Urat lidhëse në mes të Kosovës dhe Kanadasë janë të forta
Halifax, Nova Scotia, Canada-Në shenjë mirënjohje për rolin që Kanadaja ka luajtur gjatë dhe pas luftës së Kosovës në përkrahje të popullit shqiptar atje, Fondacioni Bislimi Grup në bashkëpunim me Galerinë e Artit Craig të Qendrës Kulturore Alderney Landing në Halifax, Nova Scotia, ka hapur solemnisht ekspozitën e artit figurativ “Kosova Falënderon Kanadanë” në mbrëmjen e së enjtes, 30 gusht.
Ekspozita paraqet rreth 25 punime të artit të punuara nga nxënësit e shkollës fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan.
Në hapjen solemne të ekspozitës merrnin pjesë një numër i madh i shqiptarëve që jetojnë në Halifax e rrethinë, qytetarë të shumtë kanadez dhe zyrtarë të lartë qeveritar të të dyja vendeve. Fjalën kryesore e mbajti Hajdin Abazi, Zëvendës Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Kosovës, i cili ndër të tjera theksoi mirënjohjen e përhershme që shqiptarët e kanë për të gjithë miqtë e tyre ndërkombëtar që iu kanë ndalur në ndihmë në kohët më të vështira.
Ai tha se “kjo ekspozitë e fëmijëve të Kosovës shpreh falënderimin e popullit tonë për popullin kanadez në mënyrën më të sinqertë të mundshme, sepse fëmijët janë e ardhmja dhe shpirtrat më të çiltër të një vendi.” Të pranishëm në këtë solemnitet ishin edhe Ministrja e Arsimit të Nova Scotia-s, Marilyn More, Drejtori i Përgjithshëm e Kryqit të Kuq Kanadez (Nova Scotia), organizatë kjo që kishte luajtur rol jashtëzakonisht të madh në pritjen e refugjatëve të Kosovës në Kanada,Ismael Aquino, dhe zyrtarë të tjerë.
Të pranishmit u impresionuan me talentin e artistëve të vegjël kosovarë. Kurse kanadezet nuk gjenin fjalë për të përshkruar sa krenarë ndiheshin me këtë aktivitet, dhe shpeshherë këtë e bënin vetëm duke derdhur lot ngazëllimi.
“Falënderimi për ju buron nga zemra dhe shpirti shqiptar. Dhe, ne jemi të lumtur që patëm mundësinë, që në këtë mënyrë simbolike, përmes artit që ka buruar nga mendjet e pastërta të fëmijëve tanë, t’ua shprehim këtë,” u shpreh Halit Bislimi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Bislimi Grup, i pranishëm në këtë aktivitet. Ndërsa, fjalët më të shpeshta që dëgjoheshin nga të pranishmit ishin fjalë miradije dhe respekti për popullin shqiptar.
Përveç prezantimit në Tabloidin Ndërkombëtar të Poetëve këtu në Halifax me poezinë e tij “Më thuaj një fjalë të mirë” (të përkthyer në anglishte), poeti nga Gjilani, Xhevat Latifi për hirë të të pranishmëve në këtë solemnitet, paraqiti poezinë e tij. Ai e filloi atë me një përshëndetje të shkurtër duke thënë se “nëse lufta nuk fitohet me fjalë, atëherë paqja gjithsesi fillon, fitohet dhe ndërtohet me fjalë të mira.”
Mediet lokale dhe kombëtare kanadeze (si ato të shkruara, elektronike, dhe televizionet) i kanë dhënë rëndësi të veçantë kësaj ngjarje kulturore. Kjo është hera e parë që është organizuar një aktivitet i tillë kulturor më një qëllim të caktuar – shprehjen e mirënjohjes për njerëzit e vullnetit të mirë që kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në përkrahjen e popullit të Kosovës gjatë luftës së Kosovës.
Në këtë kuadër, Faton Bislimi, themelues dhe president i fondacionit Bislimi Grup ishte intervistuar edhe nga kanali televiziv kombëtar CTV në lidhje me ekspozitën dhe rëndësinë e saj.
Bislimi, ndër të tjera ka thënë se “ky aktivitet dhe vizitat tjera që kemi patur nëpër institucionet kanadeze këtu janë shenjë e thellimit të miqësisë në mes dy vendeve dhe popujve tanë. Shqiptarët janë të përcaktuar të mos i harrojnë miqtë dhe të jenë gjithmonë mirënjohës.” Ai ndër të tjera ka shtuar se “pa sakrificën e miqve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Kanadanë dhe popullit kanadez, Kosova sot nuk do të ishte as e lire e as e pavarur.
Por, mbi të gjitha, falënderimi më i përjetshëm i mbetet vet popullit të Kosovës që diti të bëjë rezistencën paqësore, luftën çlirimtare, dhe zhvillimin e paqes dhe demokracisë në shtetin e vet të ri, por të pavarur.”
Përveç kësaj ekspozite, Zëvendës Ministri Abazi së bashku me poetin Latifi si dhe drejtuesit e Fondacionit Bislimi Grup, Halit Bislimi e Faton Bislimi, kanë patur një sërë takimesh me zyrtarë të lartë kanadez në Halifax.
Ata janë takuar me Ministren e Arsimit të Lartë dhe Punës, Marilyn More si dhe Drejtoreshën Ekzekutive te Këshillit Kombëtar mbi Statusin e Grave, Stephanie McInnis-Langley. Gjatë këtij takimi janë shkëmbyer mendime të ndryshme mirëpo fokusi ka qenë në mundësitë e partneritetit në mes Kosovës dhe Nova Scotia-s në fushën e arsimit dhe projekteve për të rinj.
Ministrja More është shprehur e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Kosovën dhe Qeverinë e Kosovës në këto fusha, duke i premtuar Zëvendës Ministrit Abazi se “Nova Scotia, Kanadaja, dhe populli kanadez janë dhe do të jenë përkrahës të paepur të aspiratave dhe përpjekjeve të Kosovës për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe për të ecur drejt integrimeve evro-atlantike.”
Në takimin me Ministrin e Kulturës, Komuniteteve dhe Trashëgimisë, Leonora Prerya, u diskutuan mënyra të shumta të bashkëpunimit në mes dy vendeve. Një nga temat bosht ishte krijimi i lidhjeve kulturore në mes shkollave e qendrave kulturore të Kosovës me ato kanadeze. Ministri Prerya u zotua se do të përkrahë projekte të përbashkëta kulturore në mes dy vendeve tona dhe se ndihet “që kosovarët e kanë pasuruar shoqërinë kanadeze në aspektin human, shoqëror, por edhe ekonomik. Ata janë njerëz të zellshëm, punëtorë, dhe të respektueshëm.”
Në përkrahje të refugjatëve të Kosovës që kishin ardhur në Kanada në vitin 1999, rol të veçantë kishte luajtur edhe Kryqi Kuq Kanadez. Për të shprehur mirënjohjen shqiptare për ta dhe vullnetarët e tyre, delegacioni nga Kosova vizitoi edhe selinë e Kryqit te Kuq Kanadez në Halifax me ftesë të drejtorit të përgjithshëm, Ismael Aquino.
Gjatë takimit u shkëmbyen disa storje të kohës dhe u fol për rëndësinë që ardhja e refugjatëve nga Kosova kishte. Z. Aquino tha se përmes përpjekjeve tona për të ndihmuar sa më shumë refugjatët nga Kosova, ne mësuam shumë.
Ai vazhdoi për të thënë se “disa nga mësimet e marra më 1999 na shërbyen tepër mirë në ballafaqimin me mijëra udhëtarë që përfunduar këtu në Kanada më 11 shtator 2001, pasi SHBA-të mbyllën hapësirën e tyre ajrore.” Andaj, shoti ai, “një falënderim i vaqantë shkon edhe për njerëzit tuaj që ishin shume bashkëpunues gjatë asaj kohë duke na e lehtësuar edhe neve barrën që kishim marrë.”
Flamuri Kosovar Ngritët në Shtizë nën Përcjelljen Ushtarake
Përveç organizatave vullnetare si ajo e Kryqit të Kuq, rol tejet të madh ka luajtur edhe ushtria kanadeze. Forcat kanadeze kanë qenë pjesëmarrëse aktive në luftën e NATO-s për Kosovën dhe mandej kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në pritjen dhe strehimin e mase 5,000 refugjatëve nga Kosova që përfunduan në Kanada. Shumica e këtyre refugjatëve kishin ardhur në Kanada përmes Bazës Ajrore Ushtarake në Greenëood të Nova Scotia. Delegacioni nga Kosova në krye me Zëvendës Ministrin Abazi vizituan edhe bazën ajrore Greendëood edhe kampin ushtarak Aldershot, afër Greenëood-it.
Në Greenëood, Zëvendës Ministri Abazi u prit me nderimet me të larta shtetërore dhe ushtarake. Enkas për t’u takuar me delegacionin nga Kosova në bazë kishte ardhur Koloneli Brian Handley, që më 1999 ishte komandant i kësaj baze e tani është i pensionuar.
Ai ka filluar takimin e delegacionin kosovar me fjalën “mirëmëngjesi” dhe ka shoqëruar delegacionin gjatë gjithë vizitës duke iu treguar atyre të gjitha vendet me rëndësi ku kanë qëndruar kosovarët kur erdhën këtu si refugjatë.
Për Zëvendës Ministrin Abazi dhe anëtarët tjerë të këtij delegacioni ishte siguruar edhe një pritje zyrtare tek komandanti i tanishëm i bazës, Koloneli Patrick Thauberger. Koloneli Thauberger falënderoi Zëvendës Ministrin Abazi për vizitën e tij dhe u shpreh mirënjohës për ekspozitën e bërë në Halifax. Kurse, Koloneli Handley theksoi se “ishte e mahnitshme se si të gjithë ushtarët e civilët e bazës por edhe vullnetarët nga komuniteti këtu kishin bashkuar forcat që brenda dy-tri javëve të kthejnë këtë bazë ushtarake në një vend të banueshëm për familje, duke vendosur edhe lodra për fëmijë e gjëra të ngjashme.” Tutje, tha ai, “shërbimi për kosovarët ka qenë periudha më e mirë e karrierës sime me ushtrinë kanadeze.”
Pas përfundimit të vizitës në bazën Greenëood, delegacioni shkoi në kampin Aldershot ku kishin jetuar për rreth dy muaj disa qindra refugjatë nga Kosova. Delegacioni aty u prit nga komandanti i kampit, Majori Troy Kennedy, kurse në hyrje të kampit, në shtizën kryesore të flamujve, me nderime ushtarake u ngrit në qiell flamuri shtetëror i Kosovës. Për delegacionin, kjo ishte një respekt dhe nderim për shtetin e Kosovës. Flamuri shtetëror kosovar valoi mbi bazën ushtarake Aledershot gjatë gjithë ditës (31 gusht) në shenjë mirënjohje për vizitën e delegacionit të Kosovës dhe të Zëvendës Ministrit Abazi.
Edhe në Aldershot, u vizituan objektet ku kishin jetuar kosovarët. Të gjitha dhomat e gjumit të ushtarëve të stacionuar aty ishin liruar për të strehuar kosovarët, gjersa ushtarët ishin vendosur nëpër tenda në malin pranë bazës. “Nëna ime udhëtonte çdo ditë nga 80 km në një drejtim për të ardhur këtu në kamp për t’ju shërbyer kosovarëve,” tregonte Majori Kennedy, duke paraqitur kështu mirësinë dhe zemërgjerësinë me të cilën kanadezët kanë pritur shqiptarët e Kosovës më 1999. Ndërsa, dy nga kuzhinieret e këtij kampi që ende ishin duke punuar aty, për çudi, edhe pas trembëdhjetë viteve e njohën njërin nga shoqëruesit e delegacionit kosovar, Nijazi Muji, i cili me familje kishte ardhur si refugjatë në Kanada më 1999 dhe që tani ende jeton në Halifax, Nova Scotia.
Delegacioni kosovar dhe Zëvendës Ministri Abazi janë pritur edhe në një sërë takimesh dhe aktivitetesh me komunitetin shqiptaro-kanadez në Halifax me rrethinë.
Të gjitha këto aktivitete e takime janë realizuar dhe koordinuar përmes Fondacionit Bislimi Grup në kuadër të aktivitetit kryesor që ishte hapja e ekspozitës “Kosova Falënderon Kanadanë.” Ekspozita në fjalë është përkrahur nga Komuna e Gjilanit dhe është bërë ë mundshme nga përkushtimi i fëmijëve artiste të shkollës Abaz Ajeti nën përkujdesjen e arsimtarit të artit Ragip Ramadani dhe drejtorit të shkollës Hetem Kosumi. /rajonipress/