RCCOLA

UP e ngathët me doktoratën, kolegjet hiç fare

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Universiteti i Prishtinës (UP) mbetet institucioni më i privilegjuar për shkak të kërkesës për studim jo vetëm në nivelin bachelor apo master, por dhe në atë të doktoratës. Doktorata në UP, një nga nivelet e studimit më të kërkuara, është procesi akademik-shkencor me më së shumti ngecje.

Ndonëse gjatë mandatit të udhëheqjes së ish- rektorit Enver Hasani UP u bë me rregulloren që çdo tre vjet të organizohen studime të doktoratës, pasardhësi i tij Mujë Rugova pati deklaruar se në UP për çdo vit ka nevojë të organizohen studime të doktoratës. Tani, UP-ja po hyn në vitin e tretë që premtohet, por nuk organizohen këto studime.

Menaxhmenti i ri i UP-së ka paralajmëruar që në këtë muaj të organizohen këto studime në gjashtë programe të akredituara në Juridik, Bujqësi, Mjekësi dhe Ekonomik, kurse për njësitë tjera akademike Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) nuk ka lejuar mbajtjen e këtyre studimeve për shkak të mosaplikimit për të marrë akreditim. Procesi i akreditimit të programeve të doktoratës në shumicën e fakulteteve të UP-së është shtyrë për sivjet.

Megjithëkëtë, UP ka kërkesa edhe nga kandidatë të diplomuar në institucionet private të arsimit të lartë. Në UP sivjet janë pranuar në studime master edhe kandidatë nga kolegjet private, madje me kritere më të zbutura, duke hequr pesë provimet që ishin kusht për t’i dhënë një kandidati mundësi për t’u ranguar në listën e konkurrencës për drejtimin ku ka aplikuar në UP.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë e Kosovës e ka arsyetuar këtë veprim si një mundësi që të rinjtë të trajtohen të barabartë, të mos ketë diskriminim të të diplomuarve tek privatët. Arbër Morina, këshilltar i ministrit të Arsimit Ramë Buja, ka thënë se nga menaxhmenti i ri i Universitetit janë hequr pesë provimet që kanë qenë barrierë dhe janë lënë në dorë të njësive akademike të vendosin nëse ka nevojë dhe duhet provime shtesë apo jo për studentët.

Por, Morina ka thënë se çështja e studimeve të doktoratës në UP edhe për kandidatët që kanë kryer master në kolegje të vazhdojnë doktoratë në UP nuk është shqyrtuar ende. Ai ka theksuar se ministri Buja do të diskutojë për disa çështje tani në fillimvit dhe një nga to mund të jetë edhe doktorata, pra kërkesat e kandidatëve nga privatët.

Mobi Casa

Ndërkohë, zyrtarë të AAK-së thonë se vetëm UP-ja tash për tash mund të organizojë studime të doktoratës, por dhe ky institucion me kapacitete që duhet llogaritur mirë para se të marrë vendim për të lejuar studime të doktoratës dhe për të diplomuarit në master në privat. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) Ferdije Zhushi-Etemi ka thënë se është shumë e arsyeshme që është hequr pragu prej pesë provimesh, pasi sipas saj do të dëmtohej ndonjë student si rast unik.

Por, ka kërkuar që njësitë akademike të rivlerësojnë me provime aq sa mendojnë se është e nevojshme për t’i regjistruar në master. Zhushi-Etemi ka theksuar se për doktoratë është herët të mendohet, ndonëse përjashton si mundësi që mund t’ua krijojë UP-ja studentëve nga privatët.

Mirëpo, së pari ajo thekson që UP duhet të matë kapacitetet e veta pasi çështja e mentorimit është kriteri kryesor për doktoratë dhe pastaj të vendosë nëse ka kapacitet për vete dhe pastaj për privatët.

Ndërsa, thotë se kolegjet private tash për tash janë larg plotësimit të kushteve për të hapur doktoratën, pasi sipas saj, këto kolegje kanë problem me staf të rregullt akademik me thirrje të lartë. Ajo thekson se këtyre kolegjeve iu mungon stafi me thirrje të lartë shkencore me marrëdhënie të rregullt pune që është kusht kryesor për këtë nivel studimesh, por edhe që shumë herë po iu nxjerr problem në akreditim institucioneve të larta arsimore private.

“Në qoftë se një institucion nuk ka staf të rregullt dhe me thirrje të profesorëve të asociuar, nuk mund të bëhet punë hulumtuese shkencore, prandaj nuk lejohet nga agjencia doktorata në kolegje”. Ajo thotë se AAK-ja siguron se kolegjet kanë cilësi për thirrjen si kolegje e për më shumë jo. “Universiteti është një institucion arsimor, por dhe shkencor. Përderisa, kolegjet tash për tash nuk e kanë këtë komponentë për t’u pranuar një kandidat nga kolegjet në UP-doktoratë duhet të aftësohet së pari për punë shkencore, të japë provimet lidhur me këtë formim të tij dhe pastaj mund të hyjë në doktoratë”, ka thënë ajo.(zeri)