Uji Dea

Vargje plot fantazi, humor e argëtim

/ 5 minuta lexim

Nga Ragip Sylaj – Imagjinata e pasur, gjuha e shkathët dhe e zhdërvjellët, figurat e gjetura mjeshtërisht, interesante e të bukura, rimariumi atraktiv dhe këngëtimi, të themi, dinamik, librin e Avdush Canajt, “Fluturat me sandale” e bëjnë me vlera të shquara estetike dhe rrjedhimisht edhe tërheqës për lexim.

Poeti e tregimtari Avdush Canaj (1955) para lexuesit ka dalë me librin e tij më të ri me poezi për fëmijë dhe për të rinj, “Fluturat me sandale”. Libri hapet me vargjet e vjershës paraprijëse “Hape portën”, ndërsa përmbyllet me vargjet e krijimit tjetër të kësaj natyre, “Lëre hapur këtë derë”.

Lënda e librit është organizuar në gjashtë cikle, të cilat në vend të emërtimit të zakonshëm shënjohen nga disa vargje të shkëputura nga ndonjë poezi e librit. Ato njëherësh mund të lexohen edhe si moto të akëcilit cikël.

Krijuesi Avdush Canaj është ndër krijuesit e paktë mjeshtëror, vargjet e të cilit mund të lexohen sa nga fëmijët po aq nga të rinjtë. Ai njëherësh duke zbërthyer shumë të fshehta jetësore e poetike detabuizon shumë tema, të cilat deri vonë janë konsideruar vetëm “pronë” e të rriturve.

Bie fjala në vargjet e vjershës “Zemër shalqiri” shpërfaqet mrekullisht dashuria e gjyshit ndaj fëmijëve, respektivisht nipit. Në botën dhe lojën e këtij subjekti merr pjesë edhe dielli. Çiltëria e fëmijës jepet me tone guximi për të drejtat e tyre. Këtë çiltëri e bën edhe më të këndshme spirituoziteti dhe zgjuarsia e subjektit liri, si te vjersha “Gabimi”.
Hallet e botës së të rriturve parodizohen në një lojë argëtuese fëmijërore: “Edhe kur flokët/ Lëshon nata,/ Votoj për puthje/ E çokollata.”, (fq. 20).

Në vargjet e vjershës “Në planetin s’e di”, nëpërmjet imagjinatës së pasur shpërfaqet bukuria e lirisë, që heshtazi e ëndërron çdo fëmijë.

Nëpërmjet fantazisë, fëmija krijon botën e vet të ëndërrimeve, si kompensim i asaj që i mungon në jetën reale. Andaj, ai në krahët e qershisë e shtron tryezën. “Hallë e teze kam bukurezën,/ N’krahët t’qershisë shtroj tryezën!”, (fq. 23) apo “Fluturova me raketë/ Atje ku luajnë retë”, (fq. 24), ndërsa: “Fluturat vijnë me sandale,/ Mledhin ëndrrat,/ në çdo petale.”, (fq. 27).

Fidanishtja

Te “Pa barazim”, poeti ia mban anën të pafuqishmit, ndërsa kur ikën poeti (Zejnullah Halili), i cili, sipas Canajt, rriste lulet në rrugëtim, “Kënga na mbet kujtim”, (fq. 31).
Te vjersha “Pitagor, na fal” shpërfaqen notat e lehta të humorit e ku vjershërohet padjallëzia e fëmijëve, respektivisht e shkollarëve (të sotëm).

Imagjinata e pasur, gjuha e shkathët dhe e zhdërvjellët, figurat e gjetura mjeshtërisht, interesante e të bukura (p.sh. troftat në sheti, fluturat me sandale etj.), rimariumi atraktiv dhe këngëtimi, të themi, dinamik, librin e Avdush Canajt, “Fluturat me sandale” e bëjnë me vlera të shquara estetike dhe rrjedhimisht edhe tërheqës për lexim. Andaj mund të theksohet se këta përbërës, librin e këtij autori e bëjnë të veçantë, qoftë për strukturën e poezisë, qoftë për spontanitetin e këngëtimit, por edhe për porosinë që përçon ajo te recipienti. Madje, siç është shqiptuar edhe nga mendimi kritik, poezitë (si këto të këtij libri) që lexohen me ëndje nga të vegjlit doemos se do të pëlqehen e do të lexohen edhe nga të rriturit.

“Libri i mirë për të rinj është ai që mund të shijohet, pa kufizim dhe rezervë, edhe nga të rriturit” (G. Lombardo Radiçi). Ndërkaq, në një këndvështrim tjetër, sipas Benedeto Kroçes do të mund të thuhej se, nëse edhe fëmijët ia dalin ta shijojnë një vepër të artit të mirëfilltë, kjo nuk do të bëhet më vetëm për ta, por për të gjithë dhe se për këtë arsye mund të shtohet se ajo nuk i përket më vetëm letërsisë për fëmijë.

Krijimet e Canajt, madje jo vetëm të këtij vëllimi, janë të përbëra nga vargje plot fantazi, humor e argëtim, përbërës këta që mundësojnë një ndërkomunikim më të lehtë e më të efektshëm.

Nga pena e Avdush Canajt deri tash janë botuar këta tituj librash të prozës e të poezisë për fëmijë: “Gjeneral pa epoleta”, “Lepurushi i çokollatave, “Gonxhja nga Jupiteri”, “Zogu në derë”, “A fle peshku me pizhame”, “Mollë me syze” dhe “Dallëndyshet e gjumit”.

Librin “Fluturat me sandale” e botoi SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2013 dhe ka 136 faqe./KultPlus.com/