Eko Higjiena

Vagabondët e historisë

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Mujë Rugova – (Jo për ata që luftuan për liri, por për ata që luftuan për pushtet). Shekuj me radhë populli shqiptar luftoi për lirinë e atdheut, ngritjen e shtetit dhe mbrojtjen e tij, por historia tregoi se me tëra këto luftëra dhe përpjekje me shumë sakrifica në vazhdimësi brenda luftërave të lirisë u gjenden edhe vagabondët e historisë që luftuan për pushtet si Hamzai (nipi i Skënderbeut), Esat Pashë Toptani, Çerkezi Ali Shukriu, akademikët Syria Pupovci dhe tani akademiku i gjorë Hivzi Islami. Edhe lufta e fundit nxori farën e këtyre vagabondëve që e plaçkitën Kosovën nga brenda dhe e shiten e po vazhdojnë ta shesin për interesa të tyre bullgarëve, malazezëve dhe serbëve vetëm të qëndrojnë më tutje në pushtet.

Zotëri pushtetarë, po jua përkujtoj këtu:
1. Se serbofili Esat Pashë Toptani, pos që ua shiti Shkodrën malazezëve, duke e vrarë më parë Hasan Riza Pashën, vazhdoi me nënshkrimin e një marrëveshje me Nikolla Pashiqin (1914) në Nish, e cila nuk u realizua kurrë, pasi Pashai e hëngër kokën e vet.

2. Ali Shukria dënoi me vdekje, pas Kuvendit të Prizrenit të 8-10 korrik 1945, ku u vendos që Kosova si provincë autonome të jetë nën thundër të Serbisë dhe kjo i kushtoi Kosovës shumë shtrenjtë, pasojë lufta e Drenicës (‘Arbrisë së vogël’) ku njësitë shqiptare, të prira nga atdhetari Shaban Polluzha, u bënë ballë ushtrisë çetniko-partizane, serbo-malazeze, të cilat u urdhëruan nga Fadil Hoxha në ‘Kalë të zi’, pasuan kryengritjet e Ferizajt e të Gjilanit dhe viseve të tjera të Kosovës të cilat nga forca sllavo-çetnike të konvertuara në partizanë u shuan me zjarr e hekur e pastaj Josip Tito Kosovën (Kosmetinë sipas jugosllavëve) e shpalli zonë ushtarake dhe të tillë e mbajti deri në vitin 1974 (edhe pse zyrtarisht këtë mas të rëndë e ‘hoqi’ në vitet e ’50-ta). Në Kuvendin e Prizrenit 50 deputetë votuan dorëzimin e Kosovës Serbisë, ndërsa 6 kundërshtuan. Populli shqiptar në tërësi e ai i Kosovës në veçanti kanë për detyrim të ndërtojnë objekt përkujtimor dhe të ngrehin lapidar për këta gjashtë trima mbi trima dhe emrat e tyre të shkruhen me shkronja të arta në të gjitha tekstet e historisë. Këta trima ishin: Halim Spahiu, Rexhep Kabashi, Sefedin Ahmeti, Kajtaz Ramadani, Rifat Krasniqi dhe Tahir Deda. Gjykimin e tyre e bëri çërkezi Ali Shukriu.

ARKATANA

3. Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës, nën presionet e Serbisë, bëri suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe atë botë kryetari i Kuvendit ishte kolonisti Jokanoviq. Edhe në këtë rast u gjend një akademik (Syria Popovci) që trumbetonte se ‘askush nuk humb, të gjithë fitojnë’. Në këtë kuvend u gjenden 10 deputetë trimëresha e trima që ishin kategorikisht kundër suprimimit të autonomisë të asaj kohe dhe një nga ata sot e kemi në Kuvendin e Kosovës (trimëreshën e asaj kohe, e besoj shumë që e tillë është sot, Melihate Tërmkollin).

Ju deputetëve të Kuvendit të Kosovës ju bëjmë thirrje në emër të trevës së Rugovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe Podgurit, të mos votoni demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi meqë e keni obligim moral e kushtetues t’i mbroni me votën tuaj interesat e popullit të Kosovës, në veçanti territorin e saj. Në veçanti u bëjmë thirrje deputetëve nga ‘Arbria e vogël’ (Drenica) që u rritën me ninullat e Ahmet Delisë, Azem Bejtës, Mehmet Gradicës, Zenel Baincës, Tahir Mehës, dhe të heronjve shqiptarë të familjes Jashari, në krye me komandantin Adem Jashari. U bëjmë thirrje deputetëve që vijnë nga Llapi e Gollaku dhe Shala e Bajgorës, pasardhësve të Dem Ahmetit, Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij e shumë e shumë të tjerëve që me votën tuaj bashkë me deputetë të tjerë të Republikës nga katër anët e Kosovës të jeni në mbrojtje të territorit dhe interesit të Republikës së Kosovës. Deputetë të respektuar, demarkacioni me Malin e Zi është jo i drejtë dhe këtë e dimë, se edhe ju e dini se edhe kushti për liberalizimin e vizave është vënë në veprim nga qeveritarët e Kosovës të cilët fshihen pas Bashkimit Evropian dhe ShBA-së. Bashkimi Evropian e donë qetësinë e vet si çdoherë gjatë këtyre dy-tre shekujve të fundit, ndërsa ShBA-ja është lajthitur nga kuadrat e korruptuara nga dy anët e Atlantikut.

Deputetë të popullit, sa i përket presidentit, si duket është rralluar nga mendja tani apo ka qenë i rralluar gjithmonë dhe, si i tillë, ka dhe ka pasur ambicie të mëdha personale deri në narcizëm të sëmurë. Shpresoj se kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, nuk është ulur në prehrin e presidentit Thaçi e nëse është ulur, këtë do ta tregojë koha dhe, si të tillë, këta me të gjithë shokët e tyre do të rrëshqasin në shportën e vagabondëve të historisë. Kryeministri Mustafa nuk na çudit fare pasi që është kalitur në ‘Shkollën e Kumrovcit’ dhe nuk ka çka të humbë pasi që u konvertua në një kuadër të përbetuar jugosllav dhe këtë e vërtetoi me veprimet e veta duke qenë një ndër diferencuesit më të zëshm të viteve 1981, pastaj hyri në Qeverinë e Isuf Zejnullahut si ministër (pas suprimimit të autonomisë së Kosovës). Kryeministri i sotëm ka përgjegjësi të mëdha ndaj këtij populli dhe këtij shteti nëse bëhet shtet për Fondin e 3%-shit, Arkivin e Qeverisë në ekzil në Ulm të ri, Bankën e Dardanisë në Tiranë, Fondin e Drenicës të vitit 1998, mjetet e Unionit të Studentëve (378 mijë marka të grumbulluara gjatë muajit tetor 1997 e të derdhura ne Fondin e Qeverisë me fusnotë për studentë) që bënë demonstratat e 1 tetorit 1997, dhe Fondin Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës etj., nëse nuk përgjigjet para shtetit që nuk po duket në horizont, atëherë nëse ka Zot, ka shumë për çka të përgjigjet. Populli thotë peri këputet ku është më së holli, ndërsa zullumi këputet ku është më së trashi. Të respektuar deputetë, pa shuarjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, s’ka as viza e as investime të jashtme në shtetin ‘institucional’ të ‘instuticionalistëve’.