Uji Dea

Unioni i Imamëve Shqiptarë, kundër filmit provokues dhe kundër dhunës

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

“Shpresojmë se edhe pas këtyre provokimeve nga bërësit e filmit dhe reagimeve të pamatura të myslimanëve, sërish do të mbisundojë arsyeja”.

Lidhur me zhvillimet e fundit të dhunshme në botën islame, që ndodhën si pasojë e filmit fyes ndaj Muamedit, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka dhënë një deklaratë pë opinion. Në këtë deklaratë ky union dënon ashpër autorët e filmit provokues por edhe dhunën që kanë ushtruar protestuesit myslimanë duke shprehur mllefin e tyre.

“Pas shfaqjes së filmit “Pafajësia e myslimanëve/Innocence of Muslims” nga regjisori i diskutueshëm Sam Bacile, ku ndër të tjera në mënyrë përçmuese paraqitet pejgamberi Muhammed a.s. si një person i dhënë pas alkoolit, femrave apo erotizmit etj., me ç’rast si pasojë në botën arabe plasën protestat e dhunshme të myslimanëve ndaj këtij ofendimi, ne si Union e shohim të arsyeshme të deklarojmë se përmes këtij filmi satirë, ku ofendohet pejgamberi ynë Muhammedi a.s., në fakt ofendohen mbi 1.8 miliardë myslimanë në mbarë botën. Kjo nga arsyeja se fillimisht Muhammedi a.s. nuk ka qenë një figurë e tillë, përkundrazi ka qenë e kundërta e asaj që paraqitet në film, dhe së dyti Muhammedi a.s. është pejgamberi dhe shembulli/modeli i mbarë myslimanëve gjatë gjithë historisë. Andaj nuk mund të pritet që myslimanët ta mirëpresin një ofendim të këtillë dhe të mos e shprehin mospajtimin e tyre ndaj tij”, thuhet në fillim të deklaratës së UISHZ.

Regjisori dhe producentët e filmit duhet të kishin kërkuar falje për këtë ofendim, sapo shpërthyen protestat. Për fat të keq ata akoma nuk e shohin të nevojshme të pendohen për atë çfarë kanë shkaktuar. Kjo tregon anën e errët të gjykimeve dhe qëndrimin provokues të tyre. Liria e mendimit dhe e shprehjes nuk manifestohet duke ofenduar të tjerët e në veçanti jo duke ofenduar dhe përçmuar simbolet dhe figurat e rëndësishme të një feje.

UBT

Myslimanët, të manipuluar dhe jo të manipuluar, nuk arrijnë dot ta ruajnë gjakftohtësinë, dinjitetin dhe qëndrimin e drejtë të tyre përkitazi me këto dhe të ngjashme ofendime. Protestat e dhunshme, djegia e ndërtesave, plaçkitja e pasurive, dhe më e keqja vrasja e njerëzve të pafajshëm, në veçanti të diplomatëve amerikanë e të tjerë, të gjitha janë të patolerueshme në Islam, të pafalshme dhe para së gjithash joproduktive. Nëse ka arsye për protesta, ato duhet të jenë të kontrolluara mirë, paqësore, me mesazhe të qarta kundër përhapjes së urrejtjes ndaj Islamit, myslimanëve dhe elementeve të fesë islame. Duke dashur të tregojmë se e mbrojmë Muhammedin a.s. të mos sillemi në kundërshtim me mësimet e tij. Protestat e dhunshme të myslimanëve vetëm se e arsyetojnë mesazhin që bërësit e filmit kanë dashur ta përçojnë në opinion, e ai është para së gjithash brutaliteti dhe dhuna që myslimanët kinse e ushtrojnë ndaj të krishterëve në Egjipt. Andaj, ne si Union shprehim keqardhje për këtë që po ndodh dhe në të njëjtën kohë shprehim ngushëllimet tona ndaj familjeve të personave të vrarë në mënyrë të pafajshme.

Ne i ftojmë të gjithë, myslimanët dhe jomyslimanët, që ta studiojnë mirë, me seriozitet dhe në mënyrë objektive jetën e pejgamberit tonë Muhammedit a.s. dhe të përçojnë mesazhet hyjnore, profetike dhe humane që dalin nga ajo për mbarë njerëzimin. Është para së gjithash detyrë e jona si myslimanë që në mënyrë të denjë ta prezantojmë biografinë e Muhammedit a.s. me të gjitha aspektet e jetës së tij. Në veçanti këtë duhet ta bëjmë duke jetuar sipas modelit që na ka trasuar ai vetë. Krahas të gjitha nënçmimeve e të zezave që ia bënin kundërshtarët e tij derisa ai ishte gjallë, shokët i thoshin: “O i Dërguar i Zotit, pse nuk po i mallkon këta njerëz?!”, në çka ai është përgjigjur: “Jo, nuk jam i dërguar si mallkues, porse si mëshirë për mbarë njerëzimin”. A thua ai do të ishte përgjigjur ndryshe sot, po të ishte gjallë? Historikisht dihet se ai kurrë nuk është hakmarrë ndaj atyre që e kanë ofenduar apo nënçmuar atë personalisht. Ai ka vazhduar ta përcjellë edhe më tej mesazhin hyjnor e të veprojë në mënyrë edhe më efektive në rrugën e tij, përkundër kundërshtimeve dhe përçmimeve që ia bënin.

Ne shpresojmë se edhe pas këtyre provokimeve nga bërësit e filmit dhe reagimeve të pamatura të myslimanëve, sërish do të mbisundojë arsyeja e shëndoshë, gatishmëria për të respektuar njëri-tjetrin me krejt çfarë ata kanë, përfshirë edhe fenë e tyre, dhe të kontribuojnë në ngritjen e besueshmërisë, të paqes dhe të mirëqenies së gjithëmbarshme njerëzore. Ne shpresojmë po ashtu se mendjet e ndritura të të gjitha palëve nuk do të lejojnë që këto vlera të shemben e të nëpërkëmben nga ata që vazhdimisht dëshirojnë të provokojnë dhe nga ata që presin të provokohen, thuhet në komunikatën e UISHZ-së, të nënshkruar nga kryetari, Mr. Rejhan Neziri.(albinfo.ch)