Veprat e Ibrahim Kodrës sajojnë Shqipërinë utopike

Prishtinë – Katërdhjetë e nëntë vepra të piktorit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra, paraqesin Shqipërinë çfarë ai dëshironte që të ishte, shkruan sot “Koha Ditore”. Por jo vetëm kaq.
Rubens Shima ka gjetur se vepra e pasur e Kodrës, veç imazheve nga Shqipëria të ruajtura në kujtesën e autorit që krijoi në Itali, pasqyrohen edhe imazhe të “çizmes” së shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. E mbi të gjitha, ato përmbajnë traditën klasike moderniste të fillimshekullit XX, atë të kubizmit.
Në fillim të shekullit XX, edhe vendlindja e Kodrës kishte shpallur Pavarësinë. Festimi i 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje të madhe për shqiptarët, ka sjellë në kryeqytetin e Kosovës veprat e mjeshtrit. Galeria e Arteve e Kosovës është bërë nikoqir i ekspozitës që është hapur mbrëmjen e së martës. Rubens Shima që drejton Galerinë simotër në Shqipëri është kurator i saj. “Shqipëria fantastike” është titull që mban ekspozita. Atë e ka marrë prej veprës të cilën kësisoj e kishte titulluar vetë Kodra, e që e realizuar në vitin 1938, kur ishte vetëm 20 vjeç. Një lahutar buzë lumit, me një peizazh të Tiranës në prapavijë, është piktura e cila ka zënë vend në murin ballor të katit të dytë të GAK-ut. Plot me njerëz është mbushur të martën ky institucion, që veprat e Kodrës i ka vendosur në të dy katet.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, i pari i kulturës në vend, Memli Krasniqi, ka thënë se për nder të 100-vjetorit janë mbajtur me qindra aktivitete kulturore dhe, sipas tij, të gjitha kanë pasur vlera të veçanta.
“Por kjo ekspozitë që po hapet sonte është ndër evenimentet më të rëndësishme dhe më të veçanta kulturore të këtij viti”, ka thënë ministri Krasniqi, teksa ka falënderuar Shimën që ka sjellë në Prishtinë ekspozitën retrospektive.
Por Shima ka thënë se ka pasur kënaqësi kur ka marrë ftesën për të ekspozuar veprat e Kodrës në Prishtinë. Ai ka bërë një vit punë, në kërkimin e vendeve që strehonin veprat e Kodrës.
“Kodra është një artist, i cili ka rënë në ndikime të ndryshme, që nga fillesat e tij deri në shpërnguljen përfundimtare në Milano. Flukse këto të cilat kjo ekspozitë mundohet t’i shpalosë në mënyrë didaktike”, ka thënë Shima. Shqipëria që sjell Kodra nëpërmjet veprave, sipas Shimës ekzistonte vetëm në ëndrrën utopike maestros. “Një Shqipëri që nuk i përkon realitetit të sotëm, një Shqipëri siç ka dëshiruar Kodra që të jetë”.
Edhe GAK-u, edhe Galeria Kombëtare në Tiranë e kishin bërë plan ekspozitën e Ibrahim Kodrës (1918 – 2006) të jetë ekspozita në nderim të 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë pa ndonjë koordinim paraprak. GAK-u, që qysh në janar e kishte paraparë që ekspozitën ta hap në nëntor, nuk e ka parë të udhës që të realizojë një ekspozitë tjetër të Kodrës, teksa kishte kuptuar se Shima veç kishte nisur kërkimet për të kuruar një ekspozitë të Kodrës. Ka qenë i pari i institucionit më të lartë të artit pamor në vend, Erzen Shkololli, që ai që ka shpallur të hapur ekspozitën.
“Kemi këtu 49 vepra, prej asaj që u bë në vitin 1938 deri në vitin 2006, dhe kjo ekspozitë hapet për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë”, ka thënë Shkololli.
Ekspozita përfundon me veprën të cilën Kodra e kishte bërë një javë para se të ndahej nga jeta, më 7 shkurt të 2006-s, në Milano. Për ekspozitën e cila fillimisht ishte hapur në prill të këtij viti në Tiranë, Shimës i ka hyrë në punë jo vetëm koleksioni i Galerisë që drejton, por edhe fondacioni “Ibrahim Kodra” në Itali, koleksionisti Kozma Dashi, si dhe vepra nga koleksione të tjera private. Në Prishtinë janë ekspozuar edhe 4 vepra të Kodrës, të cilat janë në posedim të fondit të Galerisë së Arteve të Kosovës, e që mjeshtri i kishte bërë në mes të viteve 1955-68.
Piktori Faik Krasniqi thotë se shumicën e veprave, që janë ekspozuar të martën, qoftë edhe si shprehje, i ka parë më herët. Por jo ato të krijimtarisë së hershme të mjeshtrit. Mozaikun e krijimtarisë së Kodrës e ka plotësuar të martën.
“Po më lënë përshtypje që po shoh ato të krijimtarisë së hershme të Kodrës, për të cilat kam lexuar, por nuk kam pasur një pasqyrë”, ka thënë Krasniqi. “Si tërësi kjo ekspozitë është e mirë për krijuesit e rinj. Është një shkollë”, ka shtuar ai.
E piktores Zake Prelvukaj, që e njeh mirë Kodrën, ka thënë se i pëlqejnë veprat që ai i ka krijuar gjatë mesit të jetës së tij.
“Kodra ka opus të madh të veprave. Ka shumë vepra që këtu nuk janë parë”, ka thënë Prelvukaj. Për ekspozitën ajo ka thënë se është një perfeksionim i punës gati 100-vjeçare të Kodrës.(koha)