Mobi Casa

Ura e vdekjes dhe e trishtimit

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – E njohur si ura e vdekjes, ky kalim tashmë është bërë fobi për banorët që punojnë tokat dhe për shumë familje që duhet për çdo ditë ta kalojnë atë rrugë.

Ndërtimi i urës në kalimin e trekëndëshit Dobërqan-Pogragjë-Stublinë, ndryshe i quajtur si projekt shumë serioz për brezin kufitar edhe pse ishte futur në listën e projekteve qysh në vitin 2011, ai tashmë gati është harruar dhe është lënë pasdore.

Vlera e ndërtimit të kësaj ure ishte paraparë mbi 100 mijë euro dhe realisht ato mjete edhe pse ishin ndarë për nevojat e urës janë ridestinuar për tri projekte tjera – hartimin e dokumentacionit investiv-teknik (50 mijë €), sinjalizimin vertikal dhe horizontal të rrugëve (30 mijë) si dhe 20 mijë € të tjera, për projekte të vogla.

Heqja e këtij projekti nga lista e investimeve patë ngjallur shumë reagime tek banorët e brezit kufitar e kryesisht edhe tek këshilltarët komunal që gravitojnë nga ky rajon. Kjo urë lidhë shumë fshatra dhe ka një histori interesante. Në vitin 1989 është mbytur në ujë komplet një familje 6 anëtaresh. Ka pasur edhe raste tjera kur kalimtarët janë shpëtuar nga mbytjet.

Tashmë kjo urë në gjendjen e tanishme lirisht mund të quhet si ura e vdekjes dhe e trishtimit. Kalimtarët kanë frikë për shkak se ura tashmë ka lëvizur për disa metra në thellësi dhe paraqet rrezik potencial për çdo kalimtarë.

Eco Higjiena

Shkëlqim Latifi këshilltar komunal nga PDK-ja që vije nga brezi kufitar thotë se asgjë nuk kanë kundër investimeve në projektet tjera ,ku mendohet se mund të ketë efekte ai investim. Por heqja e projektit të ndërtimit të urës në Dobërqan nga lista e investimeve nuk ka qenë vendim i menduar drejtë. “Projektet ku përfitues janë banorët e brezit kufitar dhe ku mendohet se me ato investime parandalohet shpërngulja duhet vetëm të avancohen e kurrsesi të stopohen” thotë Latifi.

Sipas tij ndërtimi i urës Dobërqan –Pogragjë-Stublinë i ngrit shpresat dhe krijon gjallëri për atë pjesë sepse bashkon interesat familjare të fshatrave në kufi me Serbinë, siç është Dobrosini,pastaj ofron familjet e shumta nga Bilinica,Llovca,Kokaj,Stublina,Zahiraj etj dhe krijon ura afërsie edhe me familjet e shumta të 13 fshatrave të rajonit të Kamenicës. “Unë i përkas subjektit politik që aktualisht udhëheq me pushtetin,por vërtet nuk e kam pritur mirë stopimin e këtij projekti “.

Ndërsa, Ibish Ibishi këshilltar nga AAK-ja thotë se me stopimin e këtij projekti janë dëmtuar interesat e banorëve të brezit kufitar. “Vërtet është një goditje e madhe për ata banorë të cilët kanë shpresuar shumë,madje kjo ishte premtuar nga të gjitha partitë politike edhe në kohën e fushatës. Pavarësisht vendimit të fundit unë nuk do të heq dorë që në çdo moment ta përkrahi atë projekt shumë real dhe të arsyeshëm”. Ibishi tha se ndërtimi i urës në Dobërqan e Stublinë godet në radhë të parë kontrabandimin e mallrave sepse policia do të ishte më e pranishme në atë rajon.

Aktualisht ura ekzistuese është shumë e papërshtatshme dhe paraqet rrezik shumë serioz për jetën e atyre familjeve të pakta që rrezikojnë të kalojnë mbi urë. Po të investohej në ndërtimin e kësaj ure shpërngulja definitivisht do të ishte eliminuar kurse ka shumë familje nga ai rajon që janë të interesuara të kthehen dhe të punojnë tokat e tyre .Madje sipas Ibishit përfitues nga ky projekt janë edhe vetë serbët e fshatit Ranillug.

Qemajl Mustafa duke mos e fshehur faktin se nuk është bërë me dëshirën e tij tërheqja e këtij projekti pati thënë se Komuna nuk do të harrojë interesat e banorëve të brezit kufitarë. “Ai projekt donë mjete shtesë dhe ne nuk qëndrojmë mirë financiarisht. Projekti është shumë i kushtueshëm dhe është vështirë të realizohet,por kurrsesi nuk heqim dorë nga ai projekt. Unë kam premtuar se do ta përkrah atë rajon dhe kështu edhe do të ndodhë. Gjithçka që do të bëjmë,do ta bëjmë në bashkëpunim me prioritete që do të caktohen edhe nga komuniteti i asaj ane” patë deklaruar Mustafa./rajonipress/