Hidromorava

Universiteti, ky krim i rëndë i PDK-së

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Berat Buzhala – Gjatë qeverisjes shtatë vjeçare PDK ka kryer punë të vyera. Por mënyra se si e ka sjell buzë shkatërrimit total Universitetin e Prishtinës e ngarkon ketë subjekt politik me një krim të rëndë moral dhe material. A ka zgjidhje?

Te paktë janë ata njerëz që i kanë rezistuar tundimit për të mos u korruptuar materialisht, ose intelektualisht, gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës.

Dikush prej nesh me ndonjë pozitë, e dikush prej nesh me ndonjë grosh, e dikush tjetër me ndonjë titull shkencor.

Marrë në përgjithësi hapësira akademike është rrudhur aq shumë sa në gishta të dorës – të njërës – i numëron ata burra a gra që janë në gjendje të shikohen në sy me politikën dhe në fund të mos e ulin kokën, a tundin bishtin, por ta thonë mendimin e tyre në mënyrë të pavarur.

E kjo ka ndodhur më së shumti – aty ku do të duhej të ndodhte më së paku – në Universitetin e Prishtinës.

Është shndërruar, të më ndjejnë ata punëtorë të zellshëm, në një bordel, ku nuk ka mbetur kush pa u shkërdhyer nga politika, duke filluar prej rektorit.

Më së shumti rektori. E më së shumti ky i tashmi. Kur jemi tek figura e bordelit, atëherë rektori aktual patjetër që do ta meritonte epitetin e ‘balerinës’ ose ‘masazherës’ më të eksperiencuar brenda atyre mureve.

Të mos flasim këtu për ato figura të mjera të dekanëve, e shefave të departamenteve, e të senatit a të Këshillit Drejtues. Të mos flasim këtu për ata udhëheqës unionesh studentore, që më shumë preokupohen se kush qysh po e interpreton religjionin se sa shkencën.

Të mos flasim këtu për ata mësimdhënës universitarë, që janë aty për çfarëdo arsye, por jo për ato për të cilat do të duhej të ishin aty – dijes dhe pedigresë shkencore.

E të mos flasim këtu për gjithë ato universitete publike të hapura anekënd Kosovës. Partia që unë i takoj gjatë këtyre shtatë viteve ka kryer ca punë të vyera për shtetin tonë. Ka ndërtuar rrugë, ka hapur kanalizime e ka rritur paga. E ka udhëhequr vendin suksesshëm në negociata me fqiun tonë më armiqësor.

Dhe punë të tjera që nuk dëshiroj tash t’i numëroj. Por partia ime, Partia Demokratike e Kosovës, gjithashtu me mënyrën se si e ka trajtuar Universitetin, fillimisht me Mujë Rugovën, e tash me Ibrahim Gashin, e ka kryer një krim moral të jashtëzakonshëm. E ka shndërruar Universitetin – atë që ka qenë – në një filialë partiake.

KKVITI

Unë e di që hiq më mirë me ketë institucion nuk sillej as LDK. E kam parasysh se LDK e ka pushtuar Akademinë e Shkencave të Kosovës, por nuk e mendoj që ka qenë e domosdoshme që PDK ta imitonte atë subjekt politik, në këso marrëzish, për gjoja një ngritje intelektuale të partisë.

Në fakt më këso lëvizjesh nuk është ngritur intelektualisht PDK – siç ndoshta ka qenë qëllimi fillestar – duke u furnizuar me diploma e tituj akademik, e duke punësuar pa meritë në UP të njerëzve të saj, por ka rënë intelektualisht dhe moralisht UP’ja.

Ka rënë aq poshtë sa shumica e dekanëve, e anëtarëve të Këshillit Drejtues, e Senatit, e shefave të departamenteve, janë shndërruar në lodra të neveritshme të politikës.

Të mos më keqpkuptoni, se kështu nuk ka vepruar vetëm PDK.

Por kjo i bije hiseje më së shumti PDK’së.

Përndryshe të bashkuar në injorancë kanë qenë edhe subjektet e tjera politike, e edhe pinjoll familjesh të nderuara.

Ky lëmsh nuk mund të tfillohet me një lëvizje të dorës.

Por ky lëmsh mund të niset se zgjidhuri prej diku, prej një pike.

Dhe kjo pikë nuk është Ibrahim Gashi. Ai është opozita e zgjidhjes së problemit. Është dihotimia e diturisë.

Prej pozitave krejtësisht neutrale, unë mendoj, se emër më kredibil për ta udhëhequr Universitetin e Prishtinës se sa Qëndrim Gashi nuk po shoh. Është profesori i vetëm që pa ngurrim është vënë në krye të kanalizimit të frustrimit të të gjithë atyre zërave që nuk janë të kënaqur me gjendjen në UP.

Nuk dëshiroj të numëroj edhe plot cilësi të tjera që ka Qëndrimi, e që do të na mundësonin ne që të mburreshim përpara botës me së paku një udhëheqës të një institucioni, siç është Rektorati e siç është Universiteti i Prishtinës.