Ulutash: Tranzicioni gradual i KFOR-it nga prania në urën e Ibrit bazohet në kushte të caktuara
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka folur për tranzicionin gradual të KFOR-it nga prania e përhershme në urën e Ibrit.
Ai ka thënë se ky tranzicion do të ndodhë duke u bazuar në kushte të caktuara dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorë të tjerë relevantë.
“Tranzicioni gradual nga prania e përhershme e KFOR-it në urën e Ibrit dhe përfshirja e Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit janë pjesë e një procesi më të gjerë të optimizimit që sapo e shpjegova. Sa i përket urës së Ibrit, tranzicioni nga prania e përhershme e KFOR-it bazohet në kushte të caktuara dhe është i koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorët e tjerë relevantë. KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut, si dhe në gjithë veriun e Kosovës”, ka thënë Ulutashi për Kosovo Online.


