“Vatra” prioritet do të ketë Kosovën Lindore
Gjilan – Veprimtaria jonë shtrihet në shumë sfera të jetës dhe do të jetë shumë transparente, por prioritet do të ketë Kosovën Lindore dhe çështjen e pazgjidhur të saj ka thënë Sejdullah Kadriu.
Shoqata “Vatra” që grumbullon rreth vetës intelektual e veprimtar nga Kosova Lindore të shtunën në mënyrë solemne dhe në prani të shumë mysafirëve ka shënuar përvjetorin e saj. Rreth aktivitetit dhe veprimtarisë së kësaj shoqate ka folur Sejdullah Kadriu kryetar.
Këtë përvjetor e ka uruar edhe Ahmet Isufi i cili ka thënë se Kosova Lindore gjithmonë ka dhënë patriot e dietar të shquar të cilët kanë kontribuar dhe po kontribuojnë edhe për Kosovën e pas luftës.
Kurse Sadullah Kadriu tha se pas luftërave çlirimtare të dekadës së fundit të shek. 20-të dhe fillimit të shek. 21-të, Kosova Lindore mbeti jashtë sovranitetit të Kosovës. Fshatra të shumta të Malësisë së Bujanocit dhe Karadakut të Preshevës pothuajse tërësisht u zbrazën duke përjetuar fatin e 600 e më shumë fshatrave shqiptare të viteve 1877/78.
Edhe pse vazhdimisht u ngrit zëri nga ish faktori ushtarak dhe politik i Kosovës Lindore (sado që ushtarët, eprorët e komandantët tani veç ishin shpërndarë në Kosovë e në shtetet Perëndimore, e Serbia nuk ndiente rrezik ), popullata mbeti e shpërndarë në disa qytete të Kosovës pa përkrahje dhe pa mundësi kthimi në vatrat e tyre.
Kadriu tha se sheshazi shihej se kohën nuk e kishim aleate. Për të ndihmuar diçka në këtë drejtim duhej organizim. Gjatë bisedave të shumta, një grup veprimtarësh të kahershëm, luftëtarë të UÇK-së dhe UÇPMB-së, intelektualë e qytetarë të Kosovës Lindore, vendosën të formojnë një organizëm apo shoqatë, për të shikuar mundësinë e ndihmës për kthimin e atyre që dëshirojnë të kthehen dhe integrimin e të ndjekurve.
Në Kuvendin e mbajtur në korrikun e 2005-ës në Gjilan, u zgjodh Këshilli Drejtues, u zgjodh Kryesia dhe u vendos që kjo shoqatë të quhet ,,VATRA“, e kryetar i saj u zgjodh Nijazi Kadriu. Nuk kishte njeri nga 200 të pranishmit që ta kundërshtoi zgjedhjen e Nijaziut për kryetar, ngase të gjithë i njihnin të bëmat e tij për çështjen shqiptare. Anëtari i dytë i Kryesisë, që tani nuk është në mesin tonë ishte Islam Demiri, që punoi, veproi dhe i ishte shumë aktiv në organizimin e çdo veprimtarie që bënte ,,Vatra“, madje në mungesë të zyrës, pjesën më të madhe të mbledhjeve e takimeve i mbanim në zyrën e tij.
Kadriu tha se ka më shumë se dy vite që ,,Vatra”, në vatrën e saj ka afruar shumë të rinj. Tani kemi Forumin Rinor që shumëkush ia ka lakmi. Gjithashtu, para pak kohësh kemi bërë riorganizimin dhe freskimin me anëtarë të rinj të kryesisë. Veprimtaria jonë shtrihet në shumë sfera të jetës dhe do të jetë shumë transparente, por prioritet do të ketë Kosovën Lindore dhe çështjen e pazgjidhur të saj. Është dëgjuar ndonjëherë nga njerëz të painformuar mirë dhe të papërgjegjshëm se, nuk ndihmohet Kosova Lindore nga Gjilani.
Të drejtën për tokat etnike të gjithë e kemi të barabartë, ndryshe përse djemtë nga Bujanoci luftuan në Dukagjin e Drenicë, ose i madhi Tahir Sinani nga Tropoja në Breznicë. Fundja shumë shoqata që ishin formuar gjatë kohës së Rilindjes, kishin qëllim çlirimin kombëtar, e njëra nga ato ishte themeluar në Amerikë para 100 vitesh, që ne tani të njëjtin emër e mbajmë me shumë krenari.
Në zgjedhjet lokale sidomos në Bujanoc ,,Vatra” ka dhënë një kontribut të madh, dhe me mundin e të gjithëve, komuna fitoi 30 këshilltarë shqiptarë nga 41 sa ka kuvendi. Ky është suksesi më i madh që është arritur ndonjëherë në komunën e Bujanocit. Mirëpo, sa vlen kjo kur nuk u respektua motoja e ,,Vatrës” ,,Uniteti sjellë fitore”, sepse mos uniteti i liderëve politikë në Bujanoc solli koalicionin e padëshiruar të votueseve shqiptarë, sepse liderët politik u sollën në kundërshtim me vullnetin e shumicës shqiptare, e pasojat po i bartë populli. Votuesit e kanë kryer detyrën e tyre, ndërsa liderët kanë rënë nga provimi.
Megjithatë, ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që në programet, por edhe në veprimtaritë e tyre shohim se në rend të parë kanë çështjen kombëtare, e më pak me ata që sakrifikojnë diçka të kombëtares vetëm për të ardhur në pushtet, sado që të pa pushtetshëm do të jenë.
Asnjëherë faktori shqiptar nuk ka qenë më i fortë dhe më i faktorizuar në Ballkan e më gjerë, por edhe rrallë ndonjëherë në histori gjatë kohës kur dominon paça, nuk kemi qenë kështu të përçarë, të pa konsoliduar e të paorganizuar. Ne mendojmë se është dashur dhe duhet të jetë një bërthamë vendimmarrëse, dhe me ndikim të fortë te faktorët e shumtë politikë ndërshqiptarë, në të gjitha trojet etnike.
Themi kështu, ngase dy shtete shqiptare tërësisht kufizohen me toka shqiptare dhe me popull shqiptar dhe shi për këtë na duhet ajo bërthamë vendimmarrëse.
Siç e dimë gjatë historisë të gjithë grabitësit përreth kanë bërë luftëra e luftëra për shfarosjen e popullit e mandej aneksimin e tokave tona. Mirëpo, kurrë nuk ia dolën që ta zhdukin popullin shqiptar, ndërsa me aneksime të Krahinave të tëra, ia kanë arritur qëllimit që të gjithë. Ne, nuk do të pushojmë së kërkuari dhe do të veprojmë pa kursyer asgjë, që Kosova Lindore të kthehet aty ku gjithmonë e kishte vendin, aty ku kërkuan të gjithë ata veprimtarë, ata martirë dhe ata dëshmorë të rënë nga të gjitha trojet shqiptare, ndryshe amaneti i tyre nuk do të shkojë në vend.
Këto sakrifica dhe gjaku i derdhur i brezave të shumtë janë bazament që bashkimi kombëtar nuk ka alternativë./rajonipress/