UEFA-ja shqyrton muajin tjetër aplikacionin e Kosovës
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, javën tjetër do ta vizitojnë UEFA-n dhe do të kenë takim me disa zyrtarë të saj.
Në të vërtetë, Vokrri e Salihu me datën 11 gusht do të kenë takim në Nyon me zyrën ligjore të UEFA-s për t’i shqyrtuar hapat e mëtejmë në mënyrë që të tejkalohen pengesat ligjore për pranim të plotë të Kosovës në këtë organizatë. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga FFK-ja, kurse është konfirmuar edhe nga sekretari i përgjithshëm i saj, Salihu, shkruan sot Koha Ditore.
Salihu ka thënë se ky takim është shumë i rëndësishëm për FFK-në, pasi do të shikohet nëse aplikimi përmbush të gjitha kriteret, përfshirë edhe ato ligjore para se të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Salihu nuk beson se do të ketë ndonjë problem dhe thotë se pas këtij takimi aplikimi i FFK-së do të shqyrtohet muajin tjetër para se të hidhet në rendin e ditës të kongresit që do të mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm. Mbledhja e radhës e KE të UEFA-s do të mbahet më datat 17/18 shtator në St. Julian’s të Maltës.
http://koha.net/?id=6&l=69673


