Ura e “shpresës”, nën mëshirën e komunës injorante

Gjilan – Komuna e Gjilanit po tregohet injorante dhe totalishtë e papërgjegjshme në rastin e Urës së Dobërqanit që lidhë fshatrat kufitare. Edhe pse kompania “Bejta Comerc” ka dërguar specifikacionin për punimet shtesë, zyrtarët komunal ende janë në hamendje se çfarë dhe si duhet të veprohet në këtë rast. Papërgjegjësi totale po tregohet në këtë situatë në kohën kur shumë familje nga Dobërqani duhet të kalojnë urën për të punuar tokat e tyre.
Si duket do të shkojë një kohë e gjatë derisa të rifillojnë punimet e mbetura në gjysmë në urën e shpresës që lidhë fshatrat kufitare me Gjilanin, Kamenicën e Bujanocin.
Ura ka mbetur “Jetimë” dhe peng i neglizhencës së zyrtarëve komunal të cilët ndonëse e kanë pranuar kërkesën dhe specifikacionin e kompanisë “Bejta Comerc”, ky problem po del të shndërrohet sikurse rasti i Kanalit të Suezit që u bllokua për disa javë.
Pronarët e kompanisë “Bejta Comerc” thonë se ata janë në pritje të komunës, nëse do të aprovohet kërkesa e tyre dhe se ata janë të gatshëm që të përfundojnë punimet.
Por nga kompania gjithashtu thonë se ata nuk do të punojnë pa kontratë të nënshkruar sepse kështu kanë punuar edhe më herët, por askush nuk ua ka paguar punimet shtesë.
Ndryshe Kompania “Bejta Comerc” i ka dërguar një letër të gjithë zyrtarëve komunal duke filluar nga Lutfi Haziri e deri tek shërbimet publike, ku ka kërkuar vlerësim të dëmeve në urën që lidhë Dobërqanin me Stublinën dhe Pogragjën.
Në letër thuhet se niveli i lartë i ujit ka arritur që të shkaktojë vërshime anekënd urës, ku edhe është shkaktuar zgjerimi i shtratit në të dy anët e urës. “Kërkojmë nga ju që të ndërmerrni hapat e duhur me këtë vlerësim të dëmeve e më pas për tu kompensuar që të kemi mundësinë për të rifilluar punët në ndërtimin e urës, me fillimin e sezonës që të mos zvarritet për shkak të vlerësimeve dhe kompensimit” thuhet në letrën e kompanisë drejtuar Lutfi Hazirit, Naser Korçës, Arbër Ismajlit, Bekim Bajramit, Sami Spahiut, Ramiz Ramadanit etj.
Banorët e Dobërqanit të cilët i kanë tokat andej urës, pra nga pjesa e Stublinës thonë se janë të zhgënjyer nga komuna e Gjilanit./rajonipress/