“Vatra” sjell takimet e vendlindjes “Zarbica 2025”
Nga Rejhane Rexhepi – Ky organizim përkon me 20-vjetorin e ngjarjes së parë të mbajtur në vitin 2005, duke ruajtur dhe kultivuar traditën e lidhjes me vendlindjen, si një akt kujtese, bashkimi dhe identiteti kombëtar. Nën patronazhin e “Vatrës”, ky edicion do të shënohet si më gjithëpërfshirësi në historinë e këtyre takimeve, duke bashkuar për herë të parë të gjitha fshatrat e Malësisë së Bujanocit në një manifestim të përbashkët dhe qendror.
Lëvizja Qytetare “Vatra” me seli në Gjilan, e udhëhequr nga Kushtrim Kadriu – ish-kryetar i Asamblesë Komunale të Gjilanit dhe djali i ish të burgosurit politik Nijazi Kadriu nga Ramabuqa e Bujanocit – këtë vit organizon edicionin jubilar të manifestimit tradicional “Takimet e Vendlindjes – Zarbica 2025”.
Ky organizim përkon me 20-vjetorin e ngjarjes së parë të mbajtur në vitin 2005, duke ruajtur dhe kultivuar traditën e lidhjes me vendlindjen, si një akt kujtese, bashkimi dhe identiteti kombëtar. Nën patronazhin e “Vatrës”, ky edicion do të shënohet si më gjithëpërfshirësi në historinë e këtyre takimeve, duke bashkuar për herë të parë të gjitha fshatrat e Malësisë së Bujanocit në një manifestim të përbashkët dhe qendror.
Bashkësia Lokale e Zarbicës dhe fshatrat e saj kodrinoro-malore: Suharrna, Novosella, Priboci, si dhe fshatrat përreth si Ramabuqa, Qarri, Muhoci, Breznica, Bilinica etj., do të jenë pjesë integrale e këtij manifestimi që synon të ruajë frymën e kthimit në troje dhe të nxisë lidhjet shpirtërore e kulturore të malësorëve me vendlindjen.
Takimet e Zarbicës nuk janë vetëm një rit tradicional, por një simbol i vullnetit dhe përkushtimit të shqiptarëve të Malësisë së Bujanocit për t’u kthyer dhe qëndruar në tokat e tyre stërgjyshore.
Lëvizja Qytetare “Vatra” fton të gjithë qytetarët me prejardhje nga kjo trevë që jetojnë në Kosovë, diasporë apo në vendbanimet tjera të Serbisë, të jenë pjesë e këtij momenti historik – për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të përforcuar vizionin për një të ardhme më të sigurt dhe të bashkuar të Malësisë.
Vlen të theksohet se në të kaluarën, takime të ngjashme janë organizuar ndaras nga bashkësitë lokale të Pribocit, Ramabuqës, Muhocit, Novosellës etj., por këtë vit, nën kujdesin e Lëvizjes “Vatra”, për herë të parë ato do të unifikohen në një ngjarje madhore dhe simbolike.
Lëvizja Qytetare “Vatra”, e cila ka nisur si një organizatë joqeveritare dhe më vonë është shndërruar në një subjekt me ndikim në jetën politike të Gjilanit si pjesë e qeverisjes lokale apo edhe në opozitë – ka luajtur rol të rëndësishëm në mobilizimin e komunitetit të Malësisë së Bujanocit, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së kësaj komune./rajonipress/


