Universiteti i Prishtinës drejt digjitalizimit

Nga 1 tetori i këtij viti studentët e Universitetit të Prishtinës do të pajisen me kartela studentore të digjitalizuara në një sistem, ku do të kenë qasje studenti, profesori dhe administrata e Universitetit.
Studentët e regjistruar vitin e kaluar dhe të regjistruarit në vitin akademik 2012/2013 në Universitetin e Prishtinës, do të pajisen me kartela studentore, të digjitalizuara. Drejtori i Teknologjisë së Informacionit në Universitet, Isak Shabani, tha për Radio Kosovën, se në këtë qendër janë prodhuar 18 mijë kartela elektronike për studentë, që do të thotë se këto kartela tashmë do të zëvendësojnë indeksat, raporton RTK.
“Tani në UP po finalizohet projekti i digjitalizimit të shërbimeve administrative dhe akademike, në të cilin është punuar prej katër vjetësh. Janë tre akterë kryesor. Një kartelë do të ketë studenti, kartelë mësimdhënësi dhe një kartelë referenti. Secili nga këta do të ketë një emër shfrytëzuesi dhe një shifër sekrete përkatëse, pra është një llogari përkatëse për qasje në sistem. Studentët me këtë mënyrë aplikojnë për provimin online, lista me emrat e tyre i shkon në llogarinë e mësimdhënësit që zgjedhin studentët për të hyrë në provim”, tha Shabani.
Kjo mënyrë do ta përcjellë studentin deri në diplomim. Shabani tha se Universiteti ka krijuar dhe shtojcën e diplomave që është kërkuar nga Komisioni Evropian.
“Është digjitalizuar dhe shërbimi i diplomave, studenti pra prej fillimit do të aplikojë për notim përmes digjitalizimit ashtu si ka aplikuar për regjistrim në UP dhe në fund merr dhe diplomën në formën elektronike, më pas atë fizike me nënshkrim të dekanit”, theksoi Shabani, duke shtuar se është digjitalizuar edhe transkripti i notave që i mundëson studentit të bëjë kërkesë online dhe të marrë transkriptin e notave-certfifikatën pas pagesës që bënë. Me kartelën që do të zëvendësojë indeksin studentët do të identifikohen kudo që iu duhet të kryejnë shërbime. Në digjitalizim do të hyjnë edhe studimet master dhe ato të doktoratës. Ndërkohë brezi i studentëve nga vitet 70-ta deri më 2012, do të kenë të dhënat e tyre në dosje, sipas sistemit të mëparshëm jo-elektronik./Indeksonline/