UBT

Veriu, “zonë e lirë” për bizneset

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Komunat e banuara me popullatë shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, edhe më tutje nuk aplikojnë asnjë taksë që obligohen me ligj të Republikës së Kosovës, ndërkohë që të tri këto komuna marrin para nga buxheti i Kosovës.

Në raportin e Institutit “GAP”, letërnjoftimi i komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit thuhet se komuna e Leposaviqit, ngjashëm si komuna e Zveçanit dhe ajo e Zubin Potokut, që nga periudha e pas vitit 2000 nuk i kanë konsoliduar organet për mbledhjen e të hyrave komunale. Sipas GAP-it në këto tri komuna nuk paguhet tatimi në pronë, taksat e biznesit si dhe nuk ekziston e rregulluar forma e lëshimit dhe kompensimit të lejes së ndërtimit.

“Nga viti 2000 deri në vitin 2010, kur ka pasur një bashkëpunim të pjesshëm mes këtyre komunave dhe institucioneve të Kosovës të nivelit qendror, dhe asnjëherë nuk është raportuar për ndonjë të hyrë financiare nga këto komuna”, thuhet në raport.

Por, pavarësisht se marrin mjete, e nuk inkasojnë tatime, komunat e banuara me serbë nuk japin as llogari për mjetet që ata i shpenzojnë përmes proceseve jo të rregullta të prokurimit.

Edhe më tutje këto komuna mbeten jashtë llupës së auditorit gjeneral të Kosovës. Në raportin e Institutit “GAP” letërnjoftimi i Komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit thuhet se këto komuna nuk e respektojnë juridiksionin e shtetit të Kosovës dhe nuk i përfillin asnjë nga parimet bazë të qeverisjes lokale të vendit. Sipas GAP-it, shmangia e këtyre komunave nga llogaridhënia dhe përgjegjësia në raport me institucionet e Kosovës ka rrjedhur gradualisht.

Eco Higjiena

“Largimi total ka ngjarë në vitin 2010, dy vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Deri në atë kohë, këto komuna kanë pasur bashkëpunim të pjesshëm me institucionet e Kosovës. Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku deri në këtë periudhë kanë dërguar nga një raport vjetor në Ministrinë e Financave në lidhje me shpenzimet e buxhetit dhe ecuritë tjera financiare. Po ashtu në këto tri komuna është bërë për çdo vit auditimi nga ana e Zyrës se Auditorit të Përgjithshëm”, thuhet në raportin e GAP-it.

Sipas GAP-it pothuajse të gjithë mësimdhënësit serbë në komunat e veriut marrin pagë nga Qeveria e Kosovës, por plan programi i mësimit bazohet në rregullat e caktuara nga Qeveria e Serbisë. Pagën nga Qeveria e Kosovës e merr edhe kryetari i Komunës së Zveçanit dhe ai i Zubin Potokut dhe një pjesë e madhe e administratës komunale në këto komuna.

Në Leposaviq, pagat nga Qeveria e Kosovës i tërheqin vetëm mësimdhënësit serbë, por jo edhe kryetari i Komunës apo administrata komunale. Sipas studimit të GAP-it shihet se asnjë nga dokumentet e lëshuara nga ana e Komunës së Zveçanit nuk përmban logo apo ndonjë shenjë tjetër identifikuese të shtetit të Kosovës. Edhe ueb faqja zyrtare e komunës së Zveçanit mban domenin ‘rs’ (Republika e Serbisë).

Buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës për komunën e Zveçanit në vazhdimësi ka pasur trend të rritjes, ndonëse kjo komunë në tri vitet e fundit nuk ka raportuar për mbledhjen e të hyrave komunale. Në nëntëmujorin e vitit 2012, nga Komuna e Zveçanit nuk është regjistruar asnjë euro e hyrë, ndërsa gjatë tërë vitit 2011 nga Komuna e Zveçanit janë raportuar të hyra në vlerë prej 450 eurove. Këto para ishin mbledhur nga Zyra Lokale për Komunitete në fshatin Lipë nga lëshimi i dokumentacionit civil.

“Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të gjitha institucionet qendrore dhe komunale si dhe agjencitë qeveritare duhet t’i nënshtrohen auditimit financiar së paku njëherë gjatë një viti, si dhe duhet të bëjnë raportim periodik dhe vjetor financiar në departamentet përkatëse në Ministrinë e Financave. Asnjëra nga këto dy kritere bazë të financave publike nuk respektohet nga ana e Komunës së Zveçanit. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm nuk ka qenë në gjendje të bëjë auditimin për Komunën e Zveçanit për vitin 2011 për shkak të refuzimit të tyre për bashkëpunim dhe raportim”, thuhet në raport.(zeri)