Ushqimet më të mira për humbje në peshë

Mbipesha, e sidomos mbipesha ekstreme, apo obeziteti, e rritin rrezikun nga paraqitja e sëmundjeve të zemrës dhe të sulmeve kardiovaskulare Ja ushqimet që përshpejtojnë humbjen e kileve të tepërta.
SELINOJA
Selinoja ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit dhe përdoret si zvogëlues i apetitit, meqë ka pak kalori dhe shumë fibra. Lëngu i selinos ka veti të forta antiinflamatore dhe është shumë i mirë për detoksikimin e organizmit. Ai ka efekt diuretik, si dhe stimulon pasazhin e zorrëve.
SUPA DETOKSIKUESE
Merreni një enë me katër litra ujë dhe shtojeni një trung të selinos, dy mollë të mëdha dhe dy qepë të mëdha. Lëreni që të vlojë, derisa të zbuten përbërësit. Kullojeni ujin dhe futeni në frigorifer. Konsumojeni nga një gotë gjysmë ore para buke, pasi që ia keni shtuar lëngun e një gjysme të limonit. Pijeni tri herë në ditë. Kjo supë zvogëlon inflamacionin dhe ndihmon në nxjerrjen e lëngjeve të tepërta nga organizmi. Rezultatet i shihni pas një jave.
TËRSHËRA
Tërshëra është një burim i mrekullueshëm i vitaminës B1, selenit, manganit, hekurit, fosforit dhe triptofanit. Ajo përmban edhe proteina me pak yndyrë. Fibrat e tretshme ndihmojnë në humbjen e kileve të tepërta, meqë na mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë. Tërshëra është e përshtatshme që të përdoret sidomos në kafjall, ku mund të kombinohet me jogurt, qumësht, apo kefir.
LIMONI
Lëngu i limonit është burim i pasur i vitaminës C, e cila përmirëson funksionimin e mëlçisë dhe metabolizmin e yndyrave. Ajo po ashtu rrit nivelin e glutationit, një antioksiduesi të fuqishëm, i cili detoksikon organizmin dhe ndihmon në humbjen e kileve të tepërta. Meqë është diuretik i mirë, lëngu i limonit është efikas nëse pihet me ujë të vakët në bark të thatë, me qëllim të pastrimit të zorrëve dhe, në të njëjtën kohë, duke promovuar urinimin dhe humbjen e kileve të tepërta.
KASTRAVECËT
Kastravecët përmbajnë vitamina A, C dhe K, si dhe minerale, si magnez, kalcium, mangan, fosfor bakër, hekur dhe zink. Kastravecët janë të përshtatshëm për humbje në peshë meqë përmbajnë sasi të madhe të fibrave dhe sasi të vogël të yndyrave, prandaj janë idealë për humbje në peshë, sidomos të shtresave të dhjamit në bel. Shtoni kastravecët në sallata dhe ose kombinoni ata me kripë dhe vaj ulliri Lëngu i kastravecëve përdoret shpesh për pastrim të organizmit, për më tepër, ai ofron edhe elektrolitet e nevojshme, dehidron qelizat dhe organizmin në tërësi dhe ju bën që të ndiheni të ngopur për një kohë më të gjatë. Lëngu i kastravecëve mund të përdoret si i vetëm, apo në kombinim me lëngje dhe pemë e perime të tjera.