FIDANISHTJA

Unë jam fitues

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

E ka humbur garën në Prishtinë, por ndihet fitues në nivel të vendit.Kryetari në largim i komunës së Prishtinës, njëherësh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në një intervistë për “Zërin” thotë se partia e tij nuk po e kërkon fajtorin e humbjes në Prishtinë, por po punon në vazhdimësi që LDK-ja të konsolidohet edhe më mirë.

Ai beson në fitoren e LDK-së në zgjedhjet nacionale dhe thotë se do të marrë përgjegjësinë për humbjen, por edhe për fitoren.

Mustafa përmend shumë punë që ka bërë në Prishtinë, ndërsa po ikë nga komuna me një “zhig” (merak), që nuk arriti ta riorganizojë trafikun urban, projekt që thotë se e kanë nisur më herët.

Për kryetarin e ri, Shpend Ahmeti, nuk dëshiron të komentojë, duke ua lënë përgjigjen qytetarëve të Prishtinës.

Zëri: Çka ndikoi që pas dy mandateve të humbni në Prishtinë, në bastionin e LDK-së?

Isa Mustafa: T’ju them të drejtën nuk e kemi kërkuar fajtorin për këtë. Ne vlerësojmë se edhe pse nuk e kemi fituar vendin e kryetarit të komunës për herë të tretë në Prishtinë, LDK-ja megjithatë ka ruajtur votën e vet në Prishtinë ngase kemi rreth 30 mijë vota të LDK-së këtu. Kemi dalë mjaft suksesshëm në raundin e parë me 43 për qind të votave karshi të gjithë konkurrentëve të tjerë në Prishtinë.

Është një diferencë e madhe e cila është përmbyllë në raundin e dytë. Vlerësoj se në raundin e dytë kryesisht kemi të bëjmë me një organizmin të të gjitha subjekteve të tjera politike kundër LDK-së.

Votimet dhe rezultatet e votimeve tregojnë që ne kemi qenë vetëm karshi të tjerëve në këtë raund për shkak se ka qenë e pamundur të përmbyset një rezultat prej 9 mijë e 500 votave sa kemi qenë ne përparësi ndaj kandidatit të “Vetëvendosjes”.

Mirëpo së fundi ky është rezultat i votimit dhe ne tani e kemi shumicën në kuvendin e komunës dhe po ashtu i kemi votat dhe është një rezultat shumë i mirë që ne mund të vazhdojmë në zgjedhjet qendrore.

Zëri: A ishte LDK-ja e sigurt në fitore në mandatin e dytë? Pse nuk u mobilizuat derisa thoni që të gjithë kanë qenë kundër LDK-së?

Fundamenti

Isa Mustafa: Ne nuk kemi kërkuar takim me askënd e as koalicion për shkak se kemi besuar që rezultatet tona, të cilat i kemi arritur në raundin e parë janë rezultate që sigurojnë fitore edhe në raundin e dytë.

Por, natyrisht nuk kemi llogaritur që do të ketë ndërhyrje të tillë edhe të subjekteve të tjera karshi LDK-së dhe meje në këtë kënd.

Zëri: Është diskutuar shumë çështja e mbajtjes së duarve në xhepa. A e keni nënvlerësuar kundërkandidatin duke garuar me duar në xhepa?

Isa Mustafa: Unë mendoj se është stërmadhuar ajo (duart në xhepa) sepse simbolika e “duarve në xhepa” ka qenë një simbolikë e punëve që ne i kemi bërë në Prishtinë…

Ajo që duket pak paradoksale është, që të themi në mjediset ku ne kemi punuar më së shumti në Prishtinë, ku kemi investuar më së shumti gjatë kësaj periudhe edhe në pjesën urbane edhe në pjesën rurale, kemi marrë më pak vota sesa në mjediset që gjatë kësaj periudhe nuk kemi arritur të punojmë apo investojmë shumë.

Disa fshatra në baltë i kemi rindërtuar tërësisht me rrugë e trotuare, me qendra të mjekësisë familjare, me ndriçim, me shkolla dhe atje nuk i kemi marrë as 50 për qind të votave. Ndërkaq në disa mjedise ku nuk kemi investuar shumë gjatë këtyre viteve, p.sh. në “Kodrën e Trimave” brenda qytetit ne kemi marrë mbi 60 për qind të votave po që nuk janë rezultat i një pune të drejtpërdrejtë që është bërë gjatë kësaj periudhe.

Ose p.sh. në qendër të qytetit ku kemi ndryshuar krejtësisht pamjen e qytetit ne nuk kemi marrë as 40 për qind të votave… Prandaj si duket njerëzit më shumë kanë qenë të prirë që të votojnë për shpresën sesa për punën që është bërë.

Zëri: Z. Mustafa thatë që nuk e keni kërkuar fajtorin e humbjes në Prishtinë, megjithatë a e keni bërë ndonjë analizë paszgjedhore?

Isa Mustafa: Tash ne jemi duke biseduar me degët edhe të Prishtinës, por edhe me degët e tjera sepse është një proces i integruar zgjedhor dhe nuk është vetëm në Prishtinë.

Do të analizojmë dhe të shohim se në cilat hapësira apo në cilat mjedise ne nuk kemi arritur të mobilizohemi aq shumë apo të kontaktojmë sa duhet qytetarët, në mënyrë që pastaj për zgjedhjet e ardhshme t’i bëjmë korrigjimet. (Zëri)