ARKATANA

UBT shënon Ditën Botërore të Lirisë së Medias me konferencë për sfidat e gazetarisë moderne

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Medias, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi një konferencë të nivelit të lartë, duke e kthyer Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në një hapësirë dinamike diskutimi mbi të ardhmen e gazetarisë dhe sfidat e medias në epokën digjitale.

Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Media dhe Komunikim për të krijuar ura lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të bashkëbiseduar me profesionistë të fushës dhe për t’u përfshirë në debate reale mbi zhvillimet më aktuale të medias.

Konferenca mblodhi ekspertë, gazetarë dhe përfaqësues institucionalë, të cilët në panel diskutimi trajtuan tema kyçe si dezinformimi, ndikimi i inteligjencës artificiale, pavarësia e mediave dhe përgjegjësia profesionale në raportimin e lajmeve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e medias si një ndër shtyllat kryesore të shoqërisë demokratike, duke nënvizuar se zhvillimet teknologjike kanë sjellë mundësi të reja, por edhe sfida të reja për gazetarinë.

Ai theksoi se themelimi i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT është një përgjigje direkte ndaj nevojës për kuadro të reja profesionale dhe të përgatitura për realitetin e ri mediatik, ku verifikimi i informacionit dhe luftimi i dezinformimit mbeten ndër sfidat kryesore.

Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Ferid Selimi, u ndal te balanca ndërmjet lirisë së shprehjes dhe kufizimeve të saj, duke theksuar se mediat sot operojnë në një realitet kompleks, ku liria dhe kontrolli shpesh bashkëjetojnë.

Ai vlerësoi se përmes aktiviteteve të tilla, studentët përfitojnë jo vetëm njohuri teorike, por edhe një kuptim më të thellë të praktikës profesionale dhe sfidave reale të gazetarisë moderne.

ARKATANA

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Naile Dema theksoi rëndësinë e edukimit medial si një ndër mekanizmat më efektivë për të luftuar dezinformimin, duke nënvizuar rolin e institucioneve arsimore në ndërtimin e një publiku kritik dhe të informuar.

Profesori i UBT-së, Musa Sabedini, foli për përgjegjësinë e gazetarëve në trajtimin e temave me interes publik, theksoi me theks të veçantë kompleksitetin dhe peshën e përgjegjësisë që bart profesioni i gazetarit në shoqëritë demokratike.

Ai elaboroi rreziqet dhe sfidat e gazetarisë bashkëkohore, duke nënvizuar se përballë presioneve politike, ekonomike dhe ndikimeve të teknologjisë digjitale, gazetari duhet të mbetet i palëkundur në respektimin e etikës profesionale, parimeve universale dhe kodeve të gazetarisë.

Profesor Sabedini kërkoi rritje të llogaridhënies dhe transparencës në media, duke apeluar që gazetaria të ushtrojë rolin e saj kritik dhe mbikëqyrës ndaj pushtetit, përmes një qasjeje të guximshme, të pavarur dhe aktive, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe forcimit të demokracisë, ndërsa gazetarja e Deutsche Welle, Vjosa Çerkini, theksoi rëndësinë e etikës dhe profesionalizmit në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo informacion mund të ketë ndikim të gjerë dhe afatgjatë.

Përmes organizimit të konferencave, paneleve dhe aktiviteteve të ngjashme, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT vazhdon të ofrojë një mjedis bashkëkohor studimi, ku teoria ndërthuret ngushtë me praktikën dhe ku studentët përgatiten për tregun e punës përmes përvojave reale.

Këto iniciativa e pozicionojnë fakultetin si një nga qendrat më aktive në vend për zhvillimin e gazetarisë dhe komunikimit, duke kontribuar në formimin e profesionistëve të rinj të aftë për të përballuar sfidat e një peizazhi mediatik gjithnjë e më kompleks.