Hidromorava

UP në prill shpall konkurs për staf të ri akademik

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Universitetit të Prishtinës do të shpallë konkurs për stafin e ri akademik gjatë muajit prill të këtij viti, në mënyrë që stafi i zgjedhur të fillojë punën në vitin e ri akademik më 1 tetor.

Por ende nuk kanë përfunduar konkurset nga menaxhmenti i kaluar. Udhëheqës të Universitetit bëjnë të ditur se është krijuar një komision i cili po merret me shqyrtimin e atyre rasteve.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha për Radio Kosovën se është krijuar komisionin për studime, i cili ka trajtuar mbi 12 raste pjesë të konkursit të mbetur. Ai tha se këto raste kanë kaluar nëpër Këshillin e Studimeve, në Senat dhe janë zgjedhur, ku shumica prej tyre janë asistentë dhe vetëm dy janë profesorë.

Ndërkohë, në mbledhjen e radhës, komisioni i studimeve do të procedojë me rastet e tjera, që janë pjesë e konkursit i cili ende nuk ka përfunduar.

“Konkursi ka mbi 50 vende të shpallura për profesorë, avancime dhe prej tyre janë shqyrtuar fare pak. Menaxhmenti i kaluar ka shqyrtuar disa në mënyrë selektive, disa asistentë dhe disa profesorë, pjesa tjetër e konkursit na ka mbetur neve që ta shqyrtojmë e ta trajtojmë”, tha ai.

Uji Dea

Rektori Gashi tha se zgjedhjet e stafit akademik, të cilët janë proceduar në mbledhjen e senatit, janë bërë në përputhje me ligjin dhe statutin, pa pasur asnjë ndërhyrje dhe asnjë reagim.

”Mendimi ka qenë unanim për këto raste. Në këto raste mendoj që nuk ka pasur asnjë anashkalim dhe shkelje të procedurave e aq më tepër shkelje të kritereve të cilësisë, janë marrë më të mirët me notë mesatare. Ka edhe një instancë në senat, është komisioni për ankesa dhe parashtresa për ata që kanë ngelur të pakënaqur. Kemi bërë këtë komision të ri, funksional për ankesa që rishikon vendimet e senatit nëse ka pasur ndonjë shkelje”, deklaroi rektori.

Ndërsa, për rastet që janë zgjedhur më herët nga konkursi i menaxhmentit të kaluar, rektori Gashi nuk mund të thotë nëse është bërë zgjedhja e duhur. Ai gjithashtu tha se janë disa ankesa që kanë të bëjnë me mos respektimin e notës mesatare.

Por, theksoi se vetëm Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa mund të japë mendimin se a kanë qenë të drejta apo jo ato përzgjedhje.

Rektori Gashi, premtoi se në pjesën e konkursit që ka mbetur, çdo gjë të shkojë në frymën e kritereve për t’u zgjedhur më të mirët. /Telegrafi/