UBT

Veç koalicioni PDK-LDK e dërgon Kosovën në BE

/ 10 minuta lexim

E kam mirëpritur themelimin e Gjykatës Speciale e cila do t’i mbyllë spekulimet dhe propagandën disavjeçare ndaj UÇK’së dhe luftës çlirimtare. Edhe unë do të votoja pro themelimit të kësaj Gjykate. Limaj, Krasniqi e Thaçi përsëri do të jenë bashkë. Në këtë situatë, vetëm koalicioni PDK-LDK i siguron Kosovës ecje të sigurt drejt BE’së. Deklarimet e LDK’së dhe AAK’së se nuk bëjmë koalicion me PDK’në janë vetëm për fushatë. Do të ishte mirë që asnjë parti politike të mos i përfshijë në listat zgjedhore kandidatët me dosje kriminale. Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Rrustem Mustafa-Remi, flet për Express.

Cili është vlerësimi juaj për vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale ?

R. Mustafa: Kuvendi ka hapur rrugë që të mbyllen të gjitha ato pretendime, të gjithë ato spekulime që janë bërë nga një propagandë sugjestive e shërbimeve të huaja për shumë vite kundër UÇK’së dhe kundër lirisë së Kosovë. E kam mirëpritur themelimin e kësaj Gjykate pas pozitës ku është gjendur Kosova përballë një kërkese të tillë, përballë pamundësisë për të vënë rend dhe ligj edhe me UNMIK’un dhe EULEX’in. Jam i sigurt se do të ketë vendime nga një Gjykatë me kredibilitet të vendeve të qytetëruara botërore.

Express: Megjithëkëtë, Kosova është përballur mjaft me akuza për krime të luftës, duke filluar me proceset që janë zhvilluar në Hagë, proceset që janë zhvilluar nga UNMIK’u, EULEX’i. Ka ende procese që po vazhdojnë. Pse duhet të dyfishohen këto institucione?

R. Mustafa: Besoj se njëherë e përgjithmonë do të mbyllen këto pretendime që kanë vënë errësirë mbi veprimet qofshin individuale, qofshin të organizatës në vendin tonë. Besoj se do të nxirren përfundime dhe s’do të flitet më për këtë temë. Nuk duhet të thuret rruga drejt qytetërimit europian të vendit tonë me tema të padëshiruara, me tema që nuk lejojnë vendin të lëvizë tutje. Edhe unë do të votoja pro themelimit të Gjykatës po të isha në vendin ku duhej të votohej.

Express: Gjykata Speciale do të merret me Raportin e Dick Martyt i cili përmend disa zyrtarë të PDK’së. E dini se kush do të jetë subjekt i kësaj Gjykate?
R. Mustafa: Unë personalisht nuk e di se kënd do ta prek. Nuk besoj se do të flitet për zyrtarë të PDK’së apo do të ndiqet një subjekt apo organizatë. Mirëpo, të gjitha pretendimet që janë duhet të hetohen dhe të nxirren përfundime. Përndryshe, ne edhe për një kohë të gjatë do të merreshim me to. Ne duhet t’i lëshojmë rrugë edukimit, zhvillimit dhe ecjes tonë dhe për të qenë pjesë e familjes europiane.

Express: PDK ka propozuar themelimin e një fondi për t’i mbrojtur ata që do të ndiqen nga Gjykata Speciale. Jakup Krasniqi tha se duhet të dëmshpërblehen vetëm për ata që shpallen të pafajshëm?

Rr. Mustafa: Unë them se shpërblim s’do të ketë për askënd. Tash, së voni e di që është propozuar një Projektligj dhe nuk jam i njoftuar me përmbajtjen e tij.

Express: A duhet të themelohet një fond për mbrojtjen e atyre që do të ballafaqohen me Gjykatën Speciale?

Rr. Mustafa: Nuk jam i sigurt nëse do të ketë nevojë për krijimin e fondit për mbrojtjen, unë po them, të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse për të tjerët nuk do të duhej të organizohej një diçka e tillë. Unë e di dhe jam i sigurt se të gjithë ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë para këtyre akuzave. Do të dalin më mirë se si janë tani.

Express: Por, dikush do të ballafaqohet me këtë proces në Gjykatën Speciale. A duhet shteti t’iu ndihmojë ata të mbrohen gjatë procesit gjyqësor?
R. Mustafa: Unë nuk jam i sigurt se dikush do të ballafaqohet me këtë proces. Gjykata Speciale do të mundohet t’i gjejë faktet për pretendimet që janë ngritur. Por, gjithsecili, edhe unë që jam trajtuar deri më tash, kur të del i pafajshëm, ai duhet të dëmshpërblehet në bazë të normave dhe ligjeve vendore dhe ndërkombëtare. Unë nuk po them se shteti duhet t’i dëmshpërblejë, por po them ndjekësi duhet t’i dëmshpërblejë.

Që në këtë rast është Task Forca e BE’së?

R. Mustafa: Me këtë rast, po them se ndjekësi nuk duhet të mbetet i pahetueshëm. Nuk duhet të mbetet i padënuar në çfarëdo forme. Edhe dënimin e ndjekësit, unë e quaj, dëmshpërblimin e të akuzuarit.

Limaj, Krasniqi e Thaçi përsëri bashkë

Express: Nga pozita e zyrtarit të PDK’së vazhdimisht keni thënë se Limaj e Krasniqi do të jenë bashkë me Thaçin. Por, ky parashikim nuk doli i saktë?

R. Mustafa: Unë parashikoj ende që këto figura do të jenë bashkë por nuk e di kohën dhe nuk e di mënyrë. Secili prej të rriturve mund të vendosë të jetë larg familjes. Mund të gjejë rrugën të ndarë nga shoqëria. Por, unë e shoh se fundi do të jetë i përbashkët.

Mobi Casa

Express: Limaj e Krasniqi e kanë themeluar një parti të re politike. Sa do të ndikojë kjo te PDK’ja?

R. Mustafa: Nuk shoh ndonjë dëmtim të PDK’së. As nuk e kanë ndihmuar dhe tash nuk është duke u folur këtë temë. Nëse PDK është dëmtuar dhe e ka ndier vetën keq në zgjedhjet lokale me ikjen e disa figurave të PDK’së, ky proces veç është përfunduar në zgjedhjet e kaluara. Tani për tani nuk ka ndonjë zvogëlim apo zmadhim të PDK’së për hir të asaj se dikush ka ardhur apo ka shkuar nga partie.

Express: E keni një analizë se pse humbët pushtetin në Mitrovicë, Lipjan, Gjilan, Viti..?
R. Mustafa: Ka analiza të përgjithshme të PDK’së. Unë nuk do t’i bëjë publike. Vlerësimi im personal është se në disa vende mund të them se ka ndodhur ngopja me pushtetin dhe dosido ato janë vende të vogla. Në përgjithësi PDK ka dalë mirë në zgjedhjet e fundit dhe qëndron ende mirë.

Express: Sa është e gatshme PDK të shkojë në zgjedhjet të reja parlamentare?

R. Mustafa: Po flasim për njohje notore që dihet publikisht. PDK është e gatshme që në çdo kohë t’i përgjigjet zgjedhjeve dhe nuk është PDK bën pengesa për të shkuar në zgjedhje. Ne jemi të bindur se do ta fitojmë edhe një mandat.

Express: Kryetari i PDK’së ka thënë se askush që është nën hetime dhe ka aktakuza nuk do të mund të jetë në listën për deputetë?

R. Mustafa: Jam i sigurt se Kryeministri do t’i përgjigjet kësaj ashtu siç e ka thënë dhe nuk do të lejojë njerëz të tillë në listën e PDK’së. Do të ishte mirë jo vetëm në listën e PDK’së por edhe në listat e partive tjera të mos ketë njerëz që janë duke u hetuar për raste që po themi tani dhe të mos jenë pjesë e listave zgjedhore. Nuk duhet të na shkojë edhe një mandat duke menduar se një deputet ose Ministër po ndiqet, po hetohet ose po arrestohet. Ne nuk duhet të krijojmë më as Qeveri, as Parlament. Thjesht, e përkrahi Kryeministrin dhe idenë tij sepse duhet të ndodh pastrimi i listave.

Duhet koalicion që s’ka probleme me numrat

Express: Gjithmonë e keni thënë se vetëm koalicioni PDK-LDK i ndihmon Kosovës. E keni ende këtë mendim?

R. Mustafa: S’kam pse e ndërroj këtë mendim. Unë nuk them nëse do të shkohet përsëri sepse nuk jam ai faktor që vendosi. Por, e di që vendi do të përballet me sfida për të ardhmen, na duhet rend dhe ligj dhe disiplinim për krijimin e shtetësisë. Ne duhet të krijojmë institucione të mirëfillta të shoqërisë sidomos rreth rendit dhe ligjit që po na mungon shumë dhe si pasojë po vijnë të tjetër dhe po ndërtojnë mekanizma tjerë shtesë. Për t’i bërë këto punë dhe për të ecur drejt BE’së, drejt kombeve të qytetëruara, neve na duhet një koalicion i gjerë ku nuk do të ketë probleme me numra. Nuk ka subjekte tjera as në këtë mandat qeverisës, as në mandatin e ardhshëm që mund të bëjnë ecje stabile për shtet-ndërtim, për zhvillim, për rend dhe rregull përveç PDK-LDK në koalicion. Ky do të jetë koalicion i madh, koalicion për përmbushjen e standardeve për ecjen drejt Europës. Unë besoj se do të përmbyllet rruga e përgatitjes për ta dërguar vendin në Europë.

Express: Sipas jush, pra PDK nuk mund të bëjë koalicion me parti tjera sepse s’mund t’i përmbushë standardet për të shkuar në BE?

R. Mustafa: Unë nuk po dua të jem paragjykues i keq dhe të them se nuk mundet. Por, po them se shumë më lehtë e ka me Lidhjen Demokratike të Kosovës e ka për t’i përmbushur objektivat e qytetarëve.

Express: Por, në LDK e edhe në AAK thonë se nuk bëjnë koalicion me PDK’në?

R. Mustafa: Nuk e kanë asnjëra atë mendim dhe këto janë fushata parazgjedhore për tërheqjen e elektoratit pas vetës ose për llogari tjera. Por, jam i sigurt se secili prej subjekteve politike në Kosovë do të mirëpresim lajmin për të bashkë-qeverisur me ne.

Express: Ju ka thënë Isa Mustafa se mund të bëjë koalicion me PDK’së apo e keni vetëm bindje personale?

R. Mustafa: Nuk flas se ka thënë dikush por flasë me bindjen time. Unë njoh elektoratin e vendit, njoh udhëheqjen e vendit dhe partive politike dhe të gjitha janë pretenduese për të qenë në pushtet në mandatin e ardhshëm. Sidoqoftë, edhe pas zgjedhjeve ne do të jemi të parët dhe po punojmë që të jemi të parët. Po e them edhe një herë se është e nevojshme që PDK të mbyllë rrugën e përgatitjes së shtetit për t’iu bashkëngjitur shteteve më moderne në BE.