ARKATANA

Vala e madhe e prokurorisë dhe gjyqësisë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arben Idrizi – Nuk e kanë për asgjë të përpiqen të dalin mbi ligjin, ta konsiderojnë veten të privilegjuar dhe të paprekshëm. E kanë bërë këtë deri më tani. E kanë bërë edhe këta dy ish gazetarët, Nitaj e Zeka – turpi i gazetarisë – për të mos folur për Demaliajn. Zyrtarë të ndryshëm të AAK-së, kryetari i së cilës është (për të mos thënë tjetërgjë) kryeministër i vendit, janë duke dhënë deklarata të vazhdueshme pas arrestimit dhe paraburgimit të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zekës nga NISMA dhe Shkumbin Demaliajt nga AAK. Të dy deputetët janë paraburgosur pas fyerjeve dhe kërcënimeve që kanë bërë në adresë të disa prokurorëve, në të vërtetë edhe të vetë sistemit prokurorial dhe gjyqësor në përgjithësi.

Ka të paktën dy elemente skandaloze tek ato deklarata.

E para, e parafrazuar, thotë se arrestime të tilla ndodhin vetëm në vende totalitare.

E dyta, po ashtu e parafrazuar, kërkon që organet përkatëse t’i lirojnë menjëherë të ndaluarit.

Se arrestime të tilla ndodhkan vetëm në sisteme totalitare, i pari e tha një person brenda kabinetit të kryeministrit, Muharrem Nitaj, ish gazetar. Siç e di edhe ai, një sistem totalitar prokuroria dhe gjyqësori, thënë thjesht dhe me pak fjalë, kontrollohen nga pushteti. Këto dy institucione zakonisht janë akuzuar se ndikohen nga politika. Sigurisht, ai që ka pasur pushtetin e ka përdorur atë për t’i luftuar kundërshtarët politikë. Në rastin e fundit, pothuajse një herë të vetme, e pamë një prokurori të ndërmarrë masa ndaj një zyrtari në pushtet. Një guxim i vërtetë, do të thoshim, po të mos ishte se në parim kjo është puna e saj, të ketë guxim të përballet me cilindo, në pushtet a në margjina, që, me veprimet a fjalët e tij, është në kundërshtim me ligjin.

Eco Higjiena

Nuk qenka bash vend totalitar, vendi ynë. Natyrisht, ajo që po kërkon ish gazetari, është që pushteti t’i tregojë dhëmbët totalitarë: pra ta vërë nën kontroll prokurorinë dhe gjyqësorin, të paktën në këtë rast. Sepse, sipas tij, bashkëpartiakët e tij dhe përkrahësit nga jashtë e politikave të partisë së tij nuk bën të arrestohen, pavarësisht akuzave ndaj tyre. Kjo është mënyra totalitare e të menduarit. Kështu mendon këshilltari i kryeministrit. Do t’ia dalin ta frikësojnë prokurorinë? Këtë do ta shohim në vijim.

Të lirohen? Sipas partisë në pushtet, ata duhet të lirohen, sepse ndalimi i tyre nënkuptuaka dobësim të saj në Kuvendin e Kosovës. Një logjikë e thjeshtë dhe pragmatike, do të thotë: kriminale, banditeske. Deputetët e pushtetit u dashka të jenë të privilegjuar, në krahasim me deputetët e tjerë dhe gjithsesi në krahasim me qytetarët e rëndomtë.

E thonë këtë nga budallallëku, apo nga ai sens banditesk? Ndoshta pak nga e para, por më shumë nga e dyta. Se në fund, në fund fare, e dinë se para ligjit duhet të jenë të barabartë të gjithë. Por, e dinë, po ashtu, se në disa raste mund të dalin mbi ligjin, po hasën në një prokurori dhe gjyqësi të prirë për t’u vënë nën kontroll (çka ka ndodhur kaq shpesh deri më tani). Nuk e kanë për asgjë të përpiqen të dalin mbi ligjin, ta konsiderojnë veten të privilegjuar dhe të paprekshëm. E kanë bërë këtë deri më tani. E kanë bërë edhe këta dy ish gazetarët, Nitaj e Zeka – turpi i gazetarisë – për të mos folur për atë banditin Demaliaj.

Më duket se prokuroria dhe gjyqësori në Kosovë janë në pozicionin e marinarëve japonezë. Në një ksilografi të piktorit japonez Katsushika Hokusai, me titull ‘Vala e madhe e Kanagawës’, paraqiten barkat e peshkatarëve të kërcënuara nga një valë shtrëngate në detin e hapur. Duke parë valët e tilla nga larg, asnjë njeri kurrë nuk do të kishte pasur guximin t’iu avitej dhe të përballej me to. Ato janë një cunami i vërtetë, para të cilit rrëqethemi në tokë, e lëre më në det të hapur. E megjithatë, këta marinarë, që në të vërtetë e njohin rrezikun më mirë se kushdo, sigurisht edhe të shtrënguar nga nevojat, ua mësyjnë. E gjithë çështja është t’u shkosh përballë, të futesh në zemrën e tyre, pa t’u trembur syri. Ende pa e nisur ndërmarrjen, e ke të qartë me shumë se çkado tjetër: një anim, një trembje, një dyshim, një lëshim dhe je i mbaruar.