gjithë atij projekti dhe asaj që quhet aplikim me komunën se unë kam pasur një marrëveshje dhe e kam sqaruar. Pas tre muajve është marrë leje e ndërtimit dhe asnjë telashe nuk e ka pasur. Prandaj, kam pasur të drejtë dhe e drejta është në anën time.

Express: Pse e keni kthyer ju dhe z. Kusari në personale raportet e juaja në raport me punët e Komunës dhe Qeverisë?

P.Lekaj: Jo asnjëherë unë nuk kam inate personale në raport me punën që bëjë në Komunë. Jam Kryetar i njërës prej komunave më të rëndësishme të Kosovës – Gjakovës – dhe asnjëherë çështjen e institucioneve nuk e kthej në inate personale. Përkundrazi, mundohem që të jem korrekt edhe me Qeverinë, e sidomos me Mimoza Kusari – Lila. Por, mund ta them se shumë pak për këto katër vite zonja Kusari-Lila ka bërë për Gjakovën. Është investimi i parë prej 200 mijë eurosh dhe mendoj se ka qenë në pozitë shumë më të favorshme se sa Kryetari i Komunës sepse ka qenë pjesëtare e Qeverisë, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Zëvendëskryeministre që ka mundur të bëjë shumë të mira për Gjakovën dhe Kosovën. Po e përsëris se Mimoza Kusari – Lila është një zonjë që e ka një bindje zhvillimin ekonomik poetik. Prandaj, në këtë drejtim çdo koment është i tepërt.

Express: Ajo veç e ka bërë hapin e parë drejt kandidaturës për ta udhëhequr Gjakovën?

P. Lekaj: Më vjen mirë që zonja Kusari-Lila sado që ka udhëtuar me aeroplan dhe ka qenë çdoherë në vizita nëpër shtete të botës dhe nuk e ka tërheq mendjen prej aeroplanit që prapë të kandidojë për Gjakovën. Nuk e kam thënë rastësisht se ka qenë një kalimtare e rastit dhe do të mbetet prapë vetëm një kalimtare e rastit.

Express: A keni bërë ndonjë analizë se ku gaboi Lideri i AAK’së që pas kthimit nga Haga nuk u bë Kryeministër?

P. Lekaj: Nuk jam prej atyre që merrem me analiza të partisë. Por, z. Haradinaj e ka ofruar vetën për qytetarët se është e vetmja alternativë për të qeverisur vendin. Kjo nuk ka ndodhur dhe z. Haradinaj nuk ka humbur asgjë. Kryetari i AAK’së për çdo ditë po merret me partinë, me qytetarët dhe mendoj se ka një qasje shumë të drejtë dhe është e vetmja alternativë për të qeverisur me Kosovën.

Express: Të kthehemi te problemi i fundit në komunën tuaj. Fjala është për tjetërsimin e 130 pronave. Kush ka gisht në këtë tjetërsim?

P. Lekaj: Së pari duhet të bëhen disa dallime. Për të shkruar për tjetërsimin e pronave duhet ta dini Ligjin për pronën dhe Ligjin për vetëqeverisjen lokale. Dhe, asnjë moment dhe asnjë nen të këtyre ligjeve nuk jep mundësinë që Kryetari i Komunës të jep apo tjetërsojë pronën. Ajo që ka ndodhur me Gjakovën dhe që unë jam krenar me këto vite që i kam: Komunës së Gjakovës iu janë kthyer 280 hektarë me vendimin e këshilltarëve komunal sepse kanë qenë prona komunale. Ato kanë qenë në shfrytëzim të ERENIK’ut. Edhe këtu ju bëj thirrje të gjithë kompetentëve, duke filluar nga kreu i prokurorisë së shtetit që të merret me këtë çështje, duke filluar nga të gjitha organet kompetente vendore. Unë mendoj se nuk ka asnjë argument që 130 prona janë tjetërsuar. Nëse e marrim vendimin e fundit të Kuvendit Komunal kanë qenë prona të ERENIK’ut që janë dhënë në vitin 1958 dhe janë dhënë në shfrytëzim kësaj kompanie. Kuvendi Komunal e ka marrë një vendim publikisht dhe ai vendim ekziston. Ne po presim të vërtetohet se a kemi pasur të drejtë, por ne nuk po e tjetërsojmë pronën prej pronës publike te personat fizikë-privat. Këtë duhet ta dijë çdo qytetarë dhe për mua është absurditet që nëse dikush nuk i njeh dhe nuk e konsulton ligjin dhe del me shkrime të tilla. Ju e keni parë se vetëm për tri ditë ka pasur “copy – paste” dhe asgjë më shumë.

Express: Pse i bletë të gjithë ekzemplarët e Gazetës Zëri në ditën kur raportoi për tjetërsimin e pronave?

P. Lekaj: Është për të ardhur keq kur 50 ekzemplarë të “Zërit” vijnë në Gjakovë dhe ata ekzemplarë nuk shiten asnjë ditë. Prandaj, nuk më ka shkuar ndërmend asnjëherë të bëjmë një veprim të tillë. Ne nuk po jetojmë në kohën e territ informativ. Jetojmë në kohën e internetit dhe mundësive të pakufishme për t’u informuar. Sot, mundësitë për t’u informuar janë shumë të mëdha. Vetëm shikojeni sa portale janë, sa njerëz kanë facebookë dhe është absurditet të atakohet një Kryetar se ka ndaluar informimin e qytetarëve duke i blerë të gjithë ekzemplarët e një gazete.

Mobi Casa

Express: Pse reaguan aq keq zyrtarët e përfshirë në këtë rast?

P. Lekaj: Nuk kanë reaguar zyrtarët. Unë kam thirrur zyrtarët dhe nuk kam dashur të lë vakum dhe huti në këtë drejtim. Këtë e kam bërë sepse qytetarët më njohin mirë. Ne kemi reaguar sepse asnjë dokument nuk ka për atë që është shkruar. Unë jam i thirrur për të mbrojtur pronën komunale.

Express: Por, pse u kërcënua autorja e tekstit për tjetërsimin e pronave?

P. Lekaj: Më besoni se ajo që është e vërtetë është se unë kam biseduar me gazetaren para se të publikohet shkrimi në gazetë. I kam thënë gazetares që të vjen dhe të argumenton me vendime. Nëse del me një vendim që z. Lekaj ka marrë një vendim me datën kaq, ditën kaq ka tjetërsuar pronën, por ajo ka shkruar me thashetheme dhe nuk ka marrë asnjë informatë në Drejtorinë e Urbanizimit. As te avokati publik nuk ka marrë informata të sakta. Unë i kam thënë gazetares se jam i gatshëm t’ia sqaroj të gjitha dilemat e ngritura. Nuk di nga i ka marrë ato burime, të cilat i citon, por mua asnjëherë askush as organet e hetuesisë vendore dhe as ndërkombëtare nuk më kanë thirrur për këtë çështje. Kurrë në jetën time nuk jam ftuar nga hetuesia për ndonjë çështje dhe këtë mund ta vërtetoni si në Policinë e Kosovës ashtu edhe në EULEX.

Express: Edhe organizatat e gazetarëve reaguan dhe thanë se ju po bëni presion mbi punën e gazetarëve?

P. Lekaj: Asnjë presion nuk është bërë. Nuk e kam natyrën time të bëjë presion sepse edhe me profesion jam mjek. Asnjëherë nuk i kam ikur drejtësisë dhe jam për ta ndihmuar drejtësinë. Nga këtu iu bëjë thirrje të gjitha mediumeve le të vijnë në Gjakovë dhe të hulumtojnë çfarëdo rastesh qofshin ato. Unë i kam thirrur edhe kompetentët që të merren më të gjitha rastet. Por, të dalësh pa kurrfarë argumenti, pa asnjë vulë, pa asnjë diçka që e atakon një Kryetar, që për këto vite ka qenë Kryetari më i suksesshëm…. Komunës nuk i kam marrë asgjë, por ia kam shtuar 280 hektarë tokë. Prandaj, të dalësh me këso akuzash është e paqëndrueshme dhe e papranueshme për mua. Koha do ta tregoj se unë kam të drejtë. Askush nuk duhet të frikësohet nga drejtësia. Unë do te ndjek të drejtën time ligjore. Askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar dhe as i rrezikuar pse dikush kërkon drejtësi nga Gjykata dhe vendimet gjyqësore. Sikur zyrtarët komunal, sikur politikanët që përgjigjen për veprimet e tyre, edhe gazetarët duhet të përgjigjen për shkrimet e tyre. Jam pro asaj që Gjykata ta thotë fjalën e fundit dhe askush nuk duhet ta shoh këtë si kërcënim, por si shfrytëzim të rrugëve ligjore për të zbardhur të vërtetën.

Express: Por, fakti është se këto prona janë tjetërsuar?

P. Lekaj: Janë 238 hektarë që kanë qenë prona të ERENIK’ut dhe kanë qenë në shfrytëzim të përkohshë. Ne kemi shfrytëzuar të drejtën tonë që të jenë prona komunale. E kemi marrë një vendim në bazë të qeverisjes lokale që i vetmi organ kompetent është Asambleja Komunale. Këto prona nuk i kemi quar në shtëpi. Në këtë drejtim mendoj se çdo spekulim është i papranueshëm. Unë kam kërkuar edhe pronat e kazermës së ish-APJ’së, të cilat në vitin 1933 e kanë marrë në shfrytëzim t’i kthehen Komunës. 15 hektarë tjerë janë kthyer në prona komunale. Gjithë kjo është bërë me ndershmërinë më të madhe. Prapë insistoj se nëse Kryetari i Komunës ka përvetësuar ndonjë pronë komunale ose publike për vetën time, për rrethin tim, për dikë, atëherë është akuzë që duhet të përgjigjem. Por, nëse e rikthen pronën, e shton pasurinë komunale çka ka të keqe këtu?

Express: A ka përfituar ndonjë zyrtarët i komunës me këto përvetësime?

P. Lekaj: Jo.

Express: Ju garantoni për të gjithë zyrtarët e Komunës së Gjakovës?

P. Lekaj: Unë garantoj vetëm për vetën time. Mendoj se është e natyrshme për përgjegjësitë e mia. Janë Drejtoritë përkatëse dhe unë nuk garantoj për askënd. Por, për vendimet e mia garantoj dhe i ftoj të gjithë kompetentët në fjalë që të merren me këto çështje. Mendoj se këto gjithçka sqarohet.

Express: Megjithëkëtë, aty citohet një vendimi i Kuvendit Komunal i viti 2001 se asnjë pronë e ndërmarrjeve nuk duhet të tjetërsohet në pronë komunale?

P. Lekaj: Ky është një vendim i Bordit të atëhershëm që unë nuk kam qenë në pozitë. Jam prej vitit 2007. Kur është marrë vendimi tjetër që “Haus Compani” që është marrë me pronat publike që është e pakuptimtë, është marrë vendim dhe ato janë bërë organe komunale. Prandaj, cka ka këtu. Unë nuk kam punuar me vendim të vitit 2001. Në këtë drejtim prapë duhet ta njohësh natyrën dhe ligjet ekzistuese. Ne kemi punuar edhe udhëzimin administrativ të UNMIK’ut 2000/35. Tash, kemi Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, të cilat saktësojnë të gjitha kompetencat e organeve komunale.

Express: Për këto tjetërsime ka pasur edhe vendime gjyqësore. Rasti i Kolë Ndrecaj, ku Gjykata në Pejë ka kërkuar t’ia ktheni 76 mijë euro palës së dëmtuar?

P. Lekaj: Është ekzekutuar lënda dhe i ka marrë 118 mijë euro z. Kolë Ndrecaj. Janë paguar nga buxheti i Komunës. Menjëherë ne kemi bërë ankesë dhe presim që vendimi të kthehet në anën tonë pozitivisht pavarësisht se pagesa është ekzekutuar me vendim të gjykatës. Ne kemi argumente të fuqishme se kjo pronë nuk është Palë Lekajt as e Kolë Ndreces, por edhe e Komunës. Dhe, ne po mbrojmë pronën komunale. Ne nuk kemi hequr dorë nga pronat tona komunale pavarësisht interesave të grupeve të caktuara. Ne do t’i shkojmë deri në fund me kthimin edhe të një metri katror që është i komunës.

Express: A ka përfituar ndonjë zyrtarë i komunës tuaj me këto tjetërsime?

P. Lekaj: Unë nuk kam asnjë njohur se ka përfituar. Marrë përgjegjësi vetëm si Kryetar i Komunës për mandatin që e kam. Nuk e marrë mandatin para 2007’së. Ju e dini se ka pasur një hetim në Drejtorinë e Urbanizmit dhe kanë përfunduar të gjitha lëndët. Unë nuk kam pas nevojë të merrem me këto çështje?

Express: Pse s’jeni interesuar çka ka ndodhur deri më 2007?

P. Lekaj: Deri në 2007 jo sepse unë e marrë përgjegjësinë prej vitit 2007 e këtej. Unë nuk dyshoj, por janë organet që janë marrë me këto çështje. Deri më tash askush nuk është dënuar. Sikur të kisha pasur ndonjë dyshim apo informatë do t’i informoja organet kompetente. Sa i përket vendimeve të Kryetarit marrë gjithë përgjegjësitë. Por, për gjithë zyrtarët e komunës unë nuk marrë përgjegjësi.

Express: Edhe në fushatën e vitit 2007 ka pasur akuza për këto tjetërsime?

P. Lekaj: Kanë qenë katër zyrtarë të atakuar që e ka përfunduar punën Gjykata dhe i kanë shpallur të pafajshëm. Unë nuk kam pasur çka të bëjë më shumë.