Vedat Xhymshiti e paditë MPB
Xhymshiti e ka dorëzuar në gjykatën Komunale të Prishtinës një padi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Arsyeja që e ka shtyrë Xhymshitin t’i drejtohet Gjykatës Komunale ka të bëjë me rastin e protestës së 14 janarit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast i njëjti ishte sulmuar brutalisht nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Avokati, Korab Sejdiu nga “Shoqëria e Avokatëve” dhe njëherësh përfaqësues juridik i gazetarit Vedat Xhymshitit, ka thënë se kjo ka qenë mënyra më e natyrshme e Vedatit si qytetar i Republikës së Kosovës që të kërkojë përgjegjësi nga organet përgjegjëse, që në këtë rast është MPB-ja, por rrjedhimisht edhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Ne jemi përfaqësues juridik të gazetarit Vedat Xhymshiti, për të cilin ju jeni të njoftuar se para disa kohe ka pas një ndeshje gjatë kryerjes së tij të detyrës së fotoreporterit, me ç’rast një polic në detyrë i PK-së ka bërë disa veprime edhe antiligjore edhe antikushtetuese, duke e sulmuar në kryerje të detyrës Vedatin.
Kështu që përgjigjja e natyrshme ka qenë që edhe Vedati si qytetar i Republikës së Kosovës të kërkojë përgjegjësi nga organet përgjegjëse, që në këtë rast është MPB-ja, por rrjedhimisht edhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Gazetari dhe fotoreporteri Vedat Xhymshiti, me këtë rast ka thënë se me anë të padisë kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësisë ligjore të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai mendon se me rastin e 14 janarit të 2012-së, i janë shkelur një mori të drejtash elementare si qytetar i Kosovës dhe si një zyrtar, i cili ishte duke kryer obligimet e tija profesionale, transmeton KosovaPress.
“Unë jam i vetëdijshëm se me këtë padi ne po e sfidojmë Gjykatën Komunale të Prishtinës, dhe shpresoj që ky rast do të trajtohet seriozisht në pajtueshmëri të plotë me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër jam i bindur se faktet argumentuese, të cilat janë në favorin tonë, janë të pamohueshme, janë prova materiale, të cilat ne i kemi deponuar sot dhe shpresojmë në ndarje të drejtësisë, e cila drejtësi do t’i përgjigjet ligjeve në fuqi që janë bazë e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ai.
Gazetari Xhymshiti edhe pse tashmë e ka identifikuar policin, i cili e ka goditur, megjithatë ai deklaron se nuk ka ndërmend të merret me të, por se sipas tij, padia është drejtuar ndaj MPB-së.
“Polici është identifikuar nga inspektorati i Policisë së Kosovës dhe është Faruk Ibrahimi, i cili është edhe shofer i komandës së stacionit policor të Gjilanit dhe i njëjti është duke ushtruar detyrën e tij zyrtare. Por ne në këtë rast kemi bërë padi duke e vënë para përgjegjësisë drejtpërsëdrejti MPB-në dhe Qeverinë e vendit”, ka thënë ai.
Sipas avokatit të gazetarit Xhymshiti, duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Kosovës, polici me veprimet e tij në protestën e 14 janarit ka shkelur nenet, 23, 26 27 40 42 dhe 49.
Xhymshiti është i bindur se Gjykata do të vendos në favor të tij, pasi që llogarit se ka deponuar prova të mjaftueshme, ndër të cilat edhe video-material të xhiruar, që është një nga argumentet faktike të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut dhe të një profesionisti me akreditim ndërkombëtar dhe vendor.