Eko Higjiena

Unë përfaqësues i të gjithë “udbashëve”…

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Kim Mehmeti – Si të mos e thuash hapur se shqiptarët e Maqedonisë do t’i humbin të gjitha betejat, nëse dëshmohet si i vërtetë pretendimi i drejtuesve të BDI-së se përpos tyre dhe bashkëmendimtarëve të vet, të gjithë ne të tjerët jemi një grumbull UDB-ashësh e tradhtarësh të pafytyrë, që ushqehen nga e keqja e popullit të vet?! Dhe vallë është e mundur që e gjithë vetëdija jonë kombëtare aq të jetë rrudhur, sa sot e tëra të ndodhet në xhepin e regjimit të dyshes VMRO-BDI!

Në Maqedoni vazhdojnë protestat e rinisë shqiptare. Njësoj siç vazhdojnë orvatjet e partive të këtushme shqiptare që, o t’i vënë nën kontroll protestat, o t’i shpallin tradhtarë të gjithë ata që i përkrahin ato. Dhe përderisa të rinjtë protestojnë, thuajse përnjëherë të gjithë e kuptuan se kanë kaluar 13 vite nga konflikti i 2001 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila u desh të realizohej deri në vitin 2004.

Pra thuajse të gjithë e ndërmendën se po kaq vite, kryesuesit e BDI-së e shënonin solemnisht ditën e nënshkrimit të saj, kështu që edhe këtë Marrëveshje, njësoj si edhe emblemën e UÇK-së dhe konfliktin e 2001, e privatizuan dhe e shpallën pronë të patjetërsueshme të partisë së tyre.

Po pra, sot kur proteston rinia shqiptare e Maqedonisë, më në fund të gjithë e kuptuan se Marrëveshja e Ohrit është vetëm një kufomë, por vdekjen e së cilës ka vite që e fsheh BDI-ja dhe, në vend që atë ta varrosë, ajo paturpshëm, edhe pas vitit 2004, i kremtonte ditëlindjet e saj. Dhe BDI-ja nuk e shpalli vdekjen e saj vetëm për një arsye: ngaqë kryesuesit e saj nuk do kishin për çka tjetër të flisnin me diplomatët e huaj dhe pse do të duhej të mbyllej Sekretariati për realizimin e kësaj Marrëveshjeje pranë Qeverisë së Maqedonisë, me çka do të mbetej pa punë sekretari i përjetshëm i tij dhe njëkohësisht një nga figurat e “ndritura” të BDI-së!

Dhe sot kur rinia shqiptare e Maqedonisë proteston, shumëkujt thuajse për herë të parë iu kujtua se kishin kaluar 13 vite nga konflikti i 2001, i cili mbiu në arën politike të lëvruar njëmbëdhjetë vitet e mëparshme, edhe atë nga politikanët që ndërtonin Maqedoni ku sllavët do dëfreheshin, e shqiptarët do ta mirëmbanin. Pra konfliktin e 2001 e solli revolta e grumbulluar ndër vite te shqiptarët, tek ata që jepnin shumë e nuk merrnin thuajse asgjë.

Dhe sot, në verën e vitit 2014, kur rinia shqiptare e Maqedonisë proteston, shumëkush mundohet ta zbërthejë këtë revoltë, duke mos vërejtur se këto protesta, njësoj si edhe konflikti i 2001, janë fryt i keqqeverisjes, i ndjenjës se je i papërfaqësuar dhe i bindjes se shtetit ia jep të gjitha që duhen dhënë, e ai nuk të ofron thuajse asgjë më shumë se sa getoizimin dhe rrugën e mërgimit.

Pra kjo rini që proteston sot, u rrit thuajse me po të njëjtën ndjenjë që kishin rioshët e para konfliktit të 2001: se ata jetojnë në një shtet ku qeveritarët veprojnë sipas parimit se më lirë të del t’i paguash shtrenjtë qindra shqiptarë, se sa tërë një populli t’ia japësh hisen që i takon. Dhe duke u rritur me ndjenjën se asaj të gjitha ia kishin marrë, ajo rini u ngut ta mbronte të vetmen hapësirë që i kishte mbetur e papushtuar nga partitë shqiptare – rrugën!

Fundamenti

Pra sot kur rinia proteston, sot kur partitë shqiptare i kompletojnë listat e “armiqve” që i përkrahin dhe nxisin këto protesta , ne prindërit e këtyre protestuesve, përnjëherë e kuptuam se fëmijët tanë ishin rritur njësoj si edhe ne: në fushëbetejën ku përballeshin shqiptarët mbrojtës të shtetit me bashkëkombësit e vet rrënues të shtetit! Andaj edhe na u rikujtuan kohët e socializmit, kur ish- Jugosllavia mbrohej nga “rreziku i brendshëm shqiptar” duke i ndarë shqiptarët në të “ndershëm” e të “pandershëm”, ku në të ndershmit bënin pjesë ata që e ndihmonin regjimin t’i luftojë e t’i burgosë të “pandershmit” – “nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë” që rrënonin federatën dhe “bashkim vëllazërimin”.

Pra rikujtuam se si pas rënies së sistemit socialist, deri në vitin 2001, Maqedonia kinse demokratike dhe e pavarur e që kishte trashëguar kodin gjenetik të nënës që e lindi – ish-Jugosllavisë, vazhdoi të mbrohet nga “rreziku i brendshëm i trilluar shqiptar”, duke i ndarë tani ata në “radikalë” e “konstruktivë”, në ata që e ndihmonin pushtetin të mbrohej e t’i burgoste “rrënuesit e shtetit dhe të bashkëjetesës”. Rikujtuam pra se si pas konflikti të 2001, duke e parë se asnjë shtesë apo prapashtesë e emërtimit shqiptar nuk mund ta arsyetonte nevojën për mbrojtje “nga rreziku i brendshëm shqiptar” e t’i burgosje gjithë ata që e dëmtonin “tenderokracinë” mes elitave politike shqiptaro-maqedonase, regjimit të këtushëm i erdhi si e porositur lufta globale kundër terroristëve islamikë dhe, të ndihmuar nga “leninistët” e BDI-së, u kujtuan se shqiptarëve të këtushëm – në pjesë të madhe besimtarë të devotshëm – do t’u shkonte mirë veshja e epitetit “Islamikë radikalë”, e me çka do njolloseshin të gjithë shqiptarët e rrezikshëm dhe me një epitet të tillë do të ishin të papranueshëm edhe për vetë shoqërinë shumëfetare shqiptare.

Më çka filloi lufta kundër “islamikëve radikalë” gjatë së cilës nuk u gjet asnjë i tillë mes turqve, boshnjakëve, romëve… që ishin myslimanë po aq sa edhe çdo shqiptar i këtushëm.

Shkurt thënë, në këtë Maqedoni shumëçka ndryshoi, por jo edhe strategjia e mbrojtjes së shtetit nga “rreziku i brendshëm shqiptar”. Dhe atë strategji e përdor edhe regjimi i sotëm i dyshes VMRO-BDI, duke na ndarë në patriotë e tradhtarë, në ndërtues e rrënues të shtetit. Gjë që të bën të ndihesh i mjerë. E si mos ndihesh i mjerë kur e sheh se fatin e popullit tënd, se fatin e kësaj rinie që proteston, e përcaktojnë edhe disa nga ata që janë të gatshëm të shkelin edhe mbi kufomat e shqiptarëve, vetëm që t’i ruajnë privilegjet e veta e të mos e tradhtojnë besën që ia kanë dhënë VMRO-së!? Si të mos ndihesh i mjerë kur e sheh se rolet kryesore në “filmin” antishqiptar me titull “Shqiptarët kundër shqiptarëve”, i luajnë edhe disa “çlirimtarë” tanë që do duhej ta pengonin përçarjen mes shqiptarëve?!

Dhe si të mos e thuash hapur se shqiptarët e Maqedonisë do t’i humbin të gjitha betejat, nëse dëshmohet si i vërtetë pretendimi i drejtuesve të BDI-së se përpos tyre dhe bashkëmendimtarëve të vet, të gjithë ne të tjerët jemi një grumbull UDB-ashësh e tradhtarësh të pafytyrë, që ushqehen nga e keqja e popullit të vet?! Dhe vallë është e mundur që e gjithë vetëdija jonë kombëtare aq të jetë rrudhur, sa sot e tëra të ndodhet në xhepin e regjimit të dyshes VMRO-BDI!

(Shqip)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.