Unia mbështet protestën kundër privatizimit në Kosovë
Sindikata zvicerane, Unia, mbështet protestën që sindikatat kosovare kanë paralajmëruar për nesër, kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike. Në një letër përkrahjeje drejtuar kryetarit të BSPK-së, Haxhi Arifi, UNIA thotë se solidarizohet me kërkesat e protestës.
“Unia, organizata që në radhët e veta ka të organizuar numrin më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Zvicër mbështet peticionin e organizuar nga BSPK-ja dhe solidarizohet me kërkesat e punëtorëve, sindikatave të tyre BSPK-në, organizatat joqeveritare e subjektet politike si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës që në mënyrë të organizuar edhe përmes protestave kundërshtojnë privatizimin e PTK-së, KEK-ut dhe Trepçës”, thuhet në letër.
Më tutje Unia konstaton se deri më tani “procesi i privatizimit ka lënë pa punë me dhjetëra mijë punëtorë dhe ka shkatërruar prodhimin dhe perspektivën e këtyre ndërmarrjeve publike.
Vlerësojmë se këto ndërmarrje janë ndërtuar nga qytetarët e Kosovës dhe i përkasin qytetarëve të Kosovës, andaj ato nuk mund të nxirren në shitje duke u anashkaluar interesi i qytetarëve të Kosovës dhe pa u marrë parasysh vullneti i tyre mbi të ardhmen e këtyre ndërmarrjeve publike. Ky proces i privatizimit, gati gjithmonë ka qenë i shoqëruar me skandale korrupsioni dhe me manipulime tenderësh që i kanë nxjerrë ato në shtije me çmime tepër të ulëta dhe qesharake.
Ndërmarrjet publike janë pasuri e monopole natyrore e shoqërore të Kosovës dhe nuk duhet të tjetërsohen nga kompanitë private që po përpiqen t’i bëjnë pronë të tyre private.
Aq më tepër kur dihet botërisht se PTK-ja, KEK-u dhe TREPÇA janë ndërmarrje rentabile dhe fitimprurëse, andaj ato duhet të vazhdojnë të qëndrojnë nën pronësinë dhe menaxhimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, i cili këto ndërmarrje publike duhet ti trajtoj si të tilla dhe si mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë ekonomik dhe në dobi të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të vendit, thuhet në letrën që në emër të sindikatës Unia e ka dërguar Osman Osmani, Sekretar për migracion dhe përgjegjës për Evropën juglindore në këtë sindikatë.(albinfo.ch)