RCCOLA

Vegim Gashi në vend të Bedri Hamzës?

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri Hashim Thaçi ia ka miratuar dorëheqjen Bedri Hamzës. Në vend të tij, PDK po mendon ta emërojë Besim Beqajn. Këtë duket se dëshirojnë edhe në AKR, në mënyrë që në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ta vendosin Vegim Gashin. Por, burime të Express thonë se ky skenar ka pak gjasë të ndodhë. Kryeministri po pret përfundimin e Kongresit të Partisë për ta dizajnuar koalicionin me AAK’në e Ramush Haradinajt.

Kryeministri Hashim Thaçi ia ka miratuar dorëheqjen Bedri Hamzës, Ministrit të deritashëm të Financave.

Për këtë ka njoftuar vetë tashmë ish-Ministri të martën, gjatë një konference me gazetarë.

Ai ka thënë se arsyet e këtij vendimi lidhen me çështje familjare dhe dëshira për ngritje në karrierë, duke mos e përjashtuar mundësinë që të garojë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ju e dini se një kohë kam punuar në sektorin privat, që është një sektor që e vlerësoj shumë. Ka disa opsione, unë jam në fazën finale duke marrë vendime për veten time dhe besoj se shumë shpejt do të vendosi dhe do të shoh se në cilin drejtim do të eci. Të jem transparent me juve, ju e dini që është publikuar konkursi edhe për guvernator të Bankës Qendrore, nuk po them që është e vetmja mundësi, por është një nga mundësitë e mundshme ku unë në të ardhmen do të hyj në këtë garë me mundësi për të fituar”, ka thënë Hamza.

Një post tjetër që është përfolur është edhe ai i përfaqësuesit të Kosovës në FMN.

Në ditën kur zyrtarisht vendi nuk ka Ministër Financash kanë filluar të qarkullojnë emra të mundshëm për këtë pozitë.

Burime të Express thonë se Kryeministri Hashim Thaçi aktualisht po shqyrton mundësinë që në këtë pozitë ta emërojë Besim Beqajn, Ministrin aktual të Zhvillimit Ekonomik.

“Besim Beqaj është kandidatura më e mundshme për Ministër Financash”, ka thënë për Express një burim i afërt me Kryeministrin e Kosovës.

Pritje për largimin e Besim Beqajt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka edhe në Aleancën për Kosovën e Re, e cila bashkëqeveris me PDK’në.

Hidromorava

Një zyrtar i lartë i kësaj partie ka thënë për Express se nëse Besim Beqaj shkon në Financa, atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik duhet t’i takojë AKR’së.

“Edhe ashtu ne kemi pasur një marrëveshje me Kryeministrin Thaçi për ta marrë edhe një Ministri. Konsiderojmë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik duhet të na jepet neve dhe për këtë kemi një kandidat serioz për Ministër, ai është z. Vegim Gashi”, ka treguar zyrtari i AKR’së që foli në kushte anonimiteti për Express.

Ndërkohë, zyrtari i afërt me Kryeministrin që foli për gazetën ka thënë të jenë në dijeni të dëshirave të AKR’së, por ai ka thënë se gjasat që kjo të ndodhë janë pothuajse zero.

“Opsioni më i mundshëm është që njëherë për njëherë Kryeministri mos ta emërojë askënd në postin e Ministrit të Financave. Kjo për shkak se ne po presim përfundimin e Kongresit Zgjedhor të PDK’së që të nisim bisedime intensive për mundësinë e përfshirjes së AAK’së në Qeveri”.

Nuk dihet nëse dorëheqja e Bedri Hamzës ka pasur për qëllim pikërisht që t’ia lehtësojë Kryeministrit Thaçi arritjen e një marrëveshjeje me AAK’në e Ramush Haradinajt.

Sido që të jetë, tashmë ish-Ministri në konferencën e organizuar për media ka dhënë arsye tjera të dorëheqjes, derisa ka lavdëruar punën e tij.

Sipas tij, për pesë vite buxheti i Kosovës ka arritur të rritet për 121 për qind. Në këtë drejtim ai ka thënë se Kosova ka pasur pothuajse dyfishim të faturës së pagave, ka pasur rritje të investimeve kapitale nga 155 milionë në fund të vitit 2007 në 550 milionë në fund të vitit 2012.

Këto të gjitha, sipas tij, janë arritur duke e ruajtur atë top prioritetin që e ka thënë vetë Hamza – ruajtja e stabilitetit makro-fiskal.

Sipas tij, nevoja urgjente që ka Kosova është trajtimi i çështjeve sociale, që të punësuarit të kenë paga më të mira, pensionistët të kenë pensione më të mëdha dhe të kenë trajtim korrekt kategoritë e caktuara.

Përveç tij, punën në Ministrinë e Financave shumë shpejt do ta lë edhe zëvendësi i Hamzës, Ramadan Avdiu, i cili e ka të siguruar postin e konsullit në ambasadën e Kosovës në Gjenevë të Zvicrës. Ky i fundit po pret derisa t’ia caktojë qeveria një zëvendës.(express)