RCCOLA

Vajushi kërkohet nga klubet e Serie A

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Armando Vajushi është bërë i kërkuar nga disa skuadra italiane. Armando Vajushi kërkon me çdo kusht një aventurë të re, mundësisht në një kampionat elitar.

I ndodhur gjatë këtyre ditëve në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, “Panorama Sport” i ka marrë një intervistë duke u ndalur më së shumti te merkatoja e dimrit.

Nisur nga fakti se kontrata e Vajushit me Liteksin në Bullgari përfundon në fund të këtij sezoni, drejtuesit e Liteksit janë të detyruar në njëfarë mënyre që ose ta rinovojnë në bazë të kushteve të shkodranit ose të pranojnë ofertat e shumta që kanë ardhur në drejtim të tij. Në të kundërt, klubi bullgar rrezikon seriozisht që të humbë me parametër zero, në qershor të 2015-ës një nga talentet e vet më të mirë të viteve të fundit.

Sakaq, vetë Vajushi saktëson se në klub kanë ardhur tri oferta zyrtare nga klube të Serisë A dhe një nga polakët e Legia Varshavës.

Vajushi, keni ardhur për pak ditë në Shkodër për të kaluar disa ditë pushimesh pranë familjes, por nuk i jeni ndarë stërvitjes…
Kemi mbyllur fazën e parë në kampionatin bullgar dhe kam ardhur që të jem për disa ditë pranë familjes time. Natyrisht që unë nuk mund të bëj pushime pasive, sepse mund të ndikojnë negativisht për formën time fizike, ndaj jam stërvitur me Vllazninë, pasi është ndryshe të stërvitesh me trajner dhe ndryshe vetëm. Te Vllaznia përherë jam ndier mirë dhe të njëjtën gjë ndjeva edhe kësaj here.

Si u mbyll për Vajushin gjysma e parë e sezonit te Liteksi?

Mund të them se në planin personal kam kaluar një sezon të mirë, për të mos thënë një sezon shumë të mirë. Gjithashtu, edhe ekipi është mirë dhe kjo më bën që të ndihem rehat. Mund të them se tani te Liteksi jam mësuar dhe ambienti që më rrethon më do. Kam një mbështetje të gjithanshme.

Për pak muaj ju mbaron kontrata me ekipin e Liteksit, do të jeni përsëri pjesë e kësaj skuadre apo keni plane të tjera?

Mobi Casa

Po, është e vërtetë që kontrata më mbaron në fund të këtij sezoni dhe për këtë menaxheri e drejtuesit e ekipit kanë filluar që tani bisedimet mes tyre. Presidenti i klubit ma ka ofruar që të rinovoj edhe për një sezon tjetër për një shumë më të madhe se kjo që marr aktualisht. Megjithatë, dua të them se kam oferta nga tre ekipe italiane: Chievo, Atalanta dhe Udinese dhe po ashtu ka një interesim edhe nga ana e Legias së Varshavës. Prandaj, që më datë 8 janar do të largohem nga Shqipëria dhe do të shkoj në Bullgari së bashku me menaxherin për të diskutuar. Te Liteksi ndihem mirë dhe nëse do ta vazhdoj aty, nuk është se nuk jam i kënaqur. Megjithatë, do të shikoj më parë të gjithë kushtet e kontratës së re dhe çfarë do të bëjë klubi.

Kalojmë pak te Kombëtarja, çfarë pret nga 2015 Vajushi?

Nuk dua të flas shumë në këtë drejtim, por shpresoj që të arrij që të aktivizohem me ekipin përfaqësues dhe nëse e arrij, mund të bëj që të jem pjesë e pandarë e saj.

Sa e keni ndjekur në këtë sezon Vllazninë?

E kam ndjekur si gjithmonë me shumë interesim Vllazninë. Më vjen keq që sapo kanë përfunduar dy fazat e para, ekipi nuk ka asnjë pretendim për të qenë në krye. Edhe në kohën tonë nuk është se kemi dalë kampionë, por të paktën për vendet në Europë është luftuar deri në fund dhe ia kemi arritur. Tani ekipi është i dorëzuar në të gjitha aspektet. Dje jam stërvitur me djemtë e ekipit dhe më ka ardhur keq që diskutohet për rroga.

Së fundmi, keni marrë titullin “Qytetar Nderi” i Qarkut të Shkodrës…

Po, dhe i falënderoj të gjithë për respektin që më është bërë mua dhe natyrisht Kombëtares. Atë që bëmë ne në Beograd do ta bënte çdo shqiptar, ndaj vlerësimi është një nder që më ka bërë Qarku i Shkodrës.