Vdes pianistja me renome botërore, Mihaela Ursuleasa
New York – Mihaela Ursuleasa, pianiste me prejardhje rumune, e njohur në botë për teknikën e mrekullueshme dhe interpretimin ideosinkretik, është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Vjenë.
Ajo ishte 33-vjeçare. Vdekja e saj, që ka ndodhur të enjten, është konfirmuar në ueb faqen zyrtare të saj. Policia e Vjenës u ka thënë agjencive të lajmeve në Evropë se shkaku i vdekjes së saj ka qenë anomali në tru.
Ursuleasa, e cila ka performuar nëpër botë qëkur ishte adoleshente, ishte e njohur për tingujt e pastër, gishtërinjtë e lehtë dhe mënyrës shumë prekëse të interpretimit, meqë ishte shumë e lidhur me kompozitorët romantikë si Prokofiev, Chopin dhe Schumann.
Fituese e Garës Ndërkombëtare Pianistike “Clara Haskil” më 1995, Ursuelasa është ngjitur në skenat më të njohura botërore, me koncerte recitale, duke përfshirë “Wigmore Hall” në Londër dhe “Wiell Recital Hall” në New York.
Ajo ka performuar si soliste me orkestra të ndryshme, duke përfshirë Simfoninë e Vjenës, Orkestrën Kombëtare të Francës, Filarmoninë e Londrës, etj. Zërat kritikë për interpretimin e saj kanë qenë të ndarë. Disa e kanë vlerësuar lart, derisa të tjerët e kanë dëgjuar si të padëshirueshme.
Disa kanë parë pasion në interpretimet e saj, derisa të tjerë e kanë kritikuar për lirinë e tepruar të tempit dhe ritmit. Në vitin 2008, në një kritikë të publikuar në “New York Times” nga Allan Kozzin, interpretimi nga Ursuleasa i koncertit nr.3 për piano të Beethovenit në kuadër të “Mostly Mozart Festival” është vlerësuar detajisht:
“Ursuleasa interpreton me një kombinim të egërsisë dhe qartësisë që vënë kontraste në veprën e Beethovenit, duke e shndërruar atë në dramë të tensionuar”.
Mihaela Ursuleasa ishte lindur në Brasov të Rumanisë, më 27 shtator të vitit 1978. Babai i saj ishte jazz pianist, ndërsa e ëma këngëtare. Mihaela filloi të marrë mësime për piano që nga koha kur ishte 5- vjeçare dhe shpejt nisi të dalë edhe në publik. Por, babai i saj vdiq kur ajo ishte shumë e re. Pa mbikëqyrjen e tij, ajo e kishte më të vështirë punën.
“Nuk kisha kohë për pushim. Ushtroja me piano nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes”, kishte thënë ajo në një intervistë më 1997. Kur ishte 12-vjeçare, ajo interpretoi nën dirigjimin e Claudio Abbados, i cili i ndihmoi të studionte në “Vienna Conservatory”.