Vërshohet Vitia, mobilizohen institucionet komunale

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Viti – Shkrirja e borës dhe shiu që po bie në vazhdimësi, ka ndikuar në shkaktimin e vërshimeve në disa pjesë të komunës së Vitisë e sidomos sipërfaqeve bujqësore të fshatrave Skifteraj, Budrik dhe një pjesë e fshatrave Remnik e Radivojc.

Megjithatë, gjendja vazhdon të mbahet nën kontroll pohojnë zyrtarët komunal të Vitisë të cilët gjatë gjithë kohës po qëndrojnë në terren. Problem kryesor po paraqet rrjedha e ujit nga shtrati i Lumit Morava duke përfshirë sipërfaqe të tëra bujqësore.

Nexhmedin Jakupi drejtor i Shërbimeve publike në Viti ka thënë se gjatë ditës së djeshme janë ndërmarrë aksione në hapjen e kanaleve dhe prockave në Viti, Binqë, Kabash dhe nëpër disa lokalitete të tjera. “Gjendja në qytetin e Vitisë është e mirë edhe pse në disa pjesë të qytetit ka depërtuar uji. Zonat më të prekura janë Skifteraj e Budrika ku janë vërshuar sipërfaqe me të mbjella bujqësore”, tha Jakupi.

Ai ka njoftuar se një ekip i kësaj drejtorie sot është duke punuar me ekskavator në hapjen e prrockës në fshatin Remnik, ndërsa dje kanë punuar në Binqë, Kabash dhe në disa pjesë të Vitisë.

Uji Dea

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Veton Ademi, tha se gjendja është e rëndë në pjesën e këtyre fshatrave që janë vërshuar. “Nga ajo që vërejtëm nga inspektimi i gjendjes në terren, konsideroj se dëmi te kultura e patates mund të jetë i madh, ndërsa nuk besohet që do të shkaktoj dëme të mbjellurave me grurë. Vërshimet në këtë pjesë janë evidente për vite të tëra, ndërsa me realizimin e projektit të komasacionit ku Ministria e Bujqësisë e ka përfshirë Vitinë në planin dinamik të komasacionit, besojmë se do të evitohet ky problem me hapjen e kanaleve të cilat po shkaktojnë problem të vazhdueshme”, tha Ademi.

Ai po ashtu bëri të ditur se të martën do të formohet një komision i cili menjëherë do të dalë në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit.

Situata është alarmante edhe më tej pasi që vazhdon të rritet sasia e ujit që del nga shtrati i lumit Morava, si edhe prrockave Gerqarica e Letnica./rajonipress/