“Udhëtimi” në parajsë
![](https://rajonipress.com/file/2017/09/00_12_13497629762048847890.jpg)
Neokirurgu Eben Alexander, pasi që ra në komë, përjetoi gjëra, për të cilat ai ka menduar se nuk janë të mundura. Në një artikull autorial, të cilën ai e ka shkruar për revistën “Newsweek”, ai rrëfen për përvojën e tij dhe për “udhëtimin” e tij në parajsë.
Si neo-kirurg, unë nuk kam besuar në fenomenin e përvojës afër vdekjes. Jam rritur në botën e shkencës, si i biri i një neo-kirurgu. Ndjeka hapat e të atit dhe u bëra neo-kirurg akademik, duke ligjëruar në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe Universitete tjera. Unë kuptoj se çfarë ndodhë me trurin, kur njerëzit janë afër vdekjes dhe gjithmonë kam besuar se ekzistojnë shpjegime shkencore për udhëtimet jashtë trupit, të përshkruara nga ata që ishin afër vdekjes.
Edhe pse e kam konsideruar vetën si besimtarë të krishterë, më shumë isha i tillë vetëm sa për sy e faqe, se sa në jetën e vërtetë. Kam pasur simpati për ata, të cilët ishin të mendimit se Zoti ekziston diku.
Sidoqoftë, në vjeshtën e vitit 2008, pas shtatë ditësh të kaluara në komë, gjatë së cilave pjesa njerëzore e trurit tim, neokorteksi, nuk ishte aktive, përjetova diç, që më dha arsye shkencore për të besuar për ekzistimin e vetëdijes pas vdekjes.
Do ta rrëfej tregimin tim me logjikën dhe gjuhën e shkencëtarit që jam.
Në një mëngjes para katër viteve, u zgjova nga gjumi me kokëdhimbje të mëdha. Brenda disa orësh, i gjithë korteksi im, pjesa e trurit që kontrollon mendimet dhe emocionet dhe e cila në thelb na bën njerëz, u bllokua. Mjekët në Spitalin Lynchburg, Virginia, ku punoja edhe unë si neo-kirurg, erdhën në përfundim se isha sulmuar nga një meningjit i rrallë bakterial, i cili sulmon kryesisht fëmijët e porsalindur.
Kur hyra në dhomën e emergjencës atë mëngjes, gjasat e mia për të shpëtuar ishin tejet të vogla. Për shtatë ditë isha në një komë totale, trupi im nuk përgjigjej, funksionet e trurit tërësisht të bllokuara.
Më pas, në mëngjesin e ditës time të shtatë në spital, në momentin kur mjekët po shqyrtonin se a duhej të ndërpritnin tretmanin tim, sytë e mi befas u hapën.
Nuk ka shpjegim shkencor për faktin se përderisa trupi im ishte në komë, mendja ime, vetëdija, pjesa ime e brendshme-ishte gjallë dhe shëndosh. Përjetova një udhëtim në një dimension më të gjerë të universit, për të cilin as që kam ëndërruar që ekziston.
Por ky dimension ekziston. Dhe atë që kam parë dhe mësuar aty, më ka vendosur në një botë krejt tjetër, një botë në të cilën jemi më shumë se vetëm tru dhe trup dhe ku vdekja nuk është fundi i vetëdijes, por një kaptinë e një udhëtimi të këndshëm.
Mu deshën muaj të tërë për tu përballur me atë që më kishte ndodhur. Jo vetëm me pamundësinë mjekësore se isha i vetëdijshëm, gjatë kohës sa kam qenë në komë, por, që është edhe më e rëndësishme, me gjërat që më ndodhën gjatë asaj kohe. Në fillim të aventurës time, isha në një vend të reve. Shumë më lartë se retë, disa krijesa shndërritëse qarkullonin nëpër qiell, duke lënë prapa tyre vija vezulluese.
Zogj? Engjëj? Këto fjalë i regjistrova më vonë, kur fillova të shkruaj në letër përvojën time. Por me asnjë nga këto fjalë nuk mund të përshkruhen këto krijesa, të cilat dallonin nga çdo gjë tjetër që kam parë në këtë planet. Ishin më të avancuara. Forma më të larta.
Një tingull i fuqishëm zbriste nga lartë poshtë dhe pyesja vetën se a po e prodhonin krijesat në fjalë këtë tingull. Sërish, duke menduar më vonë, krijova përshtypjen se lumturia e këtyre krijesave ishte aq e madhe, sa që ato sipas të gjitha gjasave e prodhonin atë zhurmë. Tingulli ishte i prekshëm dhe pothuajse material, sikur shiun që mund ta ndiesh në lëkurën tënde, por i cili nuk të lagë.
Por gjërat bëhen edhe më të çuditshme. Gjatë pjesës më të madhe të udhëtimit tim, dikush tjetër ishte me mua. Një femër. Ishte e re dhe kishte sy të kaltër. Kur e pashë për herë të parë, po kalëronim mbi një sipërfaqe me shumë ngjyra, e që më pas e identifikova si një krah të një fluture. Në të vërtetë, me miliona flutura ishin përreth nesh. Ishte ky një lumë i ngjyrave dhe i jetës. Ajo më shikoi me një shikim, i cili, po ta kishe shikuar vetëm pesë sekonda, do ta kishte bërë tërë jetën tuaj të vlefshme për ta jetuar, pa marrë parasysh se çfarë keni përjetuar gjatë jetës. Nuk ishte shikim romantik. Nuk ishte shikim i miqësisë. Ishte një shikim, i cili shkonte përtej të gjitha këtyre gjërave dhe të dashurisë, siç e përjetojmë ne në tokë. Ishte diçka më e lartë. Pa përdorur asnjë fjalë të vetme, ajo fliste me mua. Porosia e saj kalonte nepër trupin tim si një erë. Porosia kishte tri pjesë dhe nëse do të duhej ta përktheja në gjuhën e tokës, atëherë mendoj se ky do të ishte përkthimi:”Je i adhuruar përgjithmonë. Nuk ke pse të frikësohesh. Nuk ka asgjë që mund të bësh gabim”.
Porosia me mbush me lehtësim. “Do t’iu tregojmë shumë gjëra këtu. Por në fund do të kthehesh prapa”, më tha femra sërish.
Më pas, unë fillova të bëj ca pyetje. Ku është ky vend? Kush jam unë? Pse jam këtu? Dhe sa herë bëja pyetje, përgjigjja vinte menjëherë në një shpërthim të dritave, ngjyrave, dashurisë dhe bukurisë, që më godisnin si një valë.
Vazhdova të lëvizë përpara dhe gjeta vetën duke hyrë në një zbrazëti të madhe, tërësisht e errët, e pafund në përmasa, por tejet e këndshme.
Më vonë, pasi u zgjova, gjeta një citat të poetit nga shekulli i 17-të, Henry Vaughan, i cili ju afrua përshkrimit të këtij vendi magjik. “Ekziston, thonë disa, një errësirë e thellë, por shkëlqyese te Zoti”.
Dhe pikërisht i tillë ishte ky vend: errësirë e mbushur përplot me drita shkëlqyese. E di se sa i pabesueshëm tingëllon rrëfimi im. Po të më kishte rrëfyer ndokush, madje edhe një mjek, tregime të këtilla në kohën time të vjetër, unë menjëherë do të kisha menduar se ai është i deziluzionuar. Ajo që më ndodhi mua kërkon shpjegim.
Fizicientët modernë na thonë se universi është një njësi unike, e pandarë.
Para përvojës time, këto ide ishin supozime. Sot ato janë realitet. Jo vetëm që universi definohet nga uniteti, por gjithashtu, siç e di tani, edhe nga dashuria. Universi të cilin e përjetova në komë, është i njëjti që e përshkruan Einsteini dhe Jezusi në mënyra të ndryshme.
Unë ende jam mjek dhe ende jam njeri i shkencës, po aq sa kam qenë edhe para përvojës time. Por tani jam një person tjetër, nga ai që kam qenë më parë.