Fundamenti

Vedat Ademi: Sivjet nuk do të jem në festivale

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Një nga këngëtarët më aktivë të momentit, Vedat Ademi, nuk do të marrë pjesë në festivalin e fundvitit në RTSH e as në “Kënga Magjike”.

Në intervistën dhënë gazetës “Shekulli”, Vedati tregon arsyet që e kanë tërhequr nga festivalet dhe planet e afërta muzikore.

Ndërkohë që kanë dalë emrat e fituesve të festivalit “Kënga Magjike” bie në sy mungesa e emrit tuaj. Cila është arsyeja e mospjesëmarrjes?

Nuk kam pasur ndonjë plan dhe as ndonjë këngë të re me të cilën, unë të prezantohesha këtë vit në “Kënga Magjike”.

Përveçse si këngëtar në tregun muzikor keni shkruar edhe mjaft tekste. A keni shkruar një të tillë për këngët që do të prezantohen në festival?

Edhe pse është një nga kompeticionet më të mira të skenës shqiptare, më duhet të them se nuk jam angazhuar fare. Nuk kam bashkëpunuar me asnjë këngëtar dhe nuk kam jam paraqitur me asnjë tekst këtë herë.

Gjithashtu, bie në sy edhe mungesa në festivalin e fundvitit, që organizohet nga RTSH. A po i largohet Vedati, garës mes këngëtarëve shqiptarë?

Jo nuk është kjo arsyeja. Ideja është që unë do të jem në Amerikë me pushime këto kohë dhe prandaj kam vendosur që të mos jem në skenat e festivaleve.

A keni plan për ndonjë projekt në angazhimet tuaja muzikore?

Për momentin po punoj me dy projekte të reja. Njëri prej tyre parashikohej të dilte tani, por për arsye të ndryshme është shtyrë dhe besoj se do të dalin të dy në të njëjtën kohë. Shpresoj se do të dalin në muajin dhjetor. Në janar të vitit që vjen mendoj të hedh në treg një këngë me temë sociale, që prek shoqërinë tonë. Mund të ketë edhe një bashkëpunim shumë shumë shpejt, por ende nuk e kam vendosur.

UBT

Udhëtimi juaj në SHBA-ës përkon me festat e 28-29 nëntorit.Keni marrë ftesë për të qenë pjesë e organizimeve të diasporës shqiptare?

Po, do të jetë një turne në Nju Jork, ku unë jam thirrur për të kënduar. Besojse do të jem edhe në disa shtete të tjera të Amerikës, por për momentinftesat kanë ardhur vetëm nga Nju Jorku.

Në Tiranë ju njiheni më tepër si këngëtari i të kënduarit “live” në lokale të ndryshme apo jo?

Po, është e vërtetë, puna ime kryesore ajo është, por në këtë iniciativë nuk jam vetëm, pasi kam edhe një grup që jo vetëm çdo fundjavë, por duke filluar nga e marta performojmë, duke kënduar në lokale të ndryshme në Tiranë. Fundjava është më e ngarkuar me punë, me lëvizje, me angazhime.

A ka kohë të lirë Vedati dhe si e kalon?

Kohën e lirë e kaloj me bashkëshorten dhe djalin, i cili ende nuk ka mbushur një vit. Më të shumtën e kohës jemi në shtëpi.

Jeni shpërngulur përfundimisht në Shqipëri? Ju mungon Prishtina dhe sa shpesh e vizitoni?

Për momentin jam shumë mirë këtu, sepse këtu e ushtroj edhe profesionin apo pasionin tim. Ne zgjedhim të jetojmë aty ku ndihemi më mirë dhe kjo është një zgjedhje që nuk na pengon. Sigurisht, Prishtina më mungon sepse atje kam familjen dhe shoqërinë. Më duhet të them se jam shumë i lidhur me familjen time. Në fillim e kam pasur pak të vështirë, por në Tiranë u ambientova shumë shpejt. Një herë në tre javë apo në muaj iki dhe rri dy apo tre ditë në Kosovë. Hera e fundit që kam shkuar atje, ka qenë para dhjetë ditësh.

A shikoni një diference mes fansave në Shqipëri dhe në Kosovë?

Nuk besoj se ka diferencë mes fansave shqiptarë dhe kosovarë. Ata janë dashamirës të muzikës që unë këndoj dhe, në tërësi, unë nuk di të bëj një kategorizim. Duke performuar në klubet e Tiranës dhe publiku që i frekuenton ato, vjen nga Shqipëria, Kjo nuk do të thotë se kosovarët janë më të tërhequr në shijet e tyre.