Vendimet e jashtëligjshme të një qeverie në ikje
Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Tashmë edhe Qeveria Thaçi është e vetëdijshme se i kanë ditët të numëruara dhe ëndrrat e tyre për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme apo thjeshtë për të qenë pjesë e saj janë të kota. Në këto rrethana, njerëzit e kësaj qeverie po marrin vendimet e tyre të fundit të jashtëligjshme, duke shfrytëzuar tërë aparatin shtetëror për të rehatuar edhe ata pak militantë të PDK-së që kanë mbetur të papunë apo për të avancuar e graduar në pozita më të larta militantët e saj pa përfillur asnjë kriter.
Ashtu siç e kanë dëshmuar edhe deri më tani, ministrat e kësaj qeverie nuk njohin konkurse e as kritere të parapara me ligj, kur para vetes kanë për të përmbushur detyrën e punësimit të atyre që të vetmen përvojë pune kanë pasur përkrahjen e këtyre ministrave gjatë fushatave zgjedhore.
Shembujt më të turpshëm të një mentaliteti të tillë uzurpues e primitiv vijnë nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila përgjatë këtij mandatit është përkujdesur për të bërë të kundërtën e asaj për të cilin do të duhej të angazhohej, një imazh më të mirë ndërkombëtar dhe krijim të mirëbesimit me qeveritë dhe institucionet e shteteve tjera. E si mund të bëhet kjo me një personel të shërbimit të jashtëm të stërmbushur me militantë të PDK-së të cilët lëre që nuk kanë përvojën e duhur profesionale, por angazhohen për skandale të njëpasnjëshme dhe degradimin e mëtejmë të imazhit të Kosovës.
Ata tashmë nuk gjenden vetëm në ballinat e gazetave ditore të Kosovës por janë bërë pjesë e pandashme e lajmeve dhe ballinave të gazetave të rajonit dhe më tej. Pasojat e një politike të tillë destruktive të udhëhequr nga mentaliteti primitiv i PDK-së, ka bërë që Kosova sot të mos merret seriozisht nga thuajse asnjë interlokutorë ndërkombëtar dhe sjelljet e diplomatëve tanë, përfshi edhe sjelljen e ‘shefit’ të tyre në Prishtinë, kryediplomatit Hoxhaj, të bëhen objekt talljeje nga kolegët e tyre ndërkombëtarë.
Një situatë aspak më e mirë nuk është as në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e cila qysh me ardhjen në detyrë të ministrit Memli Krasniqi, njëjtë si kolegët e tij të tjerë, ka bërë pikërisht të kundërtën e asaj që do të duhej bërë. ‘Kulturën’ e vetme të cilën e tregoi ky ministër ishte degradimi, largimi nga puna, pezullimi, presioni dhe shantazhi ndaj gjithkujt dhe çdo gjëje që nuk përfaqësonte PDK-në dhe regjimin e saj. Kjo situatë e punësimeve dhe ngritjeve në detyrë po vazhdon me një ritëm të përshpejtuar jo vetëm në këtë ministri, por pothuaj në të gjitha institucionet e tjera shtetërore, me qëllim kryesor rritjen e votës klienetliste. Kapja dhe ngufatja e institucioneve nga regjimi në ikje, përmes instalimit të militantëve partiakë në institucione shtetërore, por edhe disa të pavarura si për shembull RTK, po i shkakton Kosovës dëme të pariparueshme.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma është zotuar se do të shqyrtojë të gjitha punësimet që nga koha e shpalljes së zgjedhjeve të përgjithshme, por jo vetëm. Qeveria e ardhshme do të jetë e pakompromis për çdo punësim që është bërë pa përfillur procedurat e parapara ligjore. Këtë ia kemi borxh jo vetëm mijëra kandidatëve të cilët konkurruan dhe përmbushën kriteret për punësim, por nuk u punësuan sepse nuk kishin librezë partiake të PDK-së, por edhe gjithë atyre të cilët as nuk e morën mundin që të aplikojnë për shkak të humbjes së besimit në institucione shtetërore dhe një procesi fer dhe të paanshëm për të gjithë, pa dallim.
(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)


