Uglari dhe Velekinca kundër mini deponisë kancerogjene
Gjilan – Ramiz Isufi kryetar i këshillit të fshatit Uglar së bashku me përfaqësuesit dhe një pjesë të banorëve të Velekincës janë shprehur kundër ndërtimit të deponisë për asgjësimin e kafshëve. Kjo mini deponi sipas tyre është kancerogjene dhe vështirëson në mënyrë ekstreme jetën e banorëve të Uglarit dhe Velekincës.
Banorët e Uglarit dhe Velekinëcs janë tmerruar kur kanë parë se organet komunale po ndërtojnë një aneks apo mini deponi që ndodhet tek deponia kryesore e mbeturinave.
Sipas banorëve kjo mini deponi është paraparë për asgjësimin e kafshëve të ngordhura. Mirëpo ata kanë frikë se deponia pos që është kancerogjene e vështirëson në mënyrë ekstreme jetën e banorëve.
Ramiz Isufi kryetar i këshillit të fshatit tha për rajonipress se sipas zyrtarëve komunal aty po realizohet një deponi për kafshë të asgjësuara, kafshët që ngordhin.”Ky projekt e rrezikon ambientin, shëndetin tonë, dëmton pronat, ujin, ajrin, dhe rrezikon Uglarin me krejt fushën ku rrjedhë sepse materialet që rrjedhin nga kjo deponi derdhën në lum ku ndotet edhe lumi derisa banorët rrezikohen nga uji i papijshëm” tha Isufi.
Isufi tha se derisa ai të përfaqësojë interesat e banorëve nuk do të lejohet për asnjë çmim ndërtimi i kësaj deponie.”Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për ta zhvendosur atë deponi ose në të kundërtën ne do të nisim me protesta e pastaj nuk garantojë për zhvillimin apo eskalimin e tyre” tha Isufi.
Edhe, Isuf Bajrami nga Velekinca thotë se kjo deponi po ndërtohet shumë afër shtëpive dhe po punohet në pronë private.” Ne jemi kundër këtij ndërtimi dhe situata mund të dali jashtë kontrollit. Ky projekt nuk mund të realizohet kurrë dhe jemi të vendosur. Ishim te Ramiz Ramadani dhe na premtoj se projekti do të largohet, por ne nuk i besojmë atyre sepse kanë vepruar në mënyrë tinëzare” tha Bajrami.
Sipas banorëve para një jave janë varrosur kafshë të asgjësuara në mënyrë ilegale.
Hafiz Zeqiri banor tha se gjysma e pyllit është tharë nga pasoja e ujërave të zeza dhe tërë fshati nuk po mund të qëndrojmë natën në shtëpitë e tona.”Do të ankohemi edhe tek Ombudspersoni dhe tek çdo mekanizëm tjetër për ta parandaluar këtë të keqe që po i bëhet banorëve” tha Zeqiri.
Avdyl Sejdiu fermer i 240 deleve tha se kjo që po e bënë Lutfi Haziri nuk e kanë bërë as pushtetet serbe. “Vërtet është e pafalshme kjo që po e bënë Haziri. Në vend se të ndihmojë fermerët e vyeshëm ai po përdorë shkopin e dhunës e të dëmtimit të bizneseve” tha Sejdiu.
Ndryshe në delegacionin e banorëve të Uglarit e Velekincës që kanë marrë pjesë edhe në takimet me zyrtarët komunal ishin: Nuredin Zeqiri, Muharrem Zeqiri, Hafiz Zeqiri, Isuf Bajrami, Shefqet Zeqiri, Avdyl Sejdiu, Abedin Aliu, Ramiz Isufi dhe Naser Ahmeti./rajonipress/


