Uji Dea

Unitet për realizim të të drejtave themelore

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Protestat e fundit të shqiptarëve në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë dëshmuan se duhet akoma kohë për të arritur paqen e qëndrueshme në mes të kombeve që jetojnë në këtë shtet. Kjo paqe, është e qartë, se nuk do të mund të arrihet pa respektim të të drejtave themelore të shqiptarëve në Maqedoni.

Përkundër marrëveshjes së Ohrit, të lidhur pas konfliktit të armatosur që ishte pikërisht rezultat i mohimit të të drejtave të shqiptarëve, autoritetet maqedonase akoma zgjedhin rrugën e mosrespektimit të kësaj marrëveshjeje, e cila, ndër të tjera, ishte arritur edhe me ndërmjetësim dhe mbikëqyrje të komunitetit ndërkombëtar. Dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve, jo vetëm që është e papranueshme, por tregon edhe njëherë një logjikë të dhunës, e cila nuk zë më vend në veprimet e demokracive perëndimore, aq më pak në një shtet kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Logjikë e ngjashme, madje shumë më e ashpër, përdoret kundër shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilët nuk po mund t’i gëzojnë as të drejtat e tyre më elementare, dhe vazhdimisht janë objekt i shkeljeve, përbuzjes, maltretimeve e burgosjes. Madje as e drejta e tyre në arsim nuk respektohet, siç e pamë kur u konfiskuan librat shqip që institucionet e Kosovës i kishin dërguar për shkollat e Preshevës. Mos të flasim për mungesën e paanshmërisë së institucioneve të drejtësisë në Serbi, të cilat vazhdimisht kanë qenë qendër e padrejtësive ndaj shqiptarëve, në vend se të ndanin drejtësinë. Një mosbesim i tillë ndaj institucioneve të drejtësisë ekziston edhe në Maqedoni, që burimin e ka pikërisht të mungesa e paanshmërisë së këtyre institucioneve në raport me shqiptarët.

FIDANISHTJA

Fatkeqësisht, reagimi i vonshëm dhe i zbehtë i Qeverisë në ikje në Kosovë dëshmoi se prioriteti i vetëm i saj është mbushja e xhepave të vet dhe rrënimi i raporteve të mira me shtetet mike, siç ishte rasti i fundit me Austrinë. Madje, mosinteresimi i Qeverisë Thaçi për të drejtat e shqiptarëve u dëshmua edhe në dialogun Kosovë-Serbi, ku ekipi Kosovar asnjëherë nuk shtroi çështjen e reciprocitetit të të drejtave për shqiptarët në Kosovën Lindore. Në këto rrethana, shihet qartë se shqiptarët në Maqedoni, si dhe ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk mund të presin shumë nga Kosova. Por, ata, mund dhe duhet, ta ndryshojnë situatën duke filluar nga vetvetja, pra duke u bashkuar dhe unifikuar, pavarësisht dallimeve partiake, për një kauzë më të madhe, që është realizimi i të drejtave të shqiptarëve. Ata mund të mësojnë shumë nga shembulli i shqiptarëve në Kosovë në vitet e 90-ta, të cilët të bashkuar dhe unik flisnin me vetëm një zë, atë të Presidentit Ibrahim Rugova, dhe kështu arritën të krijojnë miqësi tek shtetet më me ndikim në botë, ta orientojnë Kosovën drejt perspektivës euro-perëndimore dhe të realizojnë aspiratat për liri e pavarësi. Pra, shembullin e kanë. Tash u mbetet atyre ta realizojnë.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Tribuna)