UBT

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më së shumti dëmtoi PDK’në

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Top Channel i kundërpërgjigjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa, pas paralajmërimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës se kjo parti mund të bllokojë me votë në Kuvend ndryshimet kushtetuese, apo edhe mund të bojkotojë sesionin e ri të punimeve të Kuvendit, nëse nuk respektohet marrëveshja politike, sipas së cilës zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen këtë vit.

Sipas kryeministrit Thaçi, zëri i liderit të kësaj partie është zë i shkëputur nga realiteti dhe paralajmërimet për bojkotim të Kuvendit të Kosovës nuk i shërbejnë shtetit.

Madje, sipas tij, nuk mund të sillemi me standarde të dyfishta.

Thaçi thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese më së tepërmi ka dëmtuar politikisht PDK-në.

“Ne nuk mund të sillemi me standarde të dyfishta. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e presidentit Sejdiu ta respektojmë të gjithë, vendimin për rastin Pacolli ta respektojmë të gjithë, ndërsa në anën tjetër, tani, vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta vëmë në kontestim. Mendoj se është sjellje thjeshtë e interesit të ngushtë dhe një veprim inatçor krahas respektimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tek e fundit, dua të them shumë hapur, në mënyrën më të sinqertë para qytetarëve të Republikës së Kosovës, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese më së tepërmi ka dëmtuar politikisht PDK-në, sepse PDK në zgjedhje do ta fitonte presidentin, në zgjedhjet që do të mund të organizoheshin”, ka deklaruar Thaçi.

UBT

Kryeministri Thaçi ka fajësuar LDK-në sepse sipas tij gjithë ky “pështjellim” është sjellë nga kjo parti e cila kërkoi të interpretonte amandamentin për ndërprejen e parakohshme të mandatit të presidentes.

Duke folur për veriun e Kosovës dhe thirrjet e herëpashershme të ndërkombëtarëve që problemi në atë pjesë të zgjidhet qoftë edhe me një dialog politik, Thaçi ka thënë se së pari duhet të ndodhë implementimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve dhe pajtimi arrihet vetëm me një proçes politik.

“Pastaj, natyrisht se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, por edhe pajtimi, arrihet vetëm me një proçes politik. Ne kemi pasur takime politike si shtet edhe me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi. Prandaj, edhe avancimi i kontakteve në nivel të profilit më të lartë politik nënkupton edhe qasje serioze mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve si dy shtete të pavarura dhe sovrane, për t’u integruar sa më shpejt edhe në NATO e BE, të dyja shtetet. Këtë proçes e mbështetin shumë fuqishëm SHBA dhe BE”, ka nënvizuar Thaçi.

Në lidhje me zërat se në vjeshtë mund të ketë një koalicion të ri të partisë së tij, PDK-së, me atë të Ramush Haradinajt, AAK-në, Thaçi ka përseritur se koalicioni aktual është i qëndrueshëm.

Ai thotë se dëshiron që këtë çështje ta mbyllë për një kohë, sepse është vetëm spekulim mediatik, ndërsa ka thënë se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë opozitare, siç ka thënë ai, të vullnetit të mirë.