Mobi Casa

Varri i dihet, por jo edhe vrasësi

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Selami Sadriu babai i Shaban Sadriut i plagosur rëndë në pusi më 6 gusht 2012 dhe i vdekur nga plagët e rënda më 19 nëntor 2012 ende vazhdon të kërkojë vrasësin e djalit. Selamiu tanimë e ka humbur durimin dhe fajëson e akuzon edhe policinë e prokurorinë të cilat sipas tij nuk po janë në gjendje të zbardhin krimin.

Shaban Sadriu i kishte vetëm 18 vite kur u plagos nga persona të panjohur më 6 gusht të vitit 2012 derisa më 19 nëntor 2012 nga plagët e rënda kishte vdekur. Tanimë janë bërë një vit nga kjo vrasje tinëzare dhe ende s`ka asnjë gjurmë të vrasësve të tij.

Babai i Shabanit, Selamiu të vetmin kujtim që e ka nga djali i tij është varri në fshatin Sllubicë, pak metra larg vendit-pusis ku u vra tinëzisht Shabani.

Selami Sadriu ka humbur nervat dhe durimin. Ndonëse nuk ndodhet në Kosovë, ai vazhdon të shkruaj e kërkojë llogari nga organet hetuese.

Selamiu në një prononcim për rajonipress thotë se më 19 nëntor 2013 djali i tij i ka bërë një vit që është vrarë .“Kanë kaluar një vit dhe ende s`ka asnjë të dyshuar për vrasjen e djalit tim. Unë dyshojë plotësisht në policinë e cila po e fsheh autorin e krimit. Edhe prokuroria e dinë mirë se kush e ka vrarë djalin tim . Unë derisa të jem gjallë dhe kudo që ndodhem do ta kërkojë vrasësin e djalit tim kurse këta hetues të tanishëm nuk janë në gjendje të zbardhin këtë rast” mendon Selamiu.

Mobi Casa

Selamiu thotë se dëshiron ta zbardhi vrasjen e djalit të tij sepse dyshon se vrasja ishte e porositur.

Selamiu tha se ka ofruar disa dyshime fillestare për vrasjen e djalit, por askush nuk po i heton. “Unë si prind nuk kam marrë asnjë raport zyrtarë dhe nuk kam parë se dikush po e heton rastin. Jam shumë i shqetësuar sepse pos që humba djalin , tani kemi edhe frikë, unë , shoqja dhe fëmijët. Kemi frikë sepse nuk po e dimë se nga na erdhi ajo tragjedi, edhe pse me askënd nuk jam në bela e as kërkujt nuk i kam pasur borxh” shprehet Selamiu.
.
Sadriu si kryefamiljar thotë se rastin do ta dërgojë deri në fund.”Dua ta zbardhi vrasjen e djalit sepse unë dyshojë se vrasja e djalit tim është bërë me pagesë”.

Ismet Hashani zëdhënës rajonal i policisë në Gjilan i kontaktuar nga rajonipress tha se rasti i Shaban Sadriut nuk është lënë në harresë, por tani hetimet varen prej Prokurorisë. “Në atë rast nuk ka pasur të dyshuar, por hetimet megjithatë kanë vazhduar “tha shkurt Hashani.

Ndryshe , Shaban Sadriu u plagos për vdekje më 6 gusht të vitit 2012 në vendin e quajtur “varrezat e muhaxhirëve” në Sllubicë. Për një kohë të gjatë qëndroj në koma në QKUK, ku edhe vdiq më 19 nëntor 2012./rajonipress/