Varroset në vendlindjen e tij në Dobrosin mjeku i njohur, Sami Dalipi

Gjilan – Në prani të shumë miqve, familjarëve e të afërmëve të tjerë është varrosur sot në vendlindjen e tij në Dobrosin të Bujanocit, mjeku i njohur Sami Dalipi.
Sami Dalipi ashtu siç ishte njeri human dhe i dashur për të gjithë, edhe fundin e tregoi me dashuri e përkushtim, duke e lënë amanet që të varroset në vendlindjen e tij në Dobrosinë.
Shumë miq, shok të gjeneratës, familjar e të afërmë të tjerë morën pjesë sot në ceremoninë e varrimit në Dobrosin, duke i dhënë lamtumirën e fundit mjekut që shëroi shumë breza e që e deshti aq shumë integrimin e diasporës ku jetoi dhe veproi dhe vet progresin e arritur ndër shqiptar.
Pra, Samiu me trup ishte në Zvicër, por përherë me mendje e afërsi ishte me Kosovën dhe me Luginën.
Në emër të Bashkësisë Lokale të Dobrosinit ka folur Reshat Salihu
Fjalimi i plotë:
E nderuar familje Dalipi,
Të nderuar vëllezër e motra, miq, bashkëfshatarë dhe Ju të tjerë të pranishëm,
Jemi mbledhur sot në këtë vend që t’ia japim nderimet dhe lamtumirën e fundit vëllaut, mikut dhe bashkëvendësit tonë, dr. Sami Dalipi.
E diela e 16 qershorit 2024 (dita e parë e Bajramit të vogël) ishte ditë e trishtueshme dhe e dhimbshme për familjen Dalipi, për ne dobrosinasit dhe për gjithë miqtë, kolegët shokët e dr. Samiut. Pasditën e kësaj të diele morëm lajmin e hidhur nga Zvicra se u nda nga jeta më i dashuri jonë, dr. Samiu.
Dr. Samiu lind në Dobrosin, më 25 janar të vitit 1962 nga babai Dalipi dhe Nëna Arifja. Ishte fëmiu dhe gëzimi parë i kësaj familje dhe vëllau i vetëm i pesë motrave.
Ai mësimet e shkollës fillore i mbaroi në vendlindje dhe në fshatin Pogragjë, shkollën e mesme – Gjimnazin në Gjilan, ndërsa studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Beogradit dhe në Universitetin e Prishtinës, gjatë viteve të 80-ta.
Pas përfundimit të studimeve, Ai filloi punën në Spitali rajonal të Gjilanit, por shkaqe të rrethanave të kohës…u detyrua të migroj në Lucern të Zvicrës.
Ai, me njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë e veçanta që kishte, shumë shpejtë u integrua në shoqërinë zvicrane, u punësua në Spitalin e Lucernit, vazhdoi studime pasuniverzitare, ku magjistroi dhe specializoi, e më vonë edhe doktoroi në fushën e Psikiatrisë.
Për një kohë të gjatë punoi në Spitalin e Lucernut, e më pas e hapi Ordinancën e tij private të Psikiatrisë, e para në këtë rajon nga një mjek shqiptar.
Dr. Samiu, me njohurit shkencore, përvojën dhe shpirtin e veçantë të një humanisti që kishte, u ndihmoi shumë mërgatës sonë, e cila punon dhe jeton në Zvicër.
Ai, përveç ndihmës mjekësore që u jepte, ishte edhe kontribuues i madh për mbështetjen financiare, morale dhe të gjithanshme për çështjen kombëtare, të cilën e organizonte mërgata jonë në Zvicër.
Dr.Samiu edhe pse jetoi shkurt, 62 vjet, la pas vete një familje të madhe: gruanë, dy djemë, një vajzë, pesë motra, nipa e mbesa, si dhe shumë shokë e miqë në vend dhe në diasporë.
Sami o vëlla, pusho i qetë në botën e amshueme, në këtë vend dardan, pranë gardianëve të lirisë – dëshmorëve dhe nën hijen Flamurit kuq e zi.
Në emër të BL të Dobrosin, Ju falënderoj të gjithëve që ishit të pranishëm në këtë ceremoni mortore./rajonipress/