Vdekja e babait

Nga Sabile Keçmezi-Basha – Deri sa polici i tregonte nënës se çfarë kishe ndodhur me babin, unë, krejt e dal jashtë vetvetes u sula shkallëve, pa ditur se ku po shkoja. Gurmazi filloi të më shteronte e frymëmarrja të më rëndonte. Nuk e dijë se si kam mbërritur deri tek vetura e babait, por më kujtohej se në veturë nuk e shihja atë. E pritja se do e gjeja duke rënkuar nga plagët e marra, dhe do më shikonte trishtueshëm duke u munduar të më buzëqeshte siç dinte vetëm ai… të buzëqeshte, e unë- Martina, do i dëshmoja se sa e fuqishme jam… Do e merrja për krahësh dhe do e dërgoja deri në shtëpi, do i japi përkrahjen që vetëm ai e meritonte.

Shikoja rrotull se ku mund të ishte…ku mund të ishte babai im që nuk ishte në ulësen e parë, ku zakonisht isha mësua ta shihja. Babi nuk ishte as në ulëset e prapme. Hapa derën, por nuk e dijë edhe sot çka më shtyri që të hapja derën e veturës, dhe ngela e shtangur. O zot ç’të shihja, Babai im i kruspullosur ishte i shtrirë në ç’oshën e makinës i mbuluar me një batanije ngjyrë dheu të vjetër. Sytë i kishte të mbyllur, fytyrën e gjakosur dhe njërën dorë e kishte zënë nën sqetull, thuajse nga aty po kërkonte diçka shumë të rëndësishme e të vlefshme. Trupi mu ligështua, bota u errësuan para meje dhe thirra sa munda

  • Babiiiiiiiii… O babiiiiii- por ai nuk më dëgjoi…. Pastaj… pastaj dikush më kapi për krahësh, dhe më tërhoqi zvarrë… zvarrë… më tërhoqi fort, sa më dhembën krahët, duke u munduar që me çdo kusht të më largonte nga aty. Pastaj… pastaj nuk e dijë se çfarë ka ndodhur… Nuk e dijë se kush e solli babin brenda… Kush e kishte futur në dhomën e ditës… Kush e kishte pastruar e ndërruar rrobat e gjakosura… Kush e kishte shtrirë mu në mes të dhomës, dhe kush i kishte lajmëruar gjithë ata njerëz, dhe se si aq shpejt kishin ardhur …ata.

Mu duk se i tërë qyteti ishte sulur në shtëpinë tonë. Vinin edhe të tjerë… edhe të tjerë…vinin si lumi, vrunduj-vrunduj dhe, nuk u ndalnin. Vinin grumbuj, të njohur e të panjohur. Disa nga ata qëndronin në oborr dhe bisedonin pa zë duke shikuar në drejtim të policëve që qëndronin më tej oborrit, të cilët survejonin çdo gjë… ama bash çdo gjë. Disa të tjerë me zë të ultë, e komentonin likuidimin e babait. Por, që të gjithë ishin të
heshtur dhe të zymtë. Heshtje… heshtje varri brenda, në mua, heshtje mortore në qytetin me zymtësi vjeshte. Heshtja më tmerronte. Më fuste frikën, më luante mendsh. Kisha përshtypjen se në çdo çast diçka do të ndodhte dhe hijet e zeza do më rrëmbejnë mua, do ma kollofisin edhe vëllanë, do më shastisin edhe motrën… edhe…edhe…shtëpinë…do ma ndynë, qytetin do ma përdhunojnë dhe tërë Vendin e Shqipeve. Në këtë mjegullnajë kujtimesh u mundoja që të kuptoja diçka… i picërroja sytë dhe i curroja veshët, por… vetëm silueta të zbehta shihja para syve.

Dikur… vonë… shumë vonë, hetova se sa të shushatur e të sfilitur ishin xhaxhallarët. Ata pranonin ngushëllimet nga njerëzit që vinin, përqafoheshin vëllazërisht me ta, duke mos folur asnjë fjalë… Disa të tjerë, me gjasë ishin shokët e babait që shpesh kishte rastisur ti takoja në bibliotekë duke biseduar shtruar në mes veti. E, ata, gdhendnin ca dërrasa… dërrasa… e pse bash dërrasa… Unë nuk kuptoja asgjë, se për ç’farë hynin në punë tani dërrasat. Vetëm nëna, edhe pse ishte e zbehur, megjithatë mu dukte nga të gjithë ne, se, ishte e esëllt. Çdo gjë vëzhgonte dhe çdo gjë kishte nën kontroll. E shihja se si fliste me ca burra që kishin ardhur pak më vonë, dhe ma merrte mendja se çfarë bisedonte me ta… I lëvizte duart, e herë pas here prekte ballin që e kishte një ves të kahershëm. Pastaj… shkonte për të biseduar me kunetër, që i donte shumë, e më vonë e shihja duke përqafuar Gjonin e vogël dhe dhembshëm, shumë dhembshëm më shikonte mua. E unë… unë isha strukur e rrudhur galuc në pragun e derës pa qenë e zonja që të qëndroja në këmbë… duke menduar se e tërë kjo që po shihja… po më fanitej… vegim ishte… dhe pritja çdo moment që të zgjohesha nga kjo kllapi që nuk më linte që ti hapja sytë që djegin. Pritja me padurim që në shtratin dopio të shihja babin duke fjetur. Pastaj ti hidhesha në qafë, ti tregoja për ëndrrën e kuqe që më kishte prishur gjumin mbrëmë. Por… assesi të dali nga kjo kllapi e pafundme…

Njerëzit edhe më tej vinin e shkonin, shkonin e vinin gjithë andej duke shpërndarë lajmin se Lirë Thaçin e kishte likuiduar policia barbare… Erdhën shumë njerëz, aq shumë njerëz… sa nuk i zinte oborri. Bile, disa nga ata qëndronin në rrugë. Ata… pritnin… pritnin… ashtu të heshtur duke shikuar nga majat e maleve … Pse nuk më fanitesh bile në ëndërr…bërtita me zë… sa munda

Në odën ku qëndronte i shtrirë babai, disa nga gratë vajtonin me zë dhe rendisnin fjalë e fjali që të këpusnin shpirtin. Nënëlokja i qëndronte te koka dhe herë pas here me ngadalë grihte shaminë që e kishin mbulua, zbulonte pakëz fytyrën e tij dhe e shikonte fshehurazi… ofshante dhembshëm duke i fshirë lotët me fasuletën, borë të bardhë. Motra e madhe e babait qante pa zë, me kokën e varur që më ngjante në një drenushë të plagosur. E tërë pamja që shihja ishte trishtuese, e llahtarshme dhe lebetitëse… Të tëra gratë që vinin dhe ato që ishin aty, ishin veshur me të zeza, por… ama në koka kishin vu shamia të bardha dhe deri atëherë, nuk më kishte rastisur që të shkoja në ndonjë mort, dhe nuk kisha haber se kjo veshje pse ishte e tillë… Por, gjatë ceremonisë së varrimit, nëna iu kishte tregua grave, se babai e kishte lënë me gojën e vet, që gratë mos të vejnë shamia të zeza në kokë, dhe ashtu u bë… -se ne, -kishte thënë, -nuk kemi nevojë të vishemi me të zeza, ngase vdekja për liri gjithmonë ka simbolikën e të bardhës.

Edhe më tej, padiktueshëm, në vetvete kisha qarë një kohë të gjatë, shumë kisha qarë… Nëna më kishte qortua rreptë, duke më thënë,
-Martinë, duhej të të vije keq prej babit që derdhë lot, të kujtohej që babai i urrente qaramanet… andaj është mirë që të ndalosh vajin… E dijë se çfarë dhembje ndien… dhe eci për dhomën tjetër ku e thirrën me urgjencë.
Unë e shikova gjatë nënën, dhe pyeta veten se, vërtet e di dikush se si ndjehem unë… unë, vajza e tij… Gjepura… gënjehen të gjithë ata, që mendojnë, se e dinë se si ndjehem unë… Pastaj fshiva lotët nga fytyra, dhe hyra brenda, u ula në qoshen e dhomës duke shikuar larg në horizont. Gjysmën e njerëzve nuk i njihja. Pastaj herë-herë nga dhoma vinin vajtime të trishtueshme që më çmendnin… Njëherë, ndoshta nuk është turp që të pranoi, se, jeta pa babin mu duk e pa mundur… Pastaj, dëgjova se vëllai e hapi derën e dhomës dhe duke ecur në maja të gishtave, mu afrua ngadalë dhe më përqafoi butë si ndonjë puhizë.

  • Martë, pse babai nuk flet me mua… më pyeti, -pse nuk zgjohet ende nga gjumi, Martë… pse… Ti qanë Martë… e pse qanë, -dhe me duart e vogla më ngriti kokën ka vetja e tij duke mu lutur që t’i tregoja se çfarë ka ndodhur që askush nuk flet me të… -fliste e fliste vëllai im i vogël duke më bërë pyetje të vazhdueshme duke m’i hedhur dy duart rreth qafe. Më shtrëngoi fort, dhe pastaj më shikoi drejt në sy duke mi puqur faqet e qullosura nga lotët. Me ngadalë, duke pasur frikë se do më lëndonte, më fshiu lotin që padiktueshëm më rrëshqiti at për aty faqeve.
    -Pse qanë…, edhe me ty nuk fletë babi… më pyeti me plotë hidhërim dhe vuri buzën në vaj.

Çfarë ti thosha Gjonit, si ta ngushëlloja, ti thosha të vërtetën, cilën të vërtet, të cilën as unë nuk e dija… Më kapi përkrahu, dhe më tërhoqi në drejtim të dhomës ku qëndronte shtrirë babai, i mbuluar me çarçaf të bardh prej qenari. Gjoni fillimisht u habit nga ajo që pa dhe instinktivisht u puthit edhe më tepër për mua. E shtrëngova për dorën e vockël. Më vonë disa gra kur hetuan se unë isha aty, filluan të më bënin vend afër kokës së babait. Njëra grua që ishte më e vjetër, mori guximin dhe e ngriti çarçafin nga koka e babait dhe me një sjellje prej gjysheje më tha,

  • Afrohu… afrohu …bijë… shikoje mirë… dhe mbaje gjatë në mend këtë fytyrë që aq shumë të deshi…

Dhe vërtet padiktueshëm zgjata trupin dhe hapa sytë tej mase për të parë fytyrën e babait tim. Ç’të shihja vallë… Për herë të parë shihja vdekjen dhe fytyrën e saj të akullt. Babai ishte bërë nur, dy vrima të vogla ia pash me sytë e mi në tëmth. Nën jastëk, vërejta shumë gjak që ende i kullonte nga plagët e marra. Nuk e di si dukesha, por e di se isha e tëra e nemitur, fjalët nuk më dilnin nga goja, dikur fillova mos ti dalloja gratë që më rrethonin. Nëna më kapi për krahësh dhe më mbështeti në gjoksin e vet dhe në heshtje ia dëgjoja dëneset e një pas njëshme. Vonë e kam dëgjuar se diçka më thoshte, por nuk e kuptoja se çfarë më thoshte. Ia shihja buzët që i lëviznin, por zëri assesi të depërtonte tek unë. Pak më vonë, filloi të më sillej dhoma, pastaj edhe gratë më dukeshin se lëviznin me një shpejtësi marramendëse. Mu duk se edhe çarçafi lëvizi, pastaj edhe orenditë për rreth, karriget dhe gotat që i sillnin e i merrnin ca fqinje të mija.

Dëgjova fjalët e babait, ashtu qetas duke më këshilluar:
-Martinë, e shtrenjta ime… bëhu e fortë, se edhe vdekja i ka qëllimet e saja. Dasmë pa mish nuk bëhet, e di këtë… E di që jam i pa drejt me ty, por çfarë ti bësh, Martinë, unë nuk e desha vdekjen… por ata me bisturi më kishin prerë ëndrrat… E sheh se ç’më kanë bërë… janë munduar të më shkatërronin trupin… por nuk munden të më vrasin dashurinë… Martinë,kupto tani se ti dhemb më shumë se dhembja… bija ime e shtrenjtë. Ata u gabuan, se plumbi nuk e vret jetën, kurrën e kurrës… nuk mund të vrasin dashurinë ndaj teje dhe Vendit të Shqipeve. Më dëgjo… ama… mirë më dëgjo…se unë, vetëm se jam shtrirë për të pushuar një moment, por do të zgjohem Martinë dhe kjo do të jetë vetëm një prelud për ditën e ardhur…

Nëna më kishte trandur nga krahu, por unë nuk e kisha dëgjuar. Qëndroja në prehrin e saj dhe bëja dialogun e fundit me babin tim. U ndjeva e lënë pas dore, u ndjeva e dëshpëruar se babai nëpër vite shumëçka më kishte premtuar. Më kishte thënë një herë se me kujdesin më të madh po e ruante një fshehtësi, dhe sa të rritem e do ma thoshte. Ai nuk arriti të ma thoshte, edhe pse i kisha kërkuar. I kisha thënë, se dijë të ruaj fshehtësinë, por ai vetëm më shikonte dhe qeshte ëmbël… Edhe tani që e shikoja babin kisha përshtypjen se ai ende po qeshte, dhe vërtet qeshte… por nuk e dija se me kënd … Me mua nuk e besoja, se më ngjante se ishte një qik i hidhëruar, pse qaja. Me nënën, dyshoja po ashtu, se edhe ajo ishte e mllefosur dhe vetëm lotët që i rridhnin faqeve dëshmonin se ishte e trishtuar. Ajo, brenda natës ishte mplakur e lodhur dhe sa qel e mbyll sytë fytyra iu ishte bërë zhubra-zhubra, të gjata e të holla, që ia kishin kapluar tërë fytyrën e trupin, ato ishin shtrirë horizontalisht e vertikalisht dhe ia kishin shpërfytyruar fytyrën. Brenda nate ishte thinjur e bërë krahnezë mbi kokë. O zot, nuk e njihja nënën time të mrekullueshme.

Edhe më tej më fërkonte ballin, dhe duke pëshpëritur i tha një gruaje:
-Frikohem për Martinën, ka qenë fortë e lidhur me të… dhe heshti për të mos dëgjuar unë. E dëgjoja… por fjalët e saja më vinin si të dala nga dheu… Shumë zëra të pa artikular më vinin në timpanin e veshit.
-Babi… o babi… zgjohu … e di se sa më mungon, -thirra në heshtje… Zgjohu, se kam shumëçka për të të thënë. Vetë… vetë më ke thënë… babi… më ke premtua se do jesh me mua edhe kur kam dhembje edhe kur kam mall. E tani… a nuk e sheh se si dhembja më bluan trupin dhe jetën… belbëzoja në heshtje. A nuk e sheh se si më qahet shpirti copë-copë, e po më ndalon zemra. Dhe me duart që më dridheshin ngrita tinëzisht një cep të çarçafit dhe pash fytyrën dyllë të babit… se si mu bë… mu duk se më shikonte…
Oborri i shtëpisë ishte mbushur me plot njerëz dhe me plotë policë. Përnjëherë u dëgjua një rrëmujë. Policët kishin ardhur kastile që ta merrnin babin për ti bërë obduksionin, por në mënyrë kategorike, nëna i kishte refuzuar.

-E pse ti bëni obduksioni, kur ju e keni vrarë… Doni edhe një herë që ta vrisni, jo… jo… unë nuk e lejoj- dhe kishte marr tërë përgjegjësin mbi vete. Dhe më këmbëngulje kishte kërkua që, sa më parë të largoheshin nga oborri i shtëpisë, se… kishte thënë, nuk marr mbi vete ndonjë detyrim poçes ndodhë ndonjë e papritur.

Nëna, jo vetëm që njihej si një grua trime por ajo me babin kishin qenë shokë të ilegales dhe me të kishte ndarë problemet… por edhe ëndrrat… Ajo i dinte prapaskenat e tyre. dhe, qëndrimi i policëve në oborrin e shtëpisë, kishte edhe një mision kobë zi për të pranishmit. Ata, udbashët, përcillnin çdo hyrje dalje në lagje e shtëpi, dhe se ishte shumë me rrezik se, pas disa ditëve me siguri do pasonte arrestimi dhe të pranishmit do të merreshin në biseda të vazhdueshme informative.

Ata, me forcë erdhën deri në dhomën ku qëndronte i shtrirë babai. Nëna me atë qëndrimin e saj burrëror, iu tha që të dilnin jashtë, që në mënyrën më të mirë ti kryenim ritet fetare të varrimit.
-Ne duhet të bëjmë obduksionin… -përsëritshin si të ishin të kurdisur…

  • Duhet të dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtet,- bërtite kryepolici, një shqipfolës i mallkuar.
    Nëna atëherë e shikoi vëngër dhe mu duk se durimi kishte arritur pikën e vëlimit…
  • Çfarë doni ti, mor bastard… pa më thuaj… doni të dini se kush më vrau burrin…këtë doni ju…. epo… unë mundem t’iu zbulojë… që tani, -dhe rrëmbimthi u kthye nga babi, i zbuloi fytyrën dhe pastaj kryepolicin e pështyu në surrat
    -Ju… ju e vratë kriminel… horra, dhe përsëri keni fytyrë të më vini në shtëpi dhe të më kërcënoheni me fuqinë e shtetit tuaj të kalbur….-dhe me gisht iu tregoi derën, duke iu thënë, – Dilni… ikni nga shtëpia sa më parë… se…

Gratë, që me një kujdes të madh po përcillnin ngjarjen, dhe që gjerë atëherë po shikonin indiferente se çfarë po ndodhte, papritmas, u krijua një tollovi, dhe njëra nga ato bërtiti thekshëm duke lëshuar një zë tmerrues, dhe tha:
-Tani shkoni, sa më shpejt ikni… se puna e juaj prej krimineli këtu ka marr fund, detyrën e keni kryer me përpikëri, dhe këtu nuk keni se për çfarë të qëndroni, ikni sa nuk është bërë vonë…
E unë, çdo gjë përcillja nga çosh e dhomës dhe gulçimat më kishin zënë frymën.
Nëna, me ngadalë u ngrit, pa ia varur fare policëve që edhe më tej qëndronin në dhomë, doli nga aty. Pas pak u kthye duke e mbajtur në dorë flamurin kuq e zi. Njëherë u ndal para grave, pastaj u kthye nga policët, shpalosi flamurin gjerë e gjatë dhe me ngadalë mbuloi tej për tej trupin e babait.

Mamaja e dashur, e dashura mamaja ime, edhe tani më dukej se e shoh, kur iu drejtua të pranishmëve:

  • Liri, shumë- shumë më herët, këtë… më ka lënë amanet… që ta mbuloja me flamur…
    Nga flamuri më nuk u duk trupi i babait prej kolosi. Flamuri e babai, u bënë një, për të mos u ndarë, më … kurrë…
Shpërndaje.
© RAJONIPRESS