UÇK-ja zgjoi ndërgjegjën e botës
Me rastin e 24 marsit, 14 – vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se NATO veproi kundër strukturave të dhunshme pushtetore të një shteti për të mbrojtur parimin themelor të njerëzimit. Kurse, sot Kosova, sipas saj është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Në vazhdim mund ta lexoni deklaratën e plotë të presidentes Jahjaga:
Sot është një nga ditët më të rëndësishme të historisë sonë. Është një nga ditët më domethënëse dhe më kuptimplotë për lirinë dhe për pavarësinë e vendit tonë. Pikërisht sot para katërmbëdhjetë vitesh Alenaca Veriatlantike i nisi sulmet ajrore mbi caqet e caktuara në ish Jugosllavi që rezultuan me kapitullimin e forcave të armatosura dhe me largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova.
Për të parën herë në histori NATO veproi kundër strukturave të dhunshme pushtetore të një shteti për të mbrojtur parimin themelor të njerëzimit, që secili popull e ka të drejtën që të jetoj i lirë në tokën e vet, i barabartë dhe i dinjitetshëm.
Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës si sublimim i përpjekjeve tona shekullore për liri, pavarësi e demokraci, i angazhimit dhe i sakrificës së shumë brezave, i flijimit në altarin e lirisë të bijëve dhe bijave më të mira të popullit, zgjoi ndërgjegjen e botës dhe nxiti vendimin e intervenimit humanitar të NATO-s.
Ne sot jemi krenarë dhe ndiejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim ndërmjet veti.
Republika e Kosovës, një sukses i yni i përbashkët, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar në parimin qytetar dhe me shoqëri demokratike në të cilën të gjithë njerëzit i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta, pa asnjë dallim.
Vendi ynë sot falë angazhimit të të gjithë qytetarëve, përkushtimit të të gjithë shoqërisë, po ndërton një shoqëri të drejtë, të mundësive të barabarta, një shtet me rend dhe sundim të ligjit dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Kosovapress/
14 vjet nga fillimi i ri i historisë së Kosovës
Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 24 mars 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.
Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo rezultoi me ndërprerjen e katastrofës humanitare dhe kapitulimin e forcave të Millosheviqit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, miratimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB, tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të KFOR-it.
24 marsi i vitit 1999 shënon një fillim te ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj. Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, më mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës. Këtë vit më 17 shkurt, Kosova ka shënuar 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe është njohur nga 99 shtete të botës. /Kosovparess/


