FIDANISHTJA

Udhës për në qorrsokak

/ 6 minuta lexim
FITORJA

Nga Blerim Shala – Pa zgjedhje të lira, nuk ka demokraci, pa demokraci, nuk ka institucione të qëndrueshme të shtetit të Kosovës, pa institucione të kësisojta, ndodhë degradimi i shtetit të Kosovës.

Njëra prej paaftësive tona të mëdha politike, e cila dëshmon, ashiqare, shkallën e ulët të cilësisë së politikës kosovare, e cila i ri keq dhe për më tepër, dëmton, shtetin e Kosovës, përkon me mungesën e sendërtimit në realitet të një vlerësimi që tashmë ka bërë bashkë pothuaj të gjithë ata që janë në politikë, ose që përpiqen të shërbejnë si përmirësues të saj: mediat dhe shoqërinë civile.

Pra, kemi të bëjmë me dukurinë kur gati të gjithë kemi një mendim të përbashkët për një problem politik, po të njëjtit, e kemi pak a shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë në adresimin dhe në zgjidhjen e tij, por në fund disi ngatërrohemi, mbështillemi, dhe në vend të kryerjes së punëve, preferojmë shtyrjen e tyre, apo edhe paralizimin e vetvetes.

Shkalla e organizimit të një shoqërie varet pikërisht nga aftësia për t’i zgjidhë problemet që ngadalësojnë, apo edhe rrezikojnë (siç është rasti me këtë çështje), funksionimin e një politike dhe të një shoqërie.

Shembulli i cili vërteton këto telashe që kemi me vetveten është ky që lidhet me reformën zgjedhore dhe me ndryshimin (eventual) të Kushtetutës.

Nisja në trajtimin e kësaj teme është gjithsesi inkurajuese.

Ta zëmë, shumica me zë të lartë, e të tjerët, pak më ndryshe, pajtohen për turpin që na ka ndodhë me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të dhjetorit të vitit 2010. Nuk ka, në fakt, tregim a rrëfim të hajrit që na vjen nga kjo ngjarje që kërcënoi demokracinë e brishtë kosovare me themel.

Pastaj, të gjithë tashmë kemi mbërri tek konkludimi që nuk bën assesi të lejojmë përsëritje e këtyre zgjedhjeve, kur radhën tjetër, qytetarët e Kosovës do t’ia mësynë qendrave të votimit.

Pakkush ndër ne, guxon t’ia pranojë vetes një të vërtetë të rëndë, shumë të rrezikshme: Nëse përsërisim marren e dhjetorit të vitit 2010, kjo do të jetë goditja më e rëndë që do t’ia dhënë vetë ne qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës. Pa zgjedhje të lira, nuk ka demokraci, pa demokraci, nuk ka institucione të qëndrueshme të shtetit të Kosovës, pa institucione të kësisojta, ndodhë degradimi i shtetit të Kosovës.

Nuk bën pra në asnjë mënyrë të shkojmë në këtë udhën që në instancë të fundit, është një qorrsokak për politikën dhe për shoqërinë kosovare.

Këto janë tri të vërtetat politike të cilat në një mënyrë apo tjetrën, na bëjnë bashkë.

Është edhe një tjetër e vërtetë, e cila poashtu nuk mund të mëdyshet.

Uji Dea

Ekziston pra edhe ana teknike e gjithë këtij procesi.

Ajo na thotë që Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme (i cili duhet patjetër të ndryshohet, nëse duam t’i shkojmë në fund reformës zgjedhore e cila, përndryshe, ka mbetur diku në mes, apo, thënë ndryshe është as në tokë e as në qiell), duhet të miratohet më së voni gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas të gjitha gjasave, mund të ketë edhe amandamentim të Kushtetutës së Kosovës, për të shmangë tash e tutje krizat politike që dalin prej parlamentarizmit të cunguar kosovar.

Përfundimi që del këtu në rrumbullakësim të këtij shqyrtimi është ky: Nëse duam që zgjedhjet e reja t’i mbajmë në këtë vit, atëherë, reformën zgjedhore duhet ta përfundojmë jo më vonë se në mars të këtij viti, ashtu që më pas të përgatitet edhe Ligji i ri zgjedhor për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Shkurt (dhe shqip), siç po shihet, jemi në një zgrip kohor, apo, e tëra duhet të adresohet për pak javë sa kanë mbetur deri në mars, me një shpejtësi të paparë (së fundit), në politikën kosovare, me një organizim të padëshmuar (deri tash) në politikën dhe shoqërinë kosovare, me një vullnet të paqartë, apo, të panjohur të partive më të mëdha kosovare për tu ulur dhe për tu marrë vesh për temën e reformës zgjedhore.

Këtu vjen në shprehje tash artikulimi i të metës sonë të madhe si politikë dhe si shoqëri, e cila kur bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme për vendin, pashmangshëm sjell në mendje konstatimin për kërcënimin e demokracisë kosovare prej vetë nesh.

Çka po i ndalë, çka po i pengon partitë tona politike, por në masë të madhe edhe organizatat joqeveritare që merren me temën e zgjedhjeve, për ta përshpejtuar procesin e përmbylljes së reformës zgjedhore në javët e ardhshme?

Para se të gjithash, niveli i ulët padurueshëm i ulët i organizimit tonë politik, që bënë që për temat e këtilla, të rëndësisë sipërore, të flitet një herë në disa javë, në variantin më të mirë, apo edhe më rrallë.

Këtu vie pastaj në shprehje aftësia jonë e mrekullueshme, që të instalojmë si kriter mbizotërues, në mos edhe përcaktues interesin tonë vetjak, i cili rëndom është në kundërshti me kriteret tashmë të njohura botërisht për thjeshtësimin e zgjedhjeve, për shmangien e manipulimeve të zgjedhjeve, për arritjen tek rezultati final i tyre brenda një afati sa më të shkurtër kohor që njeh pak ditë e jo tetë javë qysh ishte rasti me zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010, për ruajtjen e kriterit gjinor, për përfaqësimin sa më adekuat gjeografik të Kosovës, për pastrimin e listave të votuesve, etj.

Përjashto kriterin gjinor, asnjëri tjetër nuk është përfillur në zgjedhjet e vitit 2010. Ndërsa të gjitha këto kritere duhet të përmbushen, një për një, nëse njëmend duam zgjedhje të lira, demokraci më stabile, shtet të qëndrueshëm.

Është pra fare e qartë, dikush do të thoshte edhe brutalisht e qartë se çka na pret javëve të ardhshme, çka duhet bërë brenda afatit të shkurtër kohor ashtuqë të mbërrijmë në cak.

Ndërsa gjasat që diçka e tillë të ndodhë janë afër zeros, diku.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.