Urojnë për bashkim

Me urimet më të mira për përvjetorin e gjashtë të shtetit të ri, kanë nisur e mbaruar ditën e 17 Shkurtit edhe artistët tanë. E për ditë më të mira dhe veçanërisht për një bashkim kombëtar kanë shfaqur dëshirën shumica e tyre, karshi urimit të përvjetorit të Pavarësisë…
Që të gjithë u bashkuan në një. Në një urim për një bashkim kombëtar. Por edhe jetëgjatësi mes dashurisë dhe punës për një shtet më të fuqishëm. Kjo ishte fryma festive që në ditën më të rëndësishme të kosovarëve, 17 Shkurtin, ka bashkuar këngëtarë, aktorë, sportistë e modele nga të gjitha trevat ku ka shqiptar.
Eliza: Nisjani me dashni…është pa pare!
Që ta bëjmë shtetin dhe ta duam atë, ka porositur përmes rrjetit social facebook edhe Eliza Hoxha. Këngëtarja që çdoherë thërret për ditë më të mira në këtë vend, e i këndon atyre më dashurinë më të madhe ka këshilluar që ‘t’ia nisim me dashni, sepse ajo është pa para’. “Shtetin e bëjnë njerëzit… Për me e ba, duhet me e dashtë, duhet me e njoftë me të mirat dhe të metat e tij, duhet me e respektu dhe duhet fort me punu në të mirën e tij secili aty ku mundet dhe mendon se mund të japë më së shumti si qytetar dhe si profesionist… Nisjani me dashni…është pa pare”.
Vedati: Dashtë Zoti për bashkim
Karshi lumturisë në përvjetorin e gjashtë të shtetit ku ai lindi, për një bashkim kombëtar ka uruar edhe Vedat Ademi. Këngëtari mitrovicas i cili jeton dhe vepron në Tiranë, karshi një urimi të këndshëm, ka publikuar edhe një fotografi në të cilën shihet harta e bashkimit kombëtar. “Gëzuar 6-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës…Dashtë Zoti së shpejti të festojmë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare…Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë”, ka shkruar përmes rrjetit social këngëtari mitrovicas.
Rosela: E festofshim këtë ditë, sa të ketë diell e hënë
Urimet më të mira për shtetin e saj i ka dhënë përmes rrjeteve sociale edhe Dafina Zeqiri. “Gëzuar pavarësinë Kosovë!”, kishte shkruar përmes Instagram Dafina, ndërsa si një dashuri për vendin dhe flamurin e Kosovës, këngëtarja kishte bërë montazh një foto të saj bashkë me flamurin e Kosovës.
Me foto e urime, për këtë ditë të madhe kishin plotësuar rrjetet sociale edhe Blerim Destani, Ronela Hajati, Vildane Zeneli, Yll Limani, Besart Halimi e shumë të tjerë, ndërsa që të gjithë flamurin e Kosovës e kishin plotësuar edhe me shqiponjën dykrerëshe, pa të cilën duket se shqiptarët nuk bëjnë.
Ndërsa Rosela Gjylbegu ka shkruar edhe një poezi, karshi urimit. “Kosovë e dashur, Kosovë krenare, bijtë e tu më të mirë të bënë sot të lirë. Gëzuar 6 vjetorin e Pavarësisë Kosova ime e dashur, gëzuar gjithë miqve të mi atje nga zemra. E festofshim këtë ditë, sa të ketë diell e hënë…”